Ndahet në Stuttgart çmimi "Bambi"
2 Dhjetor 2006Këtë javë në Stuttgart u nda për të 58-tën herë çmimi më i rëndësishëm i medies në Gjermani, 'Bambi', i cili jepet nga shtëpia e madhe botuese Burda. Spektakli i moderuar nga moderatori dhe humoristi i njohur gjerman Harald Schmidt dhe nga modelja Eva Padberg u kthye në një paradë yjesh dhe yllëzash nga show-businnes, arti dhe sporti.
Momenti kulmor i mbrëmjes ishte dorëzimi i Bambit të Nderit për vitin 2006 mbretëreshës së Suedisë Silvia e cila e mori atë në shenjë nderimi për angazhimin e saj për fëmijët. Mbretëresha Silvia në fjalën falenderuese dënoi rëndë tregtinë me njerëz dhe abuzimin e fëmijëve. Abuzimi seksual është krimi më i rëndë që mund t'i bëhet një fëmije u shpreh mbretëresha e Suedisë e cila i bëri thirrje politikës dhe shoqërisë të marrin përgjegjësi.
Producenti Bernd Eichinger dhe regjizori Tom Tykwer morën Bambin në kategorinë filmi më i mirë i vitit për adaptimin kinematografik të librit "Parfumi" në filmin me të njëjtin titull. Çifti gjerman i aktorëve Nadja Tiller dhe Walter Giller u nderuan me një 'Bambi' për veprën e jetës. Ylli i operas Ana Netrebko mori nga duart e stilistit të njohur Karl Lagerfled Bambin në kategorinë e klasikës.
Më shumë se 2000 vetë punuan në përgatitjen e spektaklit madhështor i cili në muzeun Mercedes Benz në Stuttgart solli për një mbrëmje një copëz Hollivudi. Kolona zanore i takoi këtë herë këngëtares Nelly Furtado, këngëtarit irlandez Rea Garvey, atij gjerman Sasha dhe grupit Scissor Sisters.
Pas spektaklit yjet dhe yllëzat kanë festuar deri në orët e para të mëngjesit të së premtes.