1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nga ajri, toka dhe deti: NATO përforcon trupat në Lindje

AG/Arapi16 Prill 2014

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen konfirmoi dërgimin e trupave të NATO-s në vendet lindore. Në lindje të Ukrainës situata përshkallëzohet.

https://p.dw.com/p/1Bjao
Fotografi: John Thys/AFP/Getty Images

Si pasojë e përshkallëzimit të situatës në Ukrainën lindore, NATO ka përforcuar trupat e saj në vendet anëtare në Lindje. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen është shprehur për dërgimin e trupave pas takimit të ambasadorëve të 28 vendeve anëtare, duke theksuar se trupat do të përforcohen nga toka, ajri dhe deti. Këshilli i NATO-s reagoi me këtë pas kërkesës që i erdhi Aleancës nga vendet balltike, Polonia, dhe Rumania.

Rusia, një ditë para konferencës së Gjenevës ka kërkuar një reformë të gjerë kushtetuese në Ukrainë. Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov tha në Vietnam se një kushtetutë e re duhet të garantojë dhe të mbrojë interesat dhe të drejtat e të gjithë ukrainasve. Pala ruse kërkon që kushtetuta e re të jetë temë e takimit të së enjtes në Gjenevë (17.04). Ndryshe kriza nuk mund të zgjidhet. Në një telefonatë të presidentit Putin me kancelaren Merkel, presidenti rus tha se Ukraina ndodhet në prag të luftës civile.

Ostukraine Krise Kramatorsk 16.04.2014
Kriza në KramatorskFotografi: Reuters

Shtohen tensionet

Ndërkohë para takimit të Gjenevës, ku pritet të takohen ministrat e Jashtëm të Ukrainës, Rusisë, SHBA-së dhe e ngarkuara e BE-së për politikën e Jashtme, Catherine Ashton, vazhdojnë të shtohen tensionet në Ukrainën lindore. Rreth 20 separatistë pro-rusë të armatosur kanë pushtuar ndërtesën e këshillit bashkiak të qytetit Donjeck, siç njoftoi një zëdhënëse e bashkisë. Ata kërkojnë referendum për krijimin e një federate ukrainase. Në qytetin Slovnjask gjashtë automjete të blinduara parakaluan me flamuj rusë para një holli të qytetit, i cili është zënë po ashtu nga separatistët prorusë. Njëri nga personat e veshur me uniformë tha se njësia e tij ka kaluar në anën ruse.

Të martën qeveria e Kievit dhe urdhër për nisjen e misionit antiterror kundër aktivistëve pro-rusë. Si pasojë ka pasur shkëmbime zjarri në qytetet Slovnjansk dhe Kramatorsk. Presidenti i përkohshëm ukrainas, Aleksander Turtçinov ka thënë se ushtria pas luftimeve e ka vënë nën kontroll pistën e aeroportit të Kramatorskut. Ndërkohë në disa qytete janë krijuar njësi qytetare properëndimore, që duan të mbështesin qeverinë në Kiev.