Parlamenti slloven miraton mocionin e mosbesimit ndaj kryeministrit Jansha
28 Shkurt 2013Pas akuzave për korrupsion, parlamenti i Sllovenisë i hoqi votëbesimin qeverisë konservatore të kryeministrit Janez Jansha. Mbrëmë ( 27.02.2013) shumica e deputetëve votuan pro një mocioni mosbesimi të paraqitur nga partia më e madhe opozitare Sllovenia Pozitive (PS) dhe në të njëjtën kohë zgjodhën kryetaren e tyre, Alenka Bratushek si kryeministre të re të vendit. 55 prej 89 deputetëve të pranishëm e mbështetën mocionin e mosbesimit, 33 votuan kundër.
Tani Bratushek ka një afat 15-ditor për t'i propozuar parlamentit slloven përbërjen e qeverisë së saj. Pastaj parlamenti do të duhet të votojë sërish për përbërjen e kabinetit të ri qeveritar dhe për aq kohë sa ai mos të marrë besimin e parlamentit punët e qeverisë do të vazhdojë t'i kryejë me një mandat teknik qeveria e kryeministrit Janez Jansha.
Qeveri e pakicës
Shumica e e partnerëve të qeverisë së Janshës janë tërhequr nga koalicioni në dy muajt e fundit, gjë që ka prishur ekujlibrin e mazhorancës duke e kthyer atë në qeveri të pakicës. Kriza qeveritare dhe shpërbërja e koalicionit filloi pas publikimit të raportit të komisionit antikorrupsin në fillim të janarit. Sipas këtij raporti, Jansha nuk ka deklaruar së paku 210 mijë euro, të cilat i ka siguruar në forma të dyshimta gjatë kohës që ka qenë zyrtar i lartë shtetëror. Skandali i korrupsionit nxiti kërkesat për dorëheqje, të cilat Jansha i refuzoi duke deklaruar se kjo bëhet për ta diskretituar atë politikisht dhe se akuzat janë të pabaza.
Jetëgjatësia e qeverisë Bartushek
Alenka Bratushek para Parlamentit prezantoi të mërkurën pasdite (27.02.2013) shkurtimisht programin e saj qeverisës. Ajo tha se do të përpiqet të formojë një qeveri të përbërë nga politikanë dhe ekspertë, e cila do të kishte një mandat të kufizuar prej një viti. Pas një viti do të kërkohej sërish një mocion besimi i parlamentit dhe në rast se ajo nuk do ta fitonte atë do të shpallen zgjedhjet e parakohshme.