150711 ISAF Afghanistan
18 Korrik 2011John R. Allen flet me zë të ulët. Ai ka mbaruar tre studime masteri, mes të cilave një në universitetin me emër "Georgetown University", në Uashington. Ai konsiderohet si analist i shkëlqyer dhe strateg ushtarak me aftësi diplomatike. Në prezantimin si komandant i ri i trupave amerikane dhe atyre të ISAF-it në Afganistan, presidenti amerikan Barack Obama, komandanti suprem i forcave të armatosura të SHBA-së, e rekomandon atë me këto fjalë:
"Ai është një udhëheqës i sprovuar lufte. Ai e ktheu situatën në provincën Al Anbar në favor të tij dhe si zëvendëskomandant i trupave amerikane, u respektua në të gjithë rajonin. Ai është marrë intensivisht me planet strategjike për Afganistanin."
Allen nuk ka përvojë në Hindukush. Përvoja e tij ushtarake lidhet me Irakun. Si komandant i provincës Al Anbar ai arriti në vitet 2007 dhe 2008 që t'i kthente luftëtarët sunitë kundër rrjetit të Al Kaidës, i cili ka qenë shumë aktiv në rajon. Aleanca e inicuar prej tij kontribuoi për vendosjen e qetësisë në Irak.
Përvoja e mbledhur atje do i duhet në Afganistan, vend i cili ndodhet në periudhë kalimtare deri në tërheqjen e plotë të trupave. Akti balancues, për të bërë të sigurta lindjen dhe jugun e vendit, ndërkohë që në sfond duhet arritur një zgjidhje politike me talibanët, është një sfidë e vërtetë.
Allen, do të marrë drejtimin e 140 mijë trupave të NATO-s dhe atyre amerikane. Por kontigjenti do të vijë duke u zvogëluar. Krah amerikanëve, edhe Gjermania, Britania e Madhe dhe vendet e tjera të ISAF-it do të reduktojnë muajt e ardhshëm trupat e tyre. Deri në shtator 2012, duhet të tërhiqen 30 mijë ushtarë ndërkohë që duhet bindur udhëheqja afgane për të rritur numrin e forcave të sigurisë, deklaron Allen para Senatit amerikan. Komuniteti ndërkombëtar do të largohet nga Afganistani kur ky të jetë në raporte relativisht stabile. Ky është misioni i ri i Allen-it.
Autor: Daniel Scheschkewitz / Aida Cama
Redaktoi: E. Xhani