1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në prag të konferencës së sigurisë në Mynih

Nina Werkhäuser5 Shkurt 2004
https://p.dw.com/p/Ar7m
Për të 40 herë me radhë, në këtë fundjavë, pra me shtatë dhe tetë shkurt do të mblidhen politikanë të lartë dhe ekspertë ushtarakë në konferencën e sigurisë që zhvillohet në Mynih. Ndër temat kryesore do të jenë ardhmëria e Natos, dhe raportet transatlantike, si dhe gjendja në Lindjen e Mesme. Konferencës i paraprinë këtë vit një takim joformal i ministrave të mbrojtjes të shteteve anëtare të Natos, i cili ditën e premte i kushtohet zhvillimeve në Afganistan.

Gjatë konferencës së fundit të Mynihut për politikën e sigurisë, lufta e Irakut ishte tepër afër dhe debatet u rrotulluan pothuaj të gjitha rreth kësaj teme. Përmes ministrit gjerman të punëve të jashtme Joshka Fisher dhe atij amerikan i mbrojtjes Donald Rumsfeld, u përplasën me të gjithë forcën Evropa e "re" dhe ajo e "vjetër". E paharrueshme ishte ajo pjesë e fjalimit të Fisherit në të cilën shefi i diplomacisë gjermane në anglisht iu drejtua me tone të larta Ramsfeld-it për t'i thënë se argumentet pro luftës të paraqitura nga SHBA, nuk ishin aspak bindëse. Thyerja në raportin transatlantik u shfaq edhe një herë qartë në atë konferencë dhe tonet e pajtimit mbetën në hije.

Edhe këtë vit Ramsfeld dhe Fisher do të jenë përsëri në Mynih por situata është ndryshe: Sadam Huseini është mundur dhe SHBA e aleatët e tyre përpiqen për vendosjen e stabilitetit në Irak. Marrëdhënia gjermano-amerikane është çtensionuar disi qysh prej përfundimit të luftës: takimi i parë mes presidentit të SHBA Xhorxh Bush dhe kancelarit gjerman Gerhard Shrëder do të pasohet nga një i dytë në fund të këtij muaji.

Tani shtrohet pyetja se çfarë qëndrimi do të mbajë qeveria gjermane ndaj një misioni të mundshëm të Nato-s e ndoshta edhe të ushtrisë gjermane në Irak. Presioni i SHBA mbi Nato-n për një angazhim më të fortë po shtohet. Deri tani Aleanca mbështet vetëm divizionin shumëkombësh në Irak të drejtuar nga polakët.

Për këtë do të diskutojnë jo vetëm specialistët për çështjet e sigurisë por edhe ministrat e mbrojtjes të vendeve të Nato-s në takimin e tyre jozyrtar në të cilin për herë të parë do të paraqitet në rrethin e gjerë të të gjithë ministrave të mbrojtjes të Aleancës edhe sekretari i ri i Nato-s Jaap de Hoop Skefer. Skefer ka qëndrim të vendosur pozitiv ndaj një misioni të Nato-s në Irak. Sinjale pozitive vijnë edhe nga kundërshtarët e luftës Gjermania dhe Franca: ata nuk do të vendosin veton në Këshillin e Nato-s dhe madje mund të marrin edhe vetë pjesë në mision për shembull me një avion të tipit Airbus MedEvac, kështu ka bërë të ditur kancelari gjerman Gerhard Shrëder. Nato pritet të marrë një vendim për misionin në Irak gjatë samitit të saj në fund të qershorit që do të mbahet në Stamboll.

Ministrat e mbrojtjes të Nato-s do të diskutojnë në ditën e parë kryesisht planin e tyre për forcimin e anagazhimit të Aleancës në Afganistan. "Afganistani është prioriteti im kryesor" është shprehur Skefer, i cili e konsideron të pamjaftueshëm një mision me pikërëndesë Kabulin. Prandaj numri i ekipit për rindërtimin e Irakut do të shtohet nga 16 aktualisht në 18 vetë. Përveç kësaj po bisedohet edhe për angazhimin e Nato-s në luftën kundër terrorizmit në Afganistan. Kjo do të thotë se do të bahkohen operacionet e ISAF (Trupës Ndërkombëtare të Sigurisë), të cilat janë nën komandën e Natos dhe atyre të "Paqës së qëndrueshme", nën komandën amerikane. Edhe këto plane të Natos, do të luajnë një rol të rëndësishëm në këtë konferencë. Përvec sekretarit të përgjithsëhm të Natos, në këtë konferencë do të flasë edhe ministri i jashtëm gjerman Joshka Fisher dhe ai i mbrojtjes Peter Shtruk, pastaj ai i SHBA, Rusisë dhe Francës. Edhe kësaj here janë paralajmëruar protesta të shumta.