1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kthimi i të penduarit nga Siria

Lindita Arapi6 Maj 2016

Janë disa qindra luftëtarë të huaj që kanë shkuar nga vendet e Ballkanit të luftojnë në Siri në vitet e fundit. Ndër ta edhe shqiptarë. Njëri prej tyre kthehet i zhgënjyer nga realiteti brutal i IS-it.

https://p.dw.com/p/1IieQ
Syrien Krieg Kämpfe in Aleppo
Luftime e shkatërrim në AlepoFotografi: Reuters/A. Ismail

Kush kthehet nga lufta e Sirisë në Gjermani duhet të përgjigjet njëherë para ligjit, parimisht kjo duhet të ndodhte edhe në Shqipëri: Ligji shqiptar e dënon me deri në disa vite burg pjesëmarrjen në konflikte të armatosura jashtë vendit, kjo që nga viti 2014. Megjithatë kundër të kthyerve nga Siria nuk është zhvilluar asnjë proces gjyqësor, kjo edhe për faktin se shumë prej tyre pas kthimit nuk duan të bien në sy dhe vazhdojnë jetën pa dashur të përballen me autoritetet. Sandër Lleshi, këshilltari për sigurinë i kryeministrit Edi Rama pranon se "ata që kthehen i druhen ndjekjes penale". Megjithatë ai thekson se autoritetet e sigurisë mbeten të vëmendshme e përmend një sukses tjetër të autoriteteve shqiptare. "Duhet thënë që fenomeni i luftëtarëve të huaj sot është i bllokuar. Gati nuk kemi më asnjë person që të largohet nga Shqipëria në drejtim të Sirisë, kjo falë punës së autoriteteve tona."

Syrien-Rückkehrer aus Albanien
I kthyeri nga Siria në bisedë me Deutsche Welle-nFotografi: DW/L. Arapi-Boltz

"Doja t'u ndihmoja vëllezërve të mi myslimanë"

Një prej të kthyerve nga Siria, që nuk e ka dashur përballjen me autoritetet është edhe Ebu Zaid. Këtë emër 28 vjeçari, i cili e ka pranuar fenë islame para disa vitesh, e ka zgjedhur para se të rrëfejë se si pamjet e internetit e ndikuan të nisej për në Siri. "Kam parë videot, gjithçka në internet, të gjitha këto mua si besimtar më kanë prekur. Doja t'u ndihmoja vëllezërve të mi myslimanë, prandaj vendosa të shkoj në Siri. Nuk kisha frikë, por ishte ajo ndjesia heroike që po ndihmoj për diçka të mirë, po ndihmoj në rrëzimin Bashar al-Asadit".

Ebu Zaid shkon në Siri bashkë me dy shqiptarë të tjerë në vitin 2014. Prindërve i thotë se do të shkojë për studime fetare. 28 vjeçari kujton se nuk ishte e vështirë të kaloje në Siri në atë kohë, pas mbërritjes në Turqi ishte e lehtë të dilje në anën tjetër, në kufi nuk të pyeste kush. Fillimisht ai lufton në krah të Al-Nusras në rrethinat e Alepos. "Gjithçka ishte e organizuar, ushqimi, veshja. Kam takuar djem të rinj nga vende të ndryshme europiane, Franca, Gjermania, Danimarka. Por ngaqë e njihja gjuhën arabe, kisha kontakte të mira me të gjithë."

"Shteti Islamik" më i organizuar

Pas një muaji qëndrimi ai merr pjesë edhe në luftime. A ka vrarë? Ebu Zaid përgjigjet se "nuk kishte dyshime, ata që qëndronin përballë ishin ushtarë të Bashar Al-Asadit, nuk kishte mëshirë pas gjërave që kishin bërë ata." Përditë kam parë të vrarë dhe shumë vuajtje, rrëfen luftëtari shqiptar. Nuk kalon shumë kohë dhe bëhet më e qartë lufta e brendshme mes Al-Nusrës dhe "Shtetit Islamik" që çoi më vonë në ndarjen e tyre. Ebu Zaid rrëfen se në atë kohë atij i dukej më i organizuar "Shteti Islamik", prandaj në muajt e fundit të qëndrimit në Siri, i bashkangjitet këtij grupimi. "Shteti Islamik ishte më i organizuar, kishte më shumë para, financim më të mirë, nuk di nga vinte ky financim."

Por realiteti i dhunshëm tek xhihadistët e "Shtetit Islamik" e zhgënjen shpejt të riun shqiptar. "Ata nuk kishin njohuri fetare, madje as kuranin nuk e njihnin mirë se nuk lexonin, prandaj edhe ky ekstremizëm që kanë. Po qe se të kapnin me një cigare në dorë të qortonin rëndë, kush dëgjonte muzikë ia prishnin edhe kompjuterin. Por kishte shumë vetë që i ndiqnin qorrazi urdhrat e tyre."

Ebu Zaid e sheh veten "një besimtar të gënjyer"

Ajo që i bëri përshtypje luftëtarit nga Shqipëria ishin të rinjtë europianë që i ishin bashkuar "Shtetit Islamik." Ata po ashtu kishin shumë pak njohuri fetare, por kishte edhe shumë që donin të ktheheshin. "Kur më pyesnin mua, a lejohet sipas islamit të kthehem në Europë, unë i thoja "po", më vonë ata pyesnin të tjerë që u thonin se nuk lejohet të kthehesh, atje nuk është vendi i islamit." Në vitin 2015 Ebu Zaid është vetë njëri nga ata që do të kthehet në vendlindje. "Nuk ka qenë vetëm zhgënjimi nga ajo që pashë atje. Por sidomos fytyrat e fëmijëve të mi dhe lotët e nënës kur bisedonim në Skype, më bënë të merrja vendimin e kthimit."

Ebu Zaid jeton sot në Tiranë si punëtor i thjeshtë, duke u përpjekur të mos u bjerë në sy autoriteteve. Duke kthyer vështrimin pas ai vëren se "sot do ta quaja veten një të gënjyer, një besimtar të gënjyer. Lufta është luftë, nuk është e bukur dhe asnjëherë për hajr." Por pavarësisht vetëpërcaktimit si të gënjyer, personat e kthyer nga lufta në Siri konsiderohen nga autoritetet e sigurisë në Shqipëri si rrezik potencial. Këshilltari për sigurinë, Sandër Lleshi thekson se "këta persona duhet njëherë të ballafaqohen me ndjekjen penale, pastaj vijnë masat e tjera si rintegrimi i tyre."