Neonazistë edhe në perëndim të Gjermanisë
23 Prill 2012Pamje nga rajoni Nyrnberg, në veri të landit federal të Bavarisë. Një grup kurdësh të rinj kërcënohet: "zhdukuni, turq të fëlliqur", thërrasin radikalët e djathtë. Kur kurdët nuk reagojnë, disa neonazistë i sulmojnë dhe i rrahin në mënyrë brutale. Një nga viktimat bie në koma dhe mezi arrin të mbijetojë, i plagosur rëndë.
Një grup që përkujton viktimat e dhunës ekstremiste të djathtë. "Kurrë më fashizëm" shkruhet në pankartat e të rinjve. Papritur ata i sulmojnë njerëz me maska dhe i godasin me fishekzjarre të ndezura. Pastaj muret e ndërtesës, ku ndodhet qendra e rinisë i zhgarravitin me kryqe të thyer, simbole naziste.
Përherë e më radikalë - përherë e më publikë
Lista e veprave ekstremiste të djathta mund të zgjatet pa fund. Vetëm në muajt nëntor 2011 deri prill 2012, Herbert Fuehr, redaktor i Nürnberger Nachrichten, regjistron në qytet 50 raste të sulmeve kundër personave, dëmtime banesash dhe kërcënime personale. Për shkak të raportimit të tij kritik për terrorin e forcave ekstremiste të djathta, gazetari e gjen fotografinë e tij të ekspozuar në faqet e internetit të neonazistëve. Shoqëruar nga komenti: "një zjarrvënës shpirtëror". Fuehr shpreson tani që dorasit të mos publikojnë edhe adresën e tij private. Kjo u ka ndodhur kolegëve të tjerë të tij. Me të gjitha pasojat.
Kjo që ndodh në Bavari, ndodh në disa rajone të Gjermanisë. "Puna bëhet gjithnjë e më keq, më brutale dhe gjërat bëhen gjithnjë e më shumë fshehtas," raporton Michael Helmbrecht nga Aleanca kundër së Djathtës.
Shumë nga dorasit as nuk fshihen më. Kështu, Michael Helmbrechtin dhe familjen e tij i rrethuan për tri ditë me radhë 250 neonazistë. Ata kishin marrë me qira një livadh pranë shtëpisë së tij dhe ulërinin atje parulla të qarta. Familja Helmbrecht mori mbrojtje policore dhe shokë të familjes shkuan në shtëpinë e Helmbrechtit, për të treguar solidaritet.
Në Gjermaninë perëndimore radikalizmi i djathtë po merr forma të praktikuara në Gjermaninë lindore. "Migrantët dhe njerëzit që angazhohen kundër ekstremizmit të djathtë spiunohen dhe vihen nën presion", thotë Günther Pierzig, banor i Fürthit.
Hutim tek institucionet, sukses te inisiativat private
Dorasit gjenden rrallë. Shumë qytetarë thonë se nuk kanë parë e dëgjuar gjë kur vjen puna tek sulmet e radikalëve të djathtë. Deviza është: më mirë të mos përzihesh, që të mos kërcënohesh edhe vetë. Natyrisht që me gjithë këtë, policia punon edhe më tej për sqarimin e akteve. Por qytetarët ndihen sërish të lënë në baltë nga shteti.
Inisiativa private të njerëzve megjithatë japin shpresë. Kështu pjesëmarrës të një inisiative ngjitin në dyert e pijetoreve dhe të restoranteve të Regensburgut, në jug të Gjermanisë etiketa kundër ekstremistëve të djathtë. Në një nga këto etiketa shkruhet qartë: "Racistëve këtu nuk u shërbehet". Me të vërtetë, të gjithë pronarët e lokaleve i janë përmbajtur deri tani kësaj inisiative, nuk i lejojnë më neonazistët të zënë vend në lokalet e tyre dhe para së gjithash, nuk vënë më në dispozicion ambjentet për mbledhjet e neonazistëve.
Autor: Wolfgang Dick/ Auron Dodi
Redaktoi: Bahri Cani