Një Bashkim Evropian për Lindjen?
23 Prill 2014Për shkak të krizës së Krimesë ka dalë pak në plan të dytë një projekt i presidentit rus Vladimir Putin, Bashkimi Euroaziatik. Këtë pranverë ai duhet të miratohet zyrtarisht dhe prej vitit 2015 të nisë punën.
Bashkimi Euroaziatik do të krijohet nga unioni ekzistues doganor ndërmjet Rusisë, Bjellorusisë dhe Kazakistanit, që ekziston që nga viti 2010, dhe do të përfshijë edhe ish republika të tjera sovjetike. Armenia dhe Kirgistani kanë shprehur tashmë gatishmërinë e tyre për të marrë pjesë në të.
Clinton paralajmëron nga risovjetizimi
Në lidhje me natyrën e këtij unioni të propozuar ka pikëpamje të ndryshme. Në fund të vitit 2012 Sekretarja e atëhershme amerikane e Shtetit Hillary Clinton foli në Dublin për një përpjekje për risovjetizimin e rajonit. Edhe në qoftë se emri është një tjetër, "ne e dimë qëllimin dhe kërkojmë mënyra efektive, që e ngadalësojnë këtë zhvillim, apo e pengojnë atë", paralajmëroi ajo. Zëdhënësi i Putinit, Dimitri Peskov, tha se Klinton e kishte keqkuptuar krejtësisht situatën.
Ideja e një federate shtetesh vjen nga lideri i fundit sovjetik Mihail Gorbaçov. Kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë, ai u përpoq të bashkojë edhe një herë atë që nuk mbahej dot më bashkë. Presidenti i parë rus Boris Jelcin themeloi pastaj me shumicën e vendeve në "fqinjësi" të Rusisë, Bashkësinë e Shteteve të Pavarura (CIS). Qëllimi ishte një hapësirë e përbashkët ekonomike dhe e sigurisë. Por organizata ka humbur në mënyrë të konsiderueshme rëndësinë në vitet e fundit.
Putini nuk do "një Bashkim Sovjetik të ri"
Për një union të republikave ish-sovjetike, si BE, është shprehur që në vitin 1994 presidenti i Kazakistanit Nursultan Nazarbajev. Putini e rimori këtë ide në tetor 2011, para se të kthehej në postin e presidentit. Në një artikull në gazetën ruse "Izvestia" ai theksonte se nuk planifikon një Bashkim të ri Sovjetik. Ai përshkruante më tepër një Bashkim Euroaziatik sipas modelit të BE dhe zonës Shengen me lëvizjen e lirë të kapitalit, të shërbimeve dhe të fuqisë punëtore.
Legjislacioni dhe rregullimi i tregjeve të të gjitha shteteve anëtare duhen përafruar dhe konkurrenca duhet garantuar. Vendet anëtare potenciale Putin i tërhoqi me atë, se përmes Bashkimit Euroaziatik ata mund të integroheshin më shpejt dhe më fort në Evropë. Ai premtoi një integrim vullnetar politik dhe ekonomik të partnerëve të barabartë dhe sovranë në një organizatë ndërkombëtare, që dominohet nga demokracia, liria dhe ekonomia e tregut.
Udhëheqësit autoritarë mes tyre
Por se si do të arrihet kjo, nö njö kohö kur tre vendet autoritare dhe diktatoriale, Rusia, Kazakistani dhe Bjellorusia janë anëtarët themelues të Bashkimit, Putini e la të hapur. Për Rusinë ia vlen afrimi i ekonomive me lëndë të para si Kazakistani dhe i vendeve me strukturë të dobët si Armenia dhe Kirgistani, për të krijuar një pozitë më të fortë ndaj BE dhe Kinës dhe për të ndjekur objektivat e saj politike dhe të sigurisë strategjike. Por nga ana tjetër edhe në qoftë se Rusia ka rëndësi të veçantë si furnizuesja me energji e shumë vendeve fqinje, atraktiviteti i saj nuk është rritur në vitet e fundit.
Rusia nuk ka mundur që të nxisë modernizimin në vendin e vet dhe të reduktojë vartësinë nga eksportet e lëndëve të para. Një shembull është planifikimi i qendrës së inovacionit Skolkovo pranë Moskës, e cila duhej të ndërtohej sipas modelit të Silicon Valley dhe që është përmendur së fundi vetëm për hetimet për korrupsion.
Për rritje skepticizmi dhe antipati ndaj lidhjes më të ngushtë me Rusinë ndikon aneksimi i Krimesë dhe rritja e çmimeve të gazit për Ukrainën. Si një shenjë duhet kuptuar edhe fakti, që nga ish-republikat sovjetike vetëm Bjellorusia dhe Armenia votuan së bashku me Rusinë kundër një rezolute të OKB-së, që e shpalli ndarjen e Krimesë nga Ukraina të pavlefshme.
Armenia është shumë e varur nga Rusia si furnizuese me gaz dhe si fuqi mbrojtëse kundër shtetit fqinj Azerbajxhanit në konfliktin për rajonin separatist të Nagorno-Karabakut. Megjithatë Armenia përpiqet më tej në Bruksel për një marrëveshje me BE, që është kompatibël me anëtarësimin në Bashkimin Doganor. Gjithashtu Armenia përpiqet për marrëdhënie të mira ekonomike me Iranin. Momentalisht bëhet fjalë për një marrëveshje për furnizimin me gaz.
Azerbajxhani nga ana tjetër furnizohet me armë ruse, por edhe forcon më tej marrëdhëniet e tij me Turqinë. Kryeministri i saj Rexhep Taip Erdogan menjëherë pas zgjedhjeve të suksesshme komunale të partisë së tij shkoi në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, për të shprehur afërsinë e dy popujve turq.
Sinjale nga shtetet e Azisë Qendrore të bëjnë të konkludosh, se ata nuk duan ta irritojnë Rusinë, por duan të theksojnë edhe sovranitetin e vendit të tyre. Kazakistani, për shembull, ndahet me një kufi 7000 km me Rusinë. 20 për qind e popullsisë janë me prejardhje ruse. Edhe pse presidenti Nazarbajev ishte një nga promotorët e një bashkimi doganor, vendi i tij ashtu si edhe shtete të tjera të Azisë Qendrore bën biznese të mira me Kinën.
Shtatorin e kaluar udhëheqësi kinez Xi Jinping udhëtoi nëpër rajon me një valixhe plot me kontrata biznesi. Bëhej fjalë për furnizimin e Kinës me naftë dhe gaz nga Kazakistani, Uzbekistani dhe Turkmenistani, por edhe investime në infrastrukturën e Kirgistanit. Në tregjet gjigande të Kirgizistanit gjenden kryesisht produkte nga Kina, por edhe nga Irani dhe Ukraina.
Punëtoret gjithnjë e më pak të mirëpritur
Megjithatë Kirgistani, si dhe Taxhikistani dhe Uzbekistani janë të varur në një masë të konsiderueshme nga pagat, që qytetarët e vendeve të tyre fitojnë si punëtorë në Rusi. Për to mund të jetë i dobishëm një Bashkim Euroaziatik, siç e premtoi Putini në 2011.
Por zhvillimi shkon në një drejtim tjetër. Sipas një raporti të revistës së internetit eurasianet.org, autoritetet ruse vetëm vitin e kaluar vendosën në një listë me persona që u ndalohet hyrja, 600.000 të huaj kryesisht nga ish-republikat sovjetike. Midis tyre ishin 60 000 vetë nga Kirgistani, të cilët morën vesh për ndalimin e hyrjes, vetëm pasi shkuan në Rusi.
Moska nuk mund të mendohet pa punëtorë ndërtimi, pastrues dhe shitës tregu nga republikat e tjera ish-sovjetike. Por gjithnjë e më pak të rinj, sidomos nga Azia Qendrore, flasin ende rusisht dhe janë të familjarizuar me konvencionet e kulturës ruse. Ato hasin në një popullsi ksenofobe dhe nacionaliste. Shpesh autoritetet ndërmarrin bastisje dhe ekstremistët e djathtë përndjekin punëtorët, të nxitur nga media dhe politikanët. Pra Putini duhet të bindë jo vetëm vendet fqinje për rëndësinë e Bashkimit Euroaziatik, por edhe popullsinë e vet.