1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

090611 Friedenspreis Buchhandel

10 Qershor 2011

Konsiderohet mbrojtësi i palodhshëm i demokracisë dhe një rrëfyes me pasion: Shkrimtari algjerian Boualem Sansal, do të nderohet me Çmimin e Librarëve Gjermanë për Paqen, shkrimtari i dytë algjerian, pas Assia Xhebarit.

https://p.dw.com/p/11YCE
Boualem Sansal
Boualem SansalFotografi: MERLIN

Në vendin e tij, Algjeri, librat e tij janë të ndaluar. Ndërsa në Gjermani do të nderohet me Çmimin e Paqes së librarëve gjermanë: Boualem Sansal, ndoshta shkrimtari më i njohur i vendit të tij, një kritik i ashpër i nacionalizmit arab dhe fundamentalizmit mysliman.

Sansal: Demokracia larg, në plan të parë të heqim diktatorët

Vetëm para pak kohësh 61 vjeçari ishte në Berlin dhe u shpreh për transformimet revolucionare në vendet e Afrikës së Veriut dhe Lindjen e Mesme. Është ende herët që të flitet për një demokratizim të shoqërisë arabe, tha Sansal: "Ndoshta për shkak të çështjes fetare, bota arabe gjendet në një hapësirë që nuk i përket askujt, e cila nuk është hulumtuar asnjëherë nga ana intelektuale, filozofike, kulturore dhe politike. E kam fjalën për çështjen arabo-muslimane dhe demokracinë. Kjo nuk u provua kurrë. Me vende që nuk i kanë përjetuar kurrë ato, nuk mund të flasësh menjëherë për zgjedhje e demokraci. Në këtë moment në plan të parë është se si t'i heqim diktatorët." Me çmimin ndaj Sansalit, Shoqata e Librarëve, e cila përmbledh të gjithë tregtuesit dhe botuesit e librit në Gjermani –dëshiron t'u dërgojë një sinjal inkurajues për lëvizjet demokratike në Afrikën e Veriut, tha Gottfried Honnefelder, kryetar i degës së Berlinit. "Me angazhimin e tij këmbëngulës për lirinë e fjalës dhe dialogun publik në një shoqëri demokratike Sansali del kundër çdo forme verbimi doktrinar, terrori dhe arbitrarizmi politik", argumenton shoqata.

NO FLASH Schriftsteller Boualem Sansal Archivbild
Shkrimtari lufton kundër fundamentalizmit myslimanFotografi: picture-alliance/dpa

Shkrimtar i guximshëm që prek tema tabu

Me Sansalin nderohet një autor i palodhshëm, i cili nuk lë që t'ia mbyllësh gojën dhe që kap edhe tema tabu. Në një artikull gazete ai krahason islamistët me nazistët, në librin e tij që para pak kohësh u botua në gjermanisht me titullin "Fshati i Gjermanëve" si autor arab ai trajton fenomenin e Holokaustit dhe nazizmin. Në një intervistë me Deutsche Wellen ai pat thënë: Sansal: "U çudita kur konstatova që në botën myslimane çështja e asgjësimit të hebrenjve mohohet tërësisht. Ata nuk e besojnë këtë e thonë se është manipulim i hebrenjve. Ose thonë se asgjësimi i hebrenjve nuk kishte qenë kaq i madh, por ka qenë vetëm një dëm kolateral i Luftës së Dytë Botërore. Në romanin tim unë doja t'u tregoja bashkëkohësve të mi për këtë çështje."

Kritika ndaj Gjermanisë

Kritik është Sansali edhe ndaj qeverive evropiane, të cilat, siç thotë ai, i kanë mbështetur diktatorët e botës arabe dhe i kanë pajisur edhe me armë. As qeverinë gjermane ai nuk e kursen në këtë pikë: Gjatë vizitës së tij në Berlin e kritikoi ashpër rezervimin e gjermanëve në Këshillin e Sigurimit në lidhje me rezolutën e Libisë. Sansal : "Po të kishin votuar për rezolutën Gjermania, Rusia, Kina, Brazili dhe India, atëherë Gaddafi sot nuk do të ishte më gjallë. Fakti që këto vende nuk e mbështetën rezolutën e Këshillit të Sigurimit, i dha atij shumë kurajë. Ai nëpërmjet kësaj e ndjen veten të autorizuar që të përdorë të gjitha mjetet e mundshme për të mbetur në pushtet. Me Gjermaninë, Indinë, Rusinë, Kinën dhe Brazilin u shprehën tre miliardë njerëz kundër zonës së ndalim-fluturimit mbi Libi."

Boualem Sansal: Fshati i gjermanit
Boualem Sansal: "Fshati i Gjermanit - Në foto titulli i librit në gjermanisht "Das Dorf des Deutschen"

Elitat arabe duhet të kthehen në vend

Sansali u lind më 1949 në një fshat të vogël pranë qytetit mesdhetar në veriperëndim të Algjerisë, Orfan. Ai përfundoi inxhinierinë, pastaj doktoroi në ekonomi. Për vite me radhë ai punonte si këshilltar dhe nëpunës i lartë në ministrinë algjeriane për industrinë dhe publikoi dy libra teknikë. Romani i tij i parë "Betimi i Barbarëve" u publikua në vitin 1999 në Francë. Në vitin 2003 ai u botua edhe në gjermanisht. Për shkak të teksteve dhe deklaratave të tij kritike ku ka sulmuar edhe kreun Abdel Aziz Bouteflika, Sansali e humbi vendin e punës në institucionet shtetërore. Megjithatë ai nuk u largua nga vendi. Shtetet arabe, thotë ai, kanë nevojë për intelektualët e tyre tani më shumë se kurrë. Sansal: "Thonë që demokracia duhet të vijë nga brendësia e shoqërisë. Kjo është e vërtetë, pjesërisht, të paktën. Por po s'pati elita, nuk mund të ketë demokraci të zhvilluar. Elitat arabe nuk janë në vendet arabe, por gjetkë. Prandaj ata duhen ndihmuar që të kthehen në vendet e tyre, për të udhëhequr këto debate".

Për veprën e tij letrare Boualem Sansal ka marrë deri tani shumë çmime në Francë. Çmimi i paqes së librarëve gjermanë do të jepet gjatë panairit të librit në Frankfurt në tetor 2011. Vitin e kaluar ai iu dha shkrimtarit David Grossman.

Autor: Bettina Marks/Anila Shuka

Redaktoi: Lindita Arapi