Ndërrim kurore në Holandë
30 Prill 2013Pas 30 vitesh në fronin mbretëror, Mbretëresha Beatrix dorëzoi të Martën kurorën mbretërore, duke ia lenë vendin, brezit të ri, princit trashëgimtar, djalit të saj, Willem-Alexander. Deklaratën e dorëzimit të kurorës, Beatrix e bëri në Janar të këtij viti në një fjalim televiziv, pak para 75 vjetorit të saj. "Nuk jap dorëheqjen, sepse më është rënduar kurora, por nga bindja që ta kaloj përgjegjësinë për vendin tonë në duart e brezit të ri", deklaroi Beatrix me shumë kthjelltësi. "Me besimin më të madh më 30 Prill e dorëzoj regjencën tek djali im, princi i Oranjes." Për shumë holandezë dhe mbështetës të mbretërisë, heqja dorë nga kurora nuk erdhi papritur. Edhe gjyshja dhe nëna e mbretëreshës holandeze e kanë dorëzuar kurorën për t'i lënë vendin gjeneratës së re.
Pleqtë e familjeve mbretërore në Europë ende mbajnë kurorën
Monarkët ende qeverisin në familjet mbretërore në Europë megjithëse e kanë kaluar moshën e pensionit, e pas disa vitesh ndërrimi i kurorës do të bëhet thjesht për arsye biologjike. Mbretëresha Elisabeth II sapo i mbushi 87 vjetët. I biri, Charles që pret prej kohësh kurorën është 64 vjeç dhe për pak muaj bëhet gjysh. Ndërsa mbretëresha e Danimarkës, Margrethe II është 73 vjeç, një duhanpirëse e famshme, princi i kurorës, Frederik është 44 vjeç. Në Norvegji mbreti Harald ka kapur 76 vitet, ndërsa princi trashëgimtar Haakon është 40 vjeç. Në Suedi, mbreti Carl XVI Gustaf i njohur për aferat me femra është relativisht i ri, 68 vjeç. Vajza e tij, Viktoria, 35 vjeç është shumë e dashur në popull dhe do të pranohej menjëherë si mbretëreshë. Edhe në Belgjikë, mban kurorën një 80 vjeçar, Alberti II. Djali i tij, Phillip me 53 vitet e tij është në moshën më të mirë për t'u ngjitur në fron, ndërkohë ai ka marrë përsipër shumë detyra të të atit. Ndërsa në Spanjë, mbreti Juan Carlos mban një kurorë që i rëndon aktualisht. Pas aferave jashtëmartesore të bëra publike dhe trysnisë për shkak të akuzave të përfshirjes në korrupsion, Juan Carlos është bërë hija e vetvetes. Princi Felipe, 45 vjeç mund të qeveriste, por "mbreti nuk do të dorëhiqet asnjëherë" ka bërë të ditur, mbretëresha, Sofia.
"Princët trashëgimtarë nuk janë të papunë"
Historiania dhe ekspertja e familjeve fisnike europiane, Monika Wienfort nga Universiteti Braunschweig nuk është e mendimit se në vendet me mbretëri populli do t'i heqë qafe sa më shpejt monarkët e vjetër. "Nuk e kam këtë përshtypje, që publiku në këto vende do t'i shohë më shumë dhe më shpesh monarkët e rinj. Mendoj se përmes kalimit të shumë detyrave që lidhen me provincat, monarkët e rinj në Holandë, Belgjikë, Spanjë dhe Britaninë e Madhe kanë shumë për të bërë." Kështu ata piqen përmes përgjegjësive që marrin dhe nuk janë të papunë dhe pa angazhim. "Këhstu kjo e zgjidh disi problemin e mosimpenjimit strukturor të princëve trashëgimtarë dhe bashkëshorteve të tyre."
Dorëzim i vullnetshëm i kurorës me pak gjasa
Që monarkë të tjerë të dorëzojnë kurorën si në Holandë nuk përjashtohet. Nga ana juridike çdo mbret ka të drejtën të japë dorëheqjen. Kur vetë Papa dha dorëheqjen, munden edhe mbretërit të bëjnë të njëjtin hap, mendon historiani dhe studiuesi i monarkive, Rolf-Ulrich Kunze. E mundshme, por pa shumë gjasa! "Është shumë e vështirë të gjykohet, sepse gjithmonë vendime të tilla varen nga konstelacionet personale, nga situata familjare në familjet mbretërore, që vetëm pjesërisht mund të lidhet proceset strukturore si çështjet kushtetuese." Holanda, sipas historianit Kunze, nuk merret dot si model për familjen mbretërore britanike. Ndërkohë që holandezët e shohin mbretin si kreun funksional me rol politik, në Britaninë e Madhe mbretëresha është më shumë një figurë simbolike për identitetin kombëtar. "Janë dy raste tërësisht të ndryshme. Të dyja familjet mbretërore përmes funksionit që përmbushin në vendet e tyre janë larguar prej kohësh nga njëra-tjetra."
Monarkitë parlamentare në shtatë vende europiane, sipas historianes, Monika Wienfort janë mjaft të sigurta. "Mendoj se shumë qytetarë të shteteve me rend monarkie i gëzohen monarkisë. Në Holandë ka gëzim për ndryshimin e fronit mbretëror, si për një festë të madhe popullore." Në asnjë vend nuk ka përpjekje vërtet serioze për të shfuqizuar monarkitë.
Mbreti i ri i Holandës, Willem-Alexander
Familja mbretërore holandeze është në thelb një familje gjermane. Rolf-Ulrich Kunze shprehet se lidhja nuk ka si të jetë më e fortë se kaq. "Ne e dëgjojmë këtë gjithmonë kur këndohet himni kombëtar holandez." 'Kënga e Willhelmit', ku thuhet,"Willhelmi jam unë, me gjak gjerman." Themeluesi i dinastisë von Oranien-Nassau ishte me origjinë nga Dillenburgu, landi i Hesenit në Gjermani. Fisniku Nassau trashëgoi principatën e vogël franceze, "Orange" dhe nisi kështu karrierën e aristokracisë. "Lidhjet me Gjermaninë janë shumë të forta. Përmes martesave ato janë forcuar më shumë." Tre bashkëshortët e mbretëreshave kanë qenë të gjithë gjermanë. Këtë traditë e theu mbreti i ri Willem Alexander. Bashkëshortja e tij, Maxima është nga Argjentina.
Autor: Bermd Riegert/Lindita Arapi
Redaktoi:Mimoza Kelmendi