1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Navalny u varros në varrezat e Moskës pas vdekjes në burg

1 Mars 2024

Turma brohoriste "Navalny, Navalny!" ndërsa arkivoli i tij u çua në kishë për funeralin. Ngjarjet u zhvilluan mes masave të rrepta të sigurisë dhe paralajmërimeve se protestat nuk do të lejoheshin.

https://p.dw.com/p/4d5Vc
Beerdigung von Kremlgegner Nawalny
Fotografi: AP/dpa/picture alliance

Dy javë pas vdekjes në burg, kritiku i Kremlinit Aleksek Navalny u varros në Moskë, në varrezat Borisovskoye, në juglindje të kryeqytetit rus, në prani të disa të afërmve të tij. Arkivoli u ul në tokë nën muzikën e filmit "Terminator", shkroi Ivan Zhdanov, një mbështetës i Navalny-t në shërbimin online Telegram, pasi të afërmit dhe mbështetësit i dhanë lamtumirën të ndjerit pranë arkivolit të hapur. Pamje të drejtpërdrejta u shfaqën në një transmetim në YouTube. Trupi shihej i mbuluar me lule në arkivol, i rrethuar nga njerëz të shumtë. Nëna e Navalnyt, e cila mbante një qiri, dhe babai i tij rrinin ulur pranë arkivolit gjatë ceremonisë dhe, sipas agjencisë së lajmeve AFP, një turmë pranë varrezave thirri "Jo luftës!".

Ljudmila Navalnaya dhe Anatoly Navalny, prindërit e Navalnyt duke shkuar në kishë
Ljudmila Navalnaya dhe Anatoly Navalny, prindërit e Navalnyt duke shkuar në kishëFotografi: AP Photo/picture alliance

Thirrje kundër Putinit

Pavarësisht nga kontigjenti i madh i policisë dhe i forcave të sigurisë, shumë njerëz ishin mbledhur që disa orë përpara funeralit. Shumë mbanin lule në duar. Sipas ekipit të Navalnyt, radha e njerëzve që prisnin ishte disa kilometra e gjatë. Përpara varrezave, u dëgjuan parulla kundër Presidentit Putin dhe luftës në Ukrainë. Në transmetimin e drejtpërdrejtë që mbështetësit e të ndjerit transmetuan në YouTube, dëgjoheshin njerëzit duke brohoritur "Navalny" dhe "Nuk do të harrojmë", si dhe "Nuk kishit frikë dhe ne nuk kemi frikë".

Varrimi i kundershtarit te Kremlinit, Navalny
Fotografi: REUTERS

Ambasadorët perëndimorë në funeral

Pas një ceremonie në kishë, arkivoli me trupin e kritikut u transferua në varrezat e Borissovskoye, rreth gjysmë ore larg në këmbë.

Diplomatë perëndimorë, midis tyre ambasadori i Gjermanisë Alexander Graf Lambsdorff, ambasadorja e SHBA Lynn Tracy dhe ambasadori francez Pierre Levy, morën pjesë gjithashtu në funeral.

Ambasadoret perendimore ne funeral
Fotografi: Russian independent news/Telegram/AP/picture alliance

E veja e Navalnyt, Julia Navalnaya, vajza e saj Darya dhe djali i saj Zakhar nuk morën pjesë në funeral, sepse janë jashtë vendit për sigurinë e tyre. Gruaja e Navalnyt e kishte akuzuar presidentin rus Vladimir Putin për vrasjen e burrit të saj. Me këtë veprim ajo do të rrezikonte arrestimin në Rusi. Ekipi i Navalnyt gjithashtu nuk është në Rusi, sepse kolegët e tij, të konsideruar ekstremistë, gjithashtu do të arrestoheshin menjëherë. Edhe SHBA dhe BE, ndër të tjera, fajësojnë presidentin Putin për vdekjen e Navalnyt.

Navalnaya publikoi një videoklip si një mesazh dashurie me skena nga jeta e tyre së bashku, për t'i dhënë lamtumirën bashkëshortit të saj. "Ljosha, faleminderit për 26 vite lumturi absolute”, shkroi 47-vjeçarja në Instagram. "Po, edhe për tre vitet e fundit të lumturisë. Për dashurinë, që më ke mbështetur gjithmonë, që më ke bërë të qesh edhe në burg, që ke menduar gjithmonë për mua." Ljosha është forma përkëdhelëse e emrit Aleksej.

Aleksej Nawalny dhe gruaja e tij Julia (06.09.2013)
Aleksej Nawalny dhe gruaja e tij Julia (06.09.2013)Fotografi: Evgeny Feldman/AP Photo/picture alliance

Atmosferë kërcënuese para funeralit të Navalnyt

Aparati rus i pushtetit kishte krijuar një sfond kërcënues para kishës dhe varrezave: gardhe metalike u ngritën në një zonë të gjerë, dhjetëra automjete emergjente me personel të uniformuar zunë pozicione herët në mëngjes. Persona me uniformë kontrollonin dokumentet dhe sendet personale të kalimtarëve, njoftuan mediat ruse. Qasja në internet përmes celularit ishte gjithashtu e kufizuar. Oficerë të shumtë policie u vendosën në varrezat Borissovskoye dhe Kremlini paralajmëroi kundër pjesëmarrjes në manifestime "të paautorizuara" përpara fillimit të shërbesës përkujtimore. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha për agjencinë e lajmeve Tass se kushdo që merr pjesë në një tubim të tillë do të "mbahet përgjegjës në përputhje me ligjin".

Varrimi i Navalnyt- njerez ne kangjella
Fotografi: Andrey Borodulin/AFP/Getty Images

Navalny vdiq në mes të shkurtit në moshën 47-vjeçare në një burg në Siberi, për arsye që janë ende të paqarta.

dw, dlf, tagesschau