Ndihmë nisjeje për të huajt në Bavari
17 Mars 2013Kur Zua Shou çohet nga banka e pritjes, të tjerët shtyhen për te ulëset plastike blu para dhomës së pritjes. Teksa shkon drejt derës, për të dhënë shenjat e gishtërinjve për vizën, duzina sy që presin e shohin nga pas. Në disa ditë para zyrës së të huajve në administratën komunale të Mynihut mblidhet një numër aq i madh aplikuesish sa në një holl stacioni hekurudhor.
Zua Shou, e cila vjen nga Kina, nuk gjendet për të parën herë në këtë zyrë midis zonës së pritjes, dhomës së pritjes dhe banakut të arkës. Ajo është këtu për të zgjatur lejen e qëndrimit dhe të punës, në mënyrë që të vazhdojë të punojë në Mynih. "Gjëja më e vështirë ishte në fakt sigurimi i një kontrate pune", thotë 31-vjeçarja, e cila punon prej më shumë se një viti si inxhiniere që merret me shpikjet e patentuara në filialin gjerman të një koncerni teknologjik kinez. Për gjërat e tjera thjesht duhet të presësh shumë gjatë, thotë. "Herën e parë kur mu desh të kërkoja dokumentet për leje pune e kisha të qartë që kjo do të hante ca kohë. Dhe në fund e mora lejen dhe vizën." Megjithatë, rruga deri aty ishte e vështirë: Të marrësh nga Kina informacione mbi rregullat dhe kompetencat në Gjermani është e vështirë, thotë Zua Shou.
Mungojnë 200.000 specialistë
Për t'ia lehtësuar rrugën asaj dhe të tjerëve në të ardhmen, zyra e të huajve në Mynih planifikon të hapë në korrik një qendër regjistrimi për personat e interesuar dhe për firmat. Me anë të saj synohet të përshpejtohen hapat burokratike për aplikuesit e huaj dhe të shkurtohet koha e pritjes. Qyteti i Mynihut shpreson nga kjo ndjelljen në rajon të një numri më të madh specialistësh të huaj të kualifikuar mirë dhe sistemimin e shpejtë me punë të tyre. Kjo sepse në Gjermani përllogaritet se mungojnë 200.000 specialistë.
"Është fjala që Gjermania, Bavaria dhe veçanërisht ne këtu në Mynih të jemi tërheqës për imigrimin", thotë Franziska Döbrich, drejtorja e zyrës së të huajve në Mynih. Shumë gjëra duhet të jenë siç duhet: paga, oferta e vendit të punës, por edhe hapat administrative, thotë Döbrich. Kur një i huaj duhet të mbushë njëherë formularë të panumërt dhe më pas të presë me muaj për përgjigje, atëherë në ndërkohë ai mendohet nëse Gjermania është vërtet një vend i mirë për karrierën e tij, vijon ajo. Shpesh njerëzit me kualifikim të lartë kanë edhe oferta nga vende të tjera si Kanadaja dhe Australia, thotë drejtorja e zyrës: "Dhe këtu gjendemi në konkurrencë."
Më pak burokraci, më shumë eficiencë
Mirëpo "Njësia organizative qendrore për specialistë dhe drejtues" ka nevojë edhe për një emër më të shkurtër. Ai duhet të jetë i kuptueshëm ndërkombëtarisht dhe grishës. "Welcomecenter" është njëri prej emërtimeve të mundshme. Qendra e re është ideuar si pikë pritjeje për të gjitha palët e përfshira. Vende të tjera janë shumë më përpara në përpjekjet për tërheqjen e specialistëve nga jashtë.
Duam t'ju bëjmë lëshime firmave, në mënyrë që këto të mund të përfitojnë shpejt prej bashkëpunëtorëve të rinj, thotë Gerhard Scholz. Ai do të jetë pjesëtar i ekipit të ri drejtues në njësinë e re. Madje qyteti i Mynihut ka miratuar vende të reja pune për Welcomecenter-in e planifikuar. Shpresohet që zyra e të huajve të kontribuojë në reduktimin e numrit të specialistëve që mungojnë. "Të arrihen efekte sinergjie, të lidhim tufë rastet e hyrjeve nga jashtë, t'u shërbejmë për shembull më mirë grupeve, në vend që t'i ndajmë sipas gërmave, sesi quhen me emra familjesh, me qëllim që të punojmë në mënyrë më efektive", përcakton objektivat e ardhshme Scholz.