1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nga varfëria janë të prekura më shumë gratë

Henriete Wrege 19 Janar 2009

Më parë kanë qenë të prekura gratë shtëpiake. Tanimë është rritur një gjeneratë që megjithëse punon, prapë është e rrezikuar nga varfëria në moshën e pensionit.

https://p.dw.com/p/Gc8L
Grua duke pastruar, Hanover
Grua duke pastruar, HanoverFotografi: AP

Kjo sepse shumë gra janë të punësuara në punët me orar të shkurtuar, apo në sektorin me rrogë të ulët, ku nuk mbahen kontributet e pensionit.

Dallime në lindje dhe perëndim të Gjermanisë

Shumë gra që do të përballen me varfërinë në pleqëri janë me shkollim të lartë. Situata paraqitet e njëjtjë, si në landet e reja gjermane, ashtu edhe në landet e tjera. Shumë gra nga Lindja, pak pas bashkimit të Gjermanisë humbën punën dhe kaluan në kategorinë e të papunëve të përhershëm. Ndërsa gratë në perëndim shpesh kanë hequr dorë nga profesioni për hir të fëmijëve dhe bashkëshortit. Po qe se një ditë ato divorcohen, dhe në moshë të thyer jetojnë vetëm, i pret i njëjti fat. Një pension që nuk ka për t'u mjaftuar për të jetuar.

Pensioniste duke punuar
Pensioniste duke punuarFotografi: Bilderbox


Sipas statistikave vetëm një burrë nga perëndimi, që sot është në mesin e të pesëdhjetave mund të presë një pension rreth 1600 euro në muaj. Të gjithë të tjerët, edhe burrat gjermanë nga Lindja, nuk do arrijnë të marrin një pension më shumë se 1000 euro në muaj. Jutta Allmendiger, presidente e Qendrës Ekonomike në Berlin. "E shihni që kemi një dallim jo aq të madh në të ardhurat nga pensionet për gratë nga Lindja dhe Perëndimi i Gjermanisë. Nga ana tjetër kemi një dallim shumë të madh në perëndim, dhe një dallim jo aq të madh në të ardhurat nga pensionet mes burrave dhe grave nga Lindja. Këto janë dallimet."

Gratë lindore që ishin të punësuara në mënyrë të rregullt në kohën e RDGJ-së, sot nuk kanë një pozicion më të mirë se sa gratë nga Republika e vjetër Federale, që rrallë mund të paraqesin një CV pune të pandërprerë. Kur të dalin në pension, ato do të vuajnë nga varfëria.

Si mund ta parandalojnë gratë një gjë të tillë?

Prof. Allmendiger përgjigjet: "Njëra strategji është padyshim të jesh vazhdimisht e punësuar. Strategjia tjetër është të kesh tetë fëmijë. Po qe se keni rritur tetë fëmijë, atëherë ju takon një pension i vogël, që nuk është shumë më i lartë se sa asistenca sociale. Ose - dhe kjo është rruga më e suksesshme sot - martohuni me një burrë të pasur, dhe tregoni kujdes që të mos e humbisni."


Pensioniste, Drezden 2005
Pensioniste, Drezden 2005Fotografi: AP

Vetëm po qe se gratë jetojnë më gjatë se bashkëshortët, atëherë ja kanë dalë mbanë financiarisht. Kjo është një çështje që vlen të përmendet. Pensionet e vejushave në Gjermani janë dukshëm më të larta se ato të grave që kanë qenë rregullisht të punësuara. Jutta Allmendiger i trembet asaj që në këto struktura mund të ngecin edhe femrat më të reja. Sepse po qe se kombinojnë punën me jetën si shtëpiake, atëherë ato kanë një biografi tjetër nga ajo e burrave.


Shtyllat në politikën e tregut të punës janë vendosur gabimisht

Kështu argumenton Hella Baumeister, studiuese e tregut të punës nga Universiteti i Bremenit. Futja e punëve me orar të shkurtuar dhe sektorit të rrogave të ulëta, kritikon ajo, të çojnë drejtpërdrejt në varfërinë e pleqërisë.


Kjo mbulohet edhe nga statistikat e zyrës federale të statistikave: "Ne kemi më shumë punëra me rroga të ulëta, në të cilat punojnë kryesisht gratë. Por kjo në diskutimin publik nuk përbën ndonjë temë. Kjo duket qartë në statistikat e Zyrës Federale të Statistikave. Mbi pasojat që do të ketë në pensione, situata aktuale në tregun e punës, nuk flet njeri. Nga politika thuhet, zgjerimi i punëve me orar të shkurtuar është fenomen pozitiv. Mirë, kemi shumë gra që shkojnë në punë, por në çfarë kushtesh punojnë ato. Sistemi ynë i sigurimit të pensioneve është i lidhur me sistemin e punësimit, dhe po qe se paguan pak, në fund do të të mbeten pak."


Mbi gjashtë milionë gra punojnë në sektorin e më rrogë të ulët, pavarësiht nga kualifikimi që kanë. Gati tre të katërtat e grave me shkollë të lartë punojnë në punëra të vogla, jo me orar të plotë, thotë Hella Baumeister. Ndërsa për gratë e pakualifikuara, kjo është mënyra e vetme e punësimit. Ndërsa një pjesë e grave nuk janë të prekura nga statistikat; këtu është fjala për gra jo me origjinë gjermane. Për to vlen- fitim i vogël - pension i ulët. Shifrat e sakta në këtë drejtim mungojnë, dihet vetëm se gratë dhe vajzat me prejardhje të huaj rrallë janë të punësuara.

(aca)