Netanjahu në SHBA: " Ne do të fitojmë"
25 Korrik 2024Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu tha gjatë fjalimit të tij përpara Kongresit amerikan se dëshiron t'i lirojë të gjithë pengjet që mbahen nga militantët islamikë Hamas. Netanyahu tha se vendi i tij do ta fitojë luftën dhe shtoi: "Amerika dhe Izraeli duhet të qëndrojnë së bashku."
Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu e hodhi poshtë me forcë përgjegjësinë për gjendjen e vështirë të njerëzve në Rripin e Gazës gjatë fjalimit të tij në Kongresin e SHBA. "Nëse ka palestinezë në Gaza të cilët nuk marrin ushqim të mjaftueshëm, kjo nuk është për shkak se Izraeli po i bllokon ata. Kjo është sepse po i vjedh Hamasi," tha Netanyahu.
Izraeli ka bërë shumë për t'i nxjerrë civilët palestinezë jashtë rrezikut dhe për t'i mbrojtur ata, tha Netanjahu. Nga ana tjetër, Hamasi militant islamik po bën gjithçka që është e mundur për të rrezikuar civilët.
SHBA, si aleati i saj më i rëndësishëm, i kërkon Izraelit të rrisë ndihmën humanitare në Gaza dhe të përmirësojë mbrojtjen e popullatës civile.
Relativizimi i numrit të viktimave
Netanyahu i hodhi poshtë akuzat se Izraeli godet qëllimisht civilët. "Ushtria izraelite ka hedhur miliona fletëpalosje, ka dërguar miliona mesazhe, ka zhvilluar qindra-mijëra biseda telefonike për të parandaluar dëmtimin e civilëve palestinezë”, tha kryeministri i Izraelit. Në të njëjtën kohë, Hamasi militant islamik "ka bërë gjithçka ka në fuqinë e tij për të vënë në rrezik civilët palestinezë."
Deklarata e tij bie ndesh me shifrat e Ministrisë së Shëndetësisë të kontrolluar nga Hamasi. Megjithatë në ato statisitka nuk bëhet dallim midis civilëve dhe luftëtarëve të vrarë.
Netanyahu bëri një lidhje mes 7 tetorit 2023 - ditës së sulmit të Hamasit ndaj Izraelit - dhe sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, si dhe 7 dhjetorit 1941, kur avionët luftarakë japonezë sulmuan Pearl Harbor në SHBA.