Nga Brukseli në Sofje: Komisionerja e BE-së Marija Gabriel
16 Maj 2023Pasionante dhe inteligjente, punon shumë, i studion dosjet me kujdes dhe është gjithmonë e përgatitur mirë. Kështu e përshkruajnë zyrtarët e Brukselit Marija Gabriel, e cila është ngarkuar të formojë një qeveri të re në Bullgari.
Ata mendojnë se komisionerja e BE-së është një zgjedhje e mirë për ta nxjerrë Bullgarinë nga ngërçi politik, në të cilin ka ngecur prej vitesh. Pas zgjedhjeve të parakohshme, në fillim të prillit 2023, ende nuk është bërë i mundur formimi i një qeverie të re. Tani shpëtimi pritet të vijë nga komisionerja e re. Ajo shihet me respekt në Bruksel, sepse punon shumë, por edhe sepse kërkon shumë prej stafit. Shumë njerëz besojnë se ajo do t’ia dalë që të formojë një qeveri të qëndrueshme.
"Ne e mirëpresim emërimin e Marija Gabrielit si kryeministre të Bullgarisë. Ajo ka përvojë dhe autoritet ndërkombëtar për të kapërcyer ngërçin politik në Sofje," shkroi në Twitter presidenti i Partive Popullore Europiane (EPP) Manfred Weber. Qarqet diplomatike në Bruksel thonë, se një ish-komisionere europiane dhe një europiane e vërtetë si kryeministre e Bullgarisë, do të ishte një mesazh shumë pozitiv për institucionet e BE-së.
Emëruar nga Boyko Borisov
Por emërimi i Gabrielit është lënë në hije nga personi që e propozoi atë në këtë post: Boyko Borisov, kryeministri i kahershëm, partia e të cilit GERB (Qytetarët për Zhvillimin Europian të Bullgarisë) i fitoi zgjedhjet e fundit të përgjithshme me një shumicë të ngushtë me koalicionin liberal të përbërë nga PP/DB (Ne vijojmë kthesën /Bullgaria Demokratike).
Sepse Borisov dhe shokët e tij të partisë akuzohen nga kundërshtarët e tyre politikë dhe nga shumë media ndërkombëtare për korrupsion dhe nepotizëm. Madje, një ministër Financash i emëruar nga ish-kryeministri është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Por edhe rreth Marija Gabriel janë hedhur dyshime për korrupsion: në vitin 2018 ajo u akuzua nga një organizatë joqeveritare se për një apartament komunal në Sofje ajo paguante një qira shumë më të ulët se tarifat e tregut. Megjithatë, autoriteti kundër korrupsionit e anuloi çështjen për shkak se ish-deputetja në atë kohë "nuk mbante asnjë funksion publik sipas kuptimit të ligjit". Gabriel u përfol edhe për një doktoraturë gjoja të blerë në Bordo të Francës.
Një europiane e vendosur
Gabriel, tani 43 vjeçe, u lind si Marija Nedeltscheva në Hajidimovo, një qytet i vogël në kufi me Greqinë. Studioi filologji bullgare dhe franceze në Plovdiv dhe më vonë kreu një master në shkenca politike në Bordo.
Në vitin 2009 ajo u bë anëtare e GERB-it në Parlamentin Europian. Në vitin 2012 u martua me kolegun e saj të PPE, François Gabriel, një bashkëpunëtor i eurodeputetit francez, Joseph Daul. Ajo është komisionere e BE-së që nga viti 2017, fillimisht për ekonominë dhe shoqërinë dixhitale dhe që nga viti 2019 për kërkimin, inovacionin dhe arsimin, kulturën dhe rininë. Që nga viti 2019 ajo është edhe zëvendëspresidente e Partisë Popullore Europiane (EPP).
Ajo bëri emër në Bruksel si një politikane e përkushtuar dhe ambicioze, por nga disa përshkruhet edhe si dikush që nuk mund të delegojë dhe dëshiron t’i mbajë të gjitha fijet në dorë. Në kontakt personal, ajo të lë pikërisht këtë përshtypje: buzëqesh miqësisht, por vështrimi i saj mbetet i ftohtë dhe mbetet dukshëm e përqendruar në agjendën e saj.
Emërimi i saj si kryetare e qeverisë u pranua në Bullgari edhe nga kundërshtarët politikë. Edhe ish-kryeministri bullgar, Kiril Petkov e lavdëroi atë pas bisedimeve të vështira për formimin e mundshëm të qeverisë në Sofje. Ajo iu përgjigj të gjitha pyetjeve, objektivisht dhe madje edhe me emocione.
Petkov, kundërshtar politik dhe kritik i ashpër i partisë GERB dhe liderit të saj Borisov, madje e mbrojti Gabrielin kundër dyshimeve dhe sulmeve: "Të gjithë e akuzojnë se nuk jeton në Bullgari që nga viti 2005 dhe për këtë arsye ajo nuk ka përvojë. Por ndoshta, pikërisht sepse ajo nuk ka jetuar në Bullgari, ka një lloj sjelljeje europiane”, thotë Petkov.
Një ndërtuese urash
Mirëpo, Marija Gabriel ka shkaktuar shumë indinjatë me një deklaratë të papritur politike. Pas nominimit, ajo mbështeti shprehimisht kërkesën e kundërshtarëve politikë të Borisovit për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm famëkeq Ivan Geshev. Kiril Petkov (PP) dhe aleati i tij Hristo Ivanov (DB) e akuzojnë prej kohësh Geshev për dobësimin e gjyqësorit bullgar dhe vonimin e hetimeve anti-korrupsion. Në këtë mënyrë, Marija Gabriel mund të bëhet një urë lidhëse midis fituesve të zgjedhjeve GERB dhe PP/DB, të cilët kanë qëndrime të kundërta për shumë çështje të politikës së brendshme.
Megjithatë, partitë kanë një program të përbashkët në politikën e jashtme: Ato janë të përkushtuara për partneritetin transatlantik dhe dënojnë ashpër luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Si një europiane e bindur, Gabrieli mund të shërbejë fare mirë si ndërlidhëse mes dy forcave politike. Dhe kjo është padyshim llogaria e Borisovit, sepse në të kundërt PP/DB nuk do të hynte në partneritet me GERB.