Ndryshim në komandë në Afganistan
19 Korrik 2011Komandanti në largim i forcave ndërkombëtare në Afganistan, gjenerali amerikan David Petraeus, u lirua të hënën (18.07.) zyrtarisht nga funksioni i tij dhe ia dorëzoi komandën pasardhësit të tij. Në një ceremoni të zhvilluar në Kabul, gjenerali amerikan me katër yje John R. Allen u prezantua si komandant i ri i përgjithshëm i më shumë se 140.000 ushtarëve të NATO-s në Hindukush.
John Allen komandanti i ri tha në ceremoninë e dorëzimit të komandës në Kabul se ishte i sigurt se misioni ne Afganistan do të vazhdojë të jetë i vështirë. Disa orë më parë ceremonisë, tre ushtarë të NATO-s ishin vrarë gjatë një sulmi në lindje të vendit. Po ashtu në jug ranë pre e një kurthi shefi i policisë rajonale dhe shoferi i tij.
"Unë nuk kam iluzione për sfidat që ne kemi përpara", tha Allen, duke shtuar se: "Qëllimi im është të ruaj vrullin e kësaj fushate, kësaj fushate të madhe të cilën e kemi nisur. Unë do të vazhdoj të mbështes në çdo mënyrë të mundshme, rekrutimin, trajnimin, përgatitjen dhe pajisjen në terren si dhe punësimin e forcave afgane të sigurimit kombëtar. Këta janë afganë të mirë, të guximshëm dhe patriotë dhe ne do të kërkojmë çdo mundësi për t'i çuar më tej efektet e partneritetit tonë dhe mentorshipin deri sa ANSF-ja të marrë përsipër vendin e saj të drejtë dhe të duhur si mbrojtëse e këtij vendi." - tha duke marrë detyrën gjenerali amerikan me katër yje John R. Allen.
Në Afganistan ka filluar ndërkohë edhe dorëzimi i përgjegjësive prej ISAF-it tek trupat vendase. Në provincën e Bamianit përgjegjësia për sigurinë dhe rendin kaloi në duart e policisë dhe të ushtrisë afgane. Deri tani aty qenë të stacionuara njësi të vogla ushtarake nga SHBA, Zelanda e Re dhe Singapori. Bamiani është provinca e parë nga 7, në të cilat trupat ndërkombëtare do të dorëzojnë këtë muaj përgjegjësitë tek afganët.
Autor: Waslat Hasrat-Nazimi / Pandeli Pani
Redaktoi: Esat Ahmeti