1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Negociatat për lirimin e pengjeve në Afganistan vazhdojnë

Christoph Heinzle28 Korrik 2007

Ministria e jashtme gjermane vazhdon përpjekjet intensive për lirimin e inxhinierit gjerman. Kabuli nuk përjashton ndërhyrjen ushtarake për lirimin e pengjeve.

https://p.dw.com/p/BN8O
Koreanojugorët kërkojnë lirimin e pengjeveFotografi: AP


Përpjekjet intensive për lirimin e inxhinierit gjerman vazhdojnë edhe në ditën e 12 të rrëmbimit të gjermanit. Vëzhgues në Kabul kanë shpresë për përparime. Bisedimet me pengmarrësit në provincën juglindore të Afganistanit, Ghasni gjatë gjithë javës që po përfundon janë zhvilluar ngadalë. Kjo për shkak të distancës së madhe dhe futjes në lojë të disa ndërmjetësuesve. Me sa duket ka lindur një fije shprese, megjithëse nuk bëhet fjalë për një sukses të menjëhershëm.

Këtë e konfirmoi edhe zëdhënësi i ministrisë së brendshme afgane, Samarai Bashary në Kabul:

"Përpjekjet për lirimin e gjermanit vazhdojnë. Është e vështirë të thuhet se kur mund të kemi një rezultat, sot, nesër apo pasnesër. Këtë nuk mund ta themi më parë. Por sipas informacioneve tona gjermani ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore."

Pengu gjerman duket se mbahet në lartësitë 3000 metra të maleve të pakalueshme të Ghasnit. Rrëmbyesit janë pashtunë lokalë dhe pas rrëmbimit fshihen motive kriminele. Ata nuk bëjnë pjesë në rrethin e ngushtë të talebanëve dhe ende nuk dihen kërkesat e tyre konkrete.

Edhe në rastin e 22 koreanëve të rrëmbyer nga talebanët vazhdojnë përpjekjet për lirimin e tyre në Ghasni. Madje edhe një ish- komandant taleban, aktualisht deputet në parlamentin afgan është përfshirë në ndërmjetësim. Zëdhënësi i ministrisë së brendshme, Bashary:

"Ne kemi ngritur në provincën Ghasni një grup pune. Aty janë të përfaqësuar policia afgane, kryeplaku i fisit dhe zyrtarë nga provinca. Ata po punojnë në drejtime të ndryshme për këtë rast."

Por si edhe më parë ka patur tone të ashpra mes qeverisë afgane dje zëdhënësit të talebanëve. Zëvendësministri i brendshëm, Mangal u shpreh se synohet lirimi paqësor i koreanëve, përdorimi i ndërhyrjes ushatarake do të jetë mjeti i fundit. Nga ana e tij, zëdhënësi i talebanëve Ahmadi kërcënoi me vrasjen e të gjithë pengjeve.
Ende e paqartë mbetet se çfarë dëshirojnë talebanët për 22 koreanët pasi ata janë të ndarë në tre grupe. Flitet se pengmarrësit duan para por edhe lirimin e talebanëve të burgosur, gjë që aktualisht kundërshtohet nga qeveria afgane.