1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nga vizita e kryeministrit Sali Berisha në Bruksel

22 Qershor 2006

Kryeministri Berisha deklaron para Parlamentit Europian në Bruksel se ai do të pranojë çdo sistem zgjedhor të propozuar nga opozita. Ai po ashtu hodhi poshtë rrezikun e fondamentalizmit islamik në Shqipëri duke u shprehur se islamizmi shqiptar është europian dhe se shqiptarët janë një popull shumëbesimesh dhe tepër tolerant në çështje të fesë.

https://p.dw.com/p/Ares
Parlamenti Europian
Parlamenti EuropianFotografi: dpa - Bildarchiv

Rreth një orë e gjysëm vazhdoi debati rreth Shqipërisë para Komisionit të Punëve të jashtme të Parlamentit Europian në Bruksel, në prani edhe të kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha.

Ratifikimi nga ana e Parlamentit Europian i marrëveshjes së sapo nënshkruar të asocim stabilitetit ishte edhe synimi i ftesës që Komisioni i Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian i kishte drejtuar kryeministrit shqiptar. Një ditë më parë ky Komision kishte diskutuar me tone të ashpra dhe shqetësim rreth situatës së përgjithshme në Shqipëri, tone dhe tendencë që dukej se do të përsëritej edhe sot.

Por kryeministri shqiptar dukej se kishte një tablo tjetër të gjendjes së përgjithshme në Shqipëri. Në 10 minutat e tij të fjalës hyrëse ai e përshkroi me nota optimizmi dhe shprese gjendjen atje, por duke u kujdesur të mos fshihte as të metat dhe pengesat. Me emfazë dhe pasion ai pasqyroi dëshirën e popullit shqiptar për t'iu bashkëngjitur familjes europiane, reformat e gjithanshme të ndërmarra këto 15 vjetët e fundit për të dalë nga sistemi diktatorial etj. Ai nënvizoi se periudha e tranzicionit ka përfunduar tashmë dhe reformat e ndërmarra kanë filluar të japin sukseset e para.

Po vazhdojmë të punojmë me ngulm për të plotësuar të gjitha kriteret e Kopenhagës për të krijuar një shoqëri demokratike, të mbështetur te tregu i lirë, prona private, ku mbrohen dhe respektohen të drejtat e njeriur, ndarja e pushteteve etj. - deklaroi Berisha. Ai u ndal po ashtu gjatë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të ndërmarra nga qeveria e tij, duke nënvizuar disa herë se Shqipëria është sot një vend i sigurtë dhe se rrugët e trafiqeve të paligjshme ndërkombëtare janë larguar nga Shqipëria.

Por Berisha nuk u mjaftua vetëm me rolin e avokatit të Shqipërisë, por ai qëndroi gjatë edhe në situatën në rajon, sidomos në Kosovë dhe rolin që mund e duhet të lozë Bashkimi Europian atje.

Pas fjalës së tij filluan pyetjet e europarlamentarëve të cilët duket se ishin të interesuar sa për situatën politike në Shqipëri, për raportet pozitë/opozitë, rendin dhe drejtësinë, luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit etj. etj. Anulimi i sistemit famëkeq zgjedhor të « Dushkut », të drejtat e pakicës greke, marrëdhëniet me kryepeshkopin Janullatos, rreziku i forcimit të ndjenjave islamike në Shqipëri, korrupsioni në rradhët e policisë vendase, deri edhe për marrëdhëniet shqiptaro amerikane - ishin çështjet që dukej se u interesonin më së shumti europarlamentarëve dhe të cilave kryeministri shqiptar ishte i detyruar tu përgjigjej.

Sali Berisha premtoi para Parlamentit Europian në Bruksel se nuk do të përsëritet më dukuria e « Dushkut » në Shqipëri dhe se ai është i gatshëm të pranojë atë sistem zgjedhor që propozon opozita. Pa mohuar dobësitë në sistemin e drejtësisë, apo korrupsionin e funksionarëve të rendit, Berisha e konsideroi policinë shqiptare si shumë profesionale dhe të aftë, që ka arritur rezultatet të shkëlqyera në luftën kundër krimit. Në këtë mënyrë ai hodhi poshtë propozimet e një dite më parë të disa europarlamentarëve që kishin bërë thirrje për dërgimin e forcave policore europiane për të ndihmuar policinë shqiptare.

Ai po ashtu hodhi poshtë hipotezën e një rreziku që i vjen Europës nga forcimi i tendencave islamike në Shqipëri duke theksuar se shqiptarët janë një popull me shumë besime dhe me një tolerancë të shquar ndërfetare. Islamizmi shqiptar është një islamizëm europian - deklaroi ai. Më pas ai u shpreh në favor të pavarësisëë së Kosovës, duke theksuar realizimet e gjithanshme të kryera atje që nga viti 1999. Falë Ibrahim Rugovës, kosovarët synojnë sot të bashkohen me Brukselin dhe jo me Tiranën, - nënvizoi ai duke kërkuar ruajtjen e tërësisë tokësore të Kosovës. Beogradi ka të drejtë të kujdeset për pakicën serbe në Kosovë, po ashtu siç duhet të kujdeset edhe për të drejtat e shqiptarëve në jug të Serbisë, që njihet si lugina e Preshevës - vuri në dukje kryeministri shqiptar.

Pas debateve në Parlamentin Europian, kryeministri shqiptar foli pasdite para senatit belg, ku u takua edhe me kryetaren e tij, An Mari Lizë.