1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ngërçi politik rrezikon ta zhysë Kosovën në krizë financiare dhe buxhetore

Bekim Shehu30 Tetor 2014

Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se nëse nuk miratohet shpejt buxheti për vitin 2015, në muajt e parë të vitit të ardhshëm, punonjësit në sektorin publik do të mbeten pa paga.

https://p.dw.com/p/1DeVn
Newborn (Denkmal)
Fotografi: DW/R. Breuer

Njohës të çështjeve ekonomike thonë se ngërçi politik që po vazhdon në Kosovë tash e pesë muaj, që për pasojë ka bllokuar krijimin e institucioneve të reja, seriozisht po rrezikon ta zhysë Kosovën në krizë financiare dhe buxhetore. Vonesa në konstituimin e plotë të parlamentit, që duhet ta miratojë ligjin për buxhetin e vitit 2015 bën që në fillim të vitit të ardhshëm të rrezikohet shlyerja e pagave ndaj punonjësve në sektorin e shëbimeve publike. Zyrtarë nga Ministria e Financave, thonë se edhe për dy muajt e parë të vitit të ardhshëm pagat janë të garantuara, ndërsa, nëse nuk ka miratim të buxhetit, atëherë sipas tyre, problemet fillojnë nga muaji mars i vitit 2015. “Në bazë të Ligjit për menaxhimin e Financave Publike dhe Ligjit mbi buxhetin e Kosovës, çdo organizatë buxhetore për muajin janar dhe muajin shkurt të vitit të ardhshëm do të marë 1/12 të mjeteve të përgjithshme që i ka pasur në vitin 2014. Në dy muajt e parë të vitit të ardhshëm mund të sigurohet pagesa e të ardhurave dhe shpenzimeve për punonjësist sdektorit të shërbimeve civile. Problemet fillojnë nëse deri në mars të vitit të ardhshëm nuk aprovohet buxheti atëherë nuk mund të bëhet ekzekutimi i pagave dhe shpenzimeve të tjera pa një vendim të kuvendit”, ka deklaruar për mediat lokale Gëzim Baxhaku, këshilltar i ministrit në detyrë të financave, Besim Beqaj.

Pa mbledhjen e kuvendit rrezikon kolapsi buxhetor

Mirëpo, njohësit e çështjeve ekonomike thonë se pasojat e ngërçit politik që po pamundëson krijimin e institucioneve të Kosovës janë të pashmangshme qysh tash. Ibrahim Rexhepi, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Hulumtime Strategjike e Sociale- (STRAS) i tha DW, se Kosova tashmë është zhytur në krizë dhe pasojat do të shihen që në muajt e parë të vitit të ardhshëm. “Pa marrë parasysh se nga zgjedhjet e qershorit ende nuk dolën institucionet, por se edhe subjektet politike nuk kanë ndonjë përafrim sa i përket këtij problemi, kemi një përshtypje se gjërat po rrjedhin mirë, njerëzit marrin paga, buxheti po mbushet, rritet eksporti, importi, depozitat në banka etj. Por, në fakt, ky është një mashtrim, meqenëse Kosova është duke u zhytur gjithnjë e më thellë në krizë, e cila në mënyrën më të dukshme do të shpërthejë në muajt e parë të vitit që vjen”, thotë Ibrahim Rexhepi.

Ai përmend një nga një pasojat financiare që ka shkaktuar ngërçi politik në Kosovë.“Fillimisht po përmendi se për një vit të tërë nuk është marrë asnjë vendim i rëndësishëm që do të ndikonte në përshpejtimin e zhvillimit ekonomik. Shumë projekte janë shtyrë për një kohë më të mirë, si ndërtimi i termocentraleve, apo dhënia me koncesion e kompleksit turistik të Brezovicës. Po ashtu, nuk ka pasur punësim të ri, që do të thotë se varfëria po kërcënon edhe më shumë. Sipas kësaj rritja ekonomike sivjet do të jetë më e ulët se ajo e që parashihej ( nga 3,8 për qind do të realizohet ndoshta 2,5 për qind)”.

Sipas ekspertetit Rexhepi madje problemet me buxhetin vijnë që në ditën e parë të janarit. “Fillimisht me kufizime, në pagesa, për 30 ditët e para të vitit, e më pas me bllokadë të plotë të pagesave. Pra, nga 1 shkurti, nëse nuk miratohet buxheti, atëherë nuk mund të bëhet asnjë pagesë nga buxheti, pos servisimit të borxhit publik.” Eksperti i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi, thotë se janë ditët e numëruara kur parlamenti duhet të miratojë buxhetin për vitin 2015 dhe për të zbutur sadopak pasojat e krijuara. “Do të thotë me konstituimin sa më të shpejtë të kuvendit, mund të kemi buxhet të miratuar në fund të dhjetorit, dhe me këtë të anashkalohet kriza buxhetore. Mirëpo, pasojat për zhvillimin ekonomik do të mbeten, meqenëse ajo që është humbur gjatë vitit 2014 nuk mund të kompensohet shpejt”, thotë Ibrahim Rexhepi.

Edhe një njohës tjetër i çështjeve ekonomike, Lumir Abdixhiku nga Instituti për Hulumtime Zhvillimore (Riinvest), thotë se ligji për menaxhimin e financave publike e bënë shumë të qartë se: “Qeveria e Kosovës, kjo në largim pra, ka të drejtë të shpërndajë (pagat e shpenzimet tjera publike) vetëm për Janarin e vitit 2015 dhe për asnjë muaj më shumë. Do të kishte të drejtë ta bëjë për dy muajt e parë siç po e keqkuptojnë këta zyrtarë e ministra që përtojnë të lexojnë ligjin, vetëm nëse në katër muajt e fundit para fillimit të vitit fiskal janë mbajtur zgjedhjet e që nuk është këtë rasti këtë here”, shkruan Lumir Abdixhiku, nga instituti Riinvest.

Edhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, nëpërmjet zëdhënësit të saj, Arbër Vllahiu, ditë më parë i tha DW-së, se ngërçi politik po rrezikon krizë jo vetëm politike por edhe buxhetore dhe financiare. “Presidentja Jahjaga iu ka bërë me dije të gjithë liderëve të partive politike parlamentare, gjatë takimeve të kaluara në kuadër të procesit të lehtësimit të diskutimeve, gjendjen në të cilën ndodhet vendi aktualisht dhe rrezikun nga kriza jo vetëm institucionale dhe politike, por mbi të gjitha buxhetore dhe financiare. Gjithashtu, Presidentja ka shfaqur shqetësimin e thellë, që për shkak të paaftësisë për ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme në vend, po lëkundet partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare”, thotë Arbër Vllahiu.

Kosovo Parlament
Fotografi: DW/B. Shehu

Frontet mes PDK-së dhe bllokut V-LAN të ngrira

Sidoqoftë, megjithë rrezikun që paralajmërojnë ekspertët se Kosova po zhytet thellë e më thellë në krizë financiare dhe buxhetore, të dy blloqet politike Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në njërën anë dhe koalicioni paszgjedhor, LDK, AAK, Nisma me mbështetjen edhe të Vetëvendosjes, (V-LAN), në anën tjetër, nuk lëkunden nga qëndrimet e tyre, për të drejtën e udhëheqjes së institucioneve të Kosovës.

Udhëheqësit e Partisë Demokratike të Kosovës, (PDK), që doli partia e parë në zgjedhje, vazhdojnë të këmbëngulin se zgjidhja duhet të gjendet mbi bazën e rezultatit të zgjedhjeve dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, propozimi i kandidatit për kryetar të kuvendit të Kosovës i përket grupit më të madh parlamentar, që në këtë rast nënkupton Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Nga ana tjetër, partitë politike në koalicionin paszgjedhor, (V-LAN), Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe Lëvizja Vetëvendosje, thonë se ata e kanë shumicën parlamentare dhe vet mund të udhëheqin institucionet duke përjashtuar mundësinë që të bëjnë marrëveshje me PDK-së.