Ndotja e ajrit shkakton vdekje të parakohshme
4 Dhjetor 2015Ndotja e ajrit përbën sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA) "rrezikun më të madh shëndetësor të varur prej mjedisit në Evropë". Ndotja e ajrit u shkurton jetën njerëzve. Përveç kësaj, ajo favorizon sëmundje të rënda si sëmundje të zemrës, të rrugëve të frymëmarrjes dhe kancerin.
Në një raport të ri të publikuar për Konferencën e Klimës në Paris nga EEA në Kopenhagë, vlerësohet se 430,000 vdekje të parakohshme në vit në Evropë lidhen me ndotjen e ajrit.
"Ndotja e ajrit vazhdon të dëmtojë shëndetin e përgjithshëm të evropianëve dhe ul cilësinë e jetës dhe jetëgjatësinë", thotë drejtori ekzekutiv i EEA-s Hans Bruyninckx." Kjo ka gjithashtu ndikim të konsiderueshëm për rritjen e kostove për kujdesin mjekësor dhe për shkak të mungesave në punë për arsye shëndetësore redukton edhe produktivitetin e të gjithë ekonomisë."
Të prekur sidomos banorët e qyteteve
Siç del nga raporti, shumica e banorëve të qyteteve evropiane janë të ekspozuar ndaj ndotësve të ajrit në një nivel që nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) konsiderohet i rrezikshëm. Ndër ndotësit më problematike që ndikojnë në shëndetin e njeriut janë pluhuri i imët, dioksidi i azotit (NO2) dhe ozoni troposferik (O3). Këto lëndë janë të dëmshme edhe për bimët.
Burimi kryesor i sëmundjeve dhe i vdekjeve të parakohëshme në Evropë është pluhuri i imët, që ka një diametër prej 2,4 mikrometër dhe hyn ërmes hundës në gjak dhe në mushkri. Ky lloj pluhuri shkaktohet prej motorëve me naftë dhe prej fërkimit të frenave, të gomave të makinave dhe të asfaltit. Po ashtu edhe prej termocentralëve me qymyr, sobave dhe prej qarkullimit të anijeve dhe të avionve. Prej tij sipas ekspertëve kanë gjetur vdekjen e parakohëshme në Evropë rreth 432.000 vetë në vitin 2012.
Automjetet përgjegjëse për dioksidin e azotit dhe ozonin në qytete
Shumë të larta janë edhe vlerat e dioksidit të azotit (NO2) dhe ozonit në qytete. Ato shkaktojnë dhimbje koke, marrje fryme, marrje mendsh dhe impotencë.
98 për qind e popullsisë urbane në vendet e BE-së ka qenë e ekspozuar në vitin 2013 ndaj përqendrimeve të ozonit "që janë mbi rekomandimet e OBSH-së" thuhet në raportit. Përveç kësaj edhe përqendrimi i dioksidit të azotit ishte mbi vlerat që rekomandon OBSH-ja dhe kërkesat e BE-së.
Ekspertët rekomandojnë që të respektohen normat e cilësisë së ajrit që rekomandon OBSH-ja.