Ndërgjegjësim në Shqipëri në ditën kundër AIDS-it
1 Dhjetor 2009Luti, një 26 vjeçar nga rrethinat e Tiranës, është i infektuar nga HIV/AIDS. Më shumë se 2 vjet më parë ai iu nënshtrua analizave në spitalin infektiv në kryeqytet dhe mësoi sëmundjen. Shkaku ishte nga marrja intravenoze, ose me shiringë , e lëndëve narkotike. Atij i duket si një brengë e pashlyeshme fakti se gjithçka nisi si një lojë, si një eksperiment mes shokësh. Që papritur i dha goditje shëndetit e jetës së tij.
“Thjesht e kam nisur duke pirë hashash, pastaj duke provuar një cigare nga një person tjetër. Kështu e provova njëherë. Po dihet që është shumë gjë e keqe. E provove një herë dihet që është shumë e vështirë me e lënë. Të kesh problem me policinë me shoqërinë, me gjithçka. Dhe me anën ekonomike, mund të vjedhësh e të bësh gjera të tilla…”
Shiringat e drogës i transmetuan AIDS-in
Pas varësisë së drogës në mes të 2007-s kaloi, si e quan ai “një ferr të vërtetë, kur doktorët më thanë se isha me HIV pozitiv. Shkaku i transmetimit ishte nga shiringat për marrjen e drogës”. Nuk ka dëshirë të vazhdojë t'i kthehet atij momenti fatal, të tregojë për ditët e para pas kësaj.
“Që nga ajo kohë më shumë flas me veten se sa me të tjerët. Për ata të shtëpisë jam si i huaj, kurse shoqërinë thuajse e kam humbur fare”, thotë 26 vjeçari për DW.
Të vetmit që kontakton rregulllisht janë mjekët dhe infermierët. Ata thotë se trajtojnë mirë dhe ilaçet i merr falas, por nuk e fsheh synimin që të emigrojë diku jashtë vendit.
“Këtu në Shqipëri po të jesh me AIDS je si i braktisur nga të gjithë. Kurse në shtete të tjera kam dëgjuar se të trajtojmë më mirë…”
Çdo instrument që gjakos lëkurën mund të infektojë personin
Rasti i Lutit, ku infektimi me HIV/AIDS është bërë nga marrja intravenoze ose me shiringë e lëndëve narkotike nuk është i vetmi në Shqipëri. Kryetari i shoqatës “Stop AIDS!”, dr. Memo Boçi duke bërë një bilanc të rrugëve të transmetimit të infeksionit, rendit si më të mundshme rrugën seksuale, pastaj kalimin nga nëna tek fëmija, apo nëpërmjet gjakut e përdorimit të shiringave nga përdoruesit e drogës.
“Çdo lloj instrumenti, prerës e shpues që e prish tërësinë e lëkurës dhe e gjakos atë është potencialisht i mundur të infektojë personin... në rast se ky instrument nuk është i dezinfenktuar apo i sterilizuar”.
Me 359 raste, Shqipëria hyn në rradhën e vendeve me përqindje të ulët të të infektuarve HIV pozitiv. Por po të shikosh dinamikën e shifrave zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik në Tiranë, nga viti 1993 e deri më sot vihet re një tendencë në rritje e të prekurve nga viti në vit. Vetëm gjatë 2009-s janë evidentuar 55 raste të reja, 39 meshkuj dhe 16 femra. Ekspertët e shëndetit shikojnë dhe përtej shifrave që shpallen. Sepse mendohet që ka raste që mbeten të padiagnostikuara. Kjo për vetë nivelin e limituar të zhvillimit dhe modernizmit të infrastrukturës shëndetësore në Shqipëri. Por dhe nga mungesa e gatishmërisë së popullatës për të realizuar testime vullnetare.
Për Genc Muçollarin, drejtues i shoqatës “Aksion Plus” ka një rëndësi të dorës së parë sensiblizimi i popullatës për parandalimin e përhapjes së sëmundjes. Një nga fokuset e aktivistëve të shoqatës së tij është dhe organizimi i fushatave ndërgjegjësuese në radhët e të rinjve në sistemin parauniversitar dhe atë universitar. Ai thotë për DW se me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë, të UNICEF-it e apo donatorëve të ndryshëm kanë hapur qendra në Tiranë, Durrës e Korçë.
“Mbështetja nga qeveria shqiptare nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë është bërë nga “Fondi Global Kundër HIV/AIDS”. Me këtë fond ne kemi hapur këto qendra, por shpresojmë që të hapim dhe të tjera. Sepse dihet që kjo mënyrë funksionon shumë mirë në parandalimin e HIV/AIDS-it, parandalon dhe fenomene të tjera sociale në komunitet”.
Muçollari shikon si të domosdoshëm socializimin e personave të prekur nga kjo sëmundje.
“Duke bërë trajtimin psikologjik të tyre e duke aplikuar programe për integrimin e tyre në shoqëri. Ata kanë të drejtë si të gjithë të tjerët, të shkollohen, të punojnë, të bëjnë një jetë normale mes nesh”.
Sot në ditën botërore të luftës kundër HIV/AIDS në Tiranë dhe qytete të tjera janë programuar të zhvillohen shumë veprimtari me karakter informativ e ndërgjegjësues, sidomos në radhët e të rinjve.
Autor: Arben Muka/ Tiranë
Redaktoi: Auron Dodi