1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Negociatat: Vetëm deklaratë jo datë e caktuar

18 Qershor 2019

Ministrat e Jashtëm të BE pritet të nxjerrin vetëm një deklaratë për rëndësinë strategjike të Ballkanit për Evropën e nuk do të japin një datë përfundimtare për çeljen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

https://p.dw.com/p/3Kcjf
Belgien Brüssel Hauptquartier der EU Kommission
Fotografi: picture-alliance/NurPhoto/M. Spatari

Në mbledhjen e sotme (18.06) të ministrave të vendeve anëtare të BE-së për Punët e Jashtme dhe të Evropës nuk duket se do të merret ndonjë vendim përfundimtar për çeljen e negociatave me Shqipërinë apo Maqedoninë e Veriut, por do të lëshohet një deklaratë apo vendim paraprak që do të tregojë rëndësinë strategjike të Ballkanit për Evropën. Franca, Holanda dhe Danimarka kanë shprehur rezerva, shkruan dpa, por një ndër arsyet e mosmarrjes së vendimit është edhe mungesa e vendimit të Bundestagut gjerman.

Gjermania e merr vendimin në shtator apo tetor

Ministri gjerman i shtetit për Evropën Michael Roth, para takimit tha: "Para një viti u kemi dhënë detyrat e shtëpisë dy vendeve dhe ata i kanë përmbushur. Veç kësaj Maqedonia e Veriut ka arritur të zgjidhë një konflikt 30 vjeçar me Marrëveshjen e Prespës”. "Dhe kjo është e pashembullt dhe duhet shpërblyer”, ka shtuar ai. Roth shtoi se për arsye kohe Gjermania do ta marrë vendimin në shtator ose tetor.  

Luxemburg Treffen der Europaminister | Michael Roth, Staatsminister Auswärtiges Amt
Michael RothFotografi: picture-alliance/Zuma Press/W. Dabkowski

Ndërsa ministri austriak për Evropën, Alexander Schalenberg tha, se "do të ishte një sinjal shumë i keq, nëse do t'u kthenim shpinën këtyre dy vendeve. Nuk ka rëndësi data e çeljes së negociatave, rëndësi ka që të ndodhë sa më shpejt dhe sot të arrijmë një vendim paraprak”. 

Komentet e ministrit austriak i ka mbështetur edhe deklarata e ministrit të Jashtëm të Italisë, Enzo Moavera, i cili tha se do të merret një vendim paraprak mbi bazën e asaj që është arritur deri tani dhe do të pritet vendimi i Buddestagut pas përfundimit të verës.

George Ciamba, ministri rumun për Evropën, të cilët janë edhe organizatorë të takimit pasi Rumania mban presidencën e radhës në BE sqaroi, se deklarata rreth raporteve të progresit do të jetë: "E angazhuar, konstruktive dhe do të përmbajë balancën dhe rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor për Evropën”.