Oliver Ivanoviq dyshohet për krime lufte
28 Janar 2014Misioni i Bashkimit Evropian për Polici dhe Drejtësi, EULEX, bënë të ditur se Gjykata Themelore e Mitrovicës i ka shqiptuar masën e arrestit prej 30 ditësh, politikanit lokal serb nga veriu i Mitrovicës, Oliver Ivanoviq. “Me kërkesë të një prokurori ndërkombëtar nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK), sot në mëngjes një gjykatës ndërkombëtar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës ka urdhëruar një muaj paraburgim për Oliver Ivanoviqin, i cili dyshohet për krime lufte dhe vrasje të rëndë”, thuhet në njoftimin e misonit EULEX.
Misioni EULEX, pati deklaruar se politikani lokal serb nga veriu i Mitrovicës, Oliver Ivanoviq, ishte arrestuar të hënën në mbrëmje me 27.11 i dyshuar për krime lufte. Në një deklaratë për media të martën në mbrëmje, EULEX, tha se “gjatë ditës së marte, Oliver Ivanoviq është paraqitur vullnetarisht në Stacionin Policor në Mitrovicën e Veriut, sipas një marrëveshjeje paraprake mes një prokurori ndërkombëtar nga Prokuroria Speciale e Kosovës dhe përfaqësuesit ligjor të Oliver Ivanoviqit”.
Hollësi të tjera rreth dyshimeve për krime që e ngarkojnë politikanin serb Oliver Ivanoviq, nuk ka, por mediat lokale në Kosovë, shkruajnë se dyshimet për krime mund të kenë lidhje edhe me ngjarjet e shkurtit të vitit 2000, kur dhjetë shqiptarë kishin humbur jetën gjatë trazirave në veriun e Mitrovicës.
Në orët e vona të ditës së marte, përkrahës të Ivanoviq, protestuan para zyrave të misionit EULEX në veri. Nuk u shënua ndonjë incident. Gjatë ditës së marte në kohën kur Oliver Ivanoviq, merrej në pyetje nga prokurorët e misionit EULEX, nisma qytetare ( SDP ), që drejtohet nga Oliver Ivanoviç, në një deklaratë për media tha se “thirrja për t'u paraqitur në prokurori e Ivanoviqit, ka prapavijë politike, për të krijuar një baraspeshë me arrestimet në radhët e komunitetit shqiptar. Padyshim se kjo synon edhe shkaktimin e frikës dhe jostabilitetit tek komuniteti serb në Kosovë”, u tha në në reagimin e kësaj nisme.
Oliver Ivanoviq, ishte kandidat për kryetar komune në veriun e Mitrovicës në zgjedhjet lokale të vitit të shkuar. Ai kishte paralajmëruar mundësinë që të rikandidojë serish për këtë post në zgjedhjet për kryetar të kësaj komunë që do të mbahen më datën 23 shkurt të këtij viti. Zgjedhjet për kryetar të komunës së veriut të Mitrovicës përsëritën për shkak se kryetari i zgjedhur në votimet e dhjetorit të vitit të shkuar Kërstimir Pantiç, humbi mandatin, sepse nuk pranoi të japë betimin sipas ligjeve të Republikës së Kosovës.