Ndryshim qëndrimi në vendet baltike pas shokut të Ukrainës
16 Maj 2015Frika e madhe fare ka ikur. Në parqet e kryeqytetit të Letonisë, Riga, njerëzit shijojnë rrezet e para të ngrohta të diellit. "Për ndonjë invazion nga Rusia nuk kam më frikë, por një ndjenjë jo e mirë mbetet", thotë studentja Signe Irbe. Pas aneksimit të Krimesë frika ishte shumë e madhe.
Paralelet midis vendeve baltike dhe Ukrainës nuk kanë nevojë të kërkohen gjatë: ashtu si në Ukrainë, edhe në shtetet baltike jetojnë shumë njerëz me rrënjë ruse, të cilët kujtojnë pjesërisht me ndjenja nostalgjike kohët e komunizmit sovjetik. Dhe pastaj ngacmimet e vazhdueshme të Moskës që prej fillimit të krizës së Ukrainës: herë pas herë, avionë luftarakë rusë depërtojnë në hapësirën ajrore baltike. Më tej, në të gjitha kanalet televizive që mund të kapen edhe në shtetet baltike buçet propagandë kundër qeverisë ukrainase, kundër NATO-s dhe gjithë "dekadencës perëndimore".
Luftë mediatike me Rusinë
Politikanë letonezë ndërkohë flasin hapur për një luftë mediatike. Ata paralajmërojnë që programet ruse ushtrojnë ndikim negativ në shoqëri. Në popullatën rusishtfolëse ato shkaktojnë debate të ashpra, frikë dhe pasiguri. Kur flitet për Letoninë në televizionin rus, flitet shumicën e herëve negativisht. Kërcënon të paktën një shoqëri paralele mediatike, sepse në Letoni, 35 përqind e qytetarëve janë rusishtfolës, në Estoni 27 përqind dhe në Lituani gjashtë përqind.
Shtetet baltike duan të përgjigjen tani me kanale të tyret në gjuhën ruse: jo thjesht propagandë, por transmetime në traditën e medieve publike. Informacione objektive, por para së gjithash zbavitje në gjuhën ruse. BE do të japë ndihmën e tij, edhe Deutsche Welle. Për detajet e bashkëpunimit do të zhvillohen negociata brenda muajit maj.
Programi televiziv si nxitës i identitetit
Estonia ka avancuar më shumë. Darja Saar është zgjedhur kryeredaktore e kanalit në gjuhën ruse të televizionit publik ERR, i cili do të transmetojë që prej 28 shtatorit 24 orë në ditë. Gruaja e re dhe energjike është me origjinë nga Kazakistani. Ajo ka qenë valltare dhe sipërmarrëse. Ajo do të drejtojë një ekip me 20 redaktorë. "Në radhë të parë ne nuk nisemi të luftojmë kundër propagandës së Putinit. Këtë zor se do ta arrijmë", pranon ajo. Objektivi është nxitja e identitetit dhe integrimi më i mirë i njerëzve rusishtfolës. Gjendjen e tyre shpirtërore Saar e kupton mirë, sepse gjuha e saj amëtare është rusishtja.
Në Narva, për shembull, në lindje të Estonisë, direkt në kufi me Rusinë, më shumë se 90 përqind e banorëve flasin rusisht. Ata e ndiejnë veten të harruar larg nga kryeqyteti Tallinn dhe shikojnë televizionin rus. "Pikërisht këta njerëz duam të arrijmë", shpjegon Saar. Planet për këtë ka kohë që kanë qenë nëpër sirtare. Por gjithmonë kanë munguar paratë dhe me siguri edhe vullneti politik. Tani Estonia e rizbulon minoritetin e saj rusishtfolës.
Buxhetet ushtarake shtohen
Shtetet baltike të NATO-s nuk kanë flotë ajrore të fuqishme. Prandaj hapësira ajrore e tyre mbrohet nga avionë të NATO-s.
Në të gjitha shtetet baltike, buxheti i mbrojtjes megjithatë është shtuar. Instituti i Kërkimeve të Paqes në Stokholm, Sipri thotë se Estonia do të shpenzojë 7,3 përqind më shumë për armatimin, Letonia 15 përqind dhe Lituania madje 50 përqind. Si shumë e gjitha megjithatë nuk i kalon dy miliardë eurot. Dhe po t'i mbledhësh bashkë të gjithë ushtarët e shteteve baltike, së bashku ata bëhen vetëm rreth 15.000 vetë. NATO po ndërton një trupë të ndërhyrjes së shpejtë. Armë jo vetëm premtohen, por edhe dërgohen. Për shkak të krizës së Ukrainës, kufiri lindor i NATO-s papritur zhvendoset në qendër. Amerikanët i kanë dhënë një emër angazhimit: "Persistent Presence" - prani e përhershme. Në sajë të Putinit.