1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Euro Stabilisierung

10 Prill 2011

Megjithë ombrellën e shpëtimit, euro do të mbetet e varur nga mirësia e tregjeve financiare. Një pakt stabiliteti për eurozonën ka shumë pengesa përpara. Analizë e takimit të ministrave të Financave të BE-së në Gëdëllë.

https://p.dw.com/p/10qpJ
Takimi i ministrave të Financave të BE. Christine Lagarde, ministrja franceze e Financave me Axel Weber, drejtori i Bankës Gjermane (në qendër), dhe ministri qipriot i Financave Charliaos Stavrakis (djathtas)Fotografi: dapd

Tek ministrat e Financave të BE-së sundon parimi i shpresës. Kjo u kuptua qartë në takimin informal në Gëdëllë, i konceptuar si takim për gjetjen e strategjive të ardhshme. Ministrat shpresojnë që shpëtimi i shtetit të tretë të eurozonës nga falimentimi (Pas Greqisë e Irlandës, Portugalia. shën. i red.) do t'i zbusë tregjet financiare. Të sigurtë për këtë ata nuk janë, edhe pse kostot për sigurimin e kapitalit për kandidatë të tjerë çalues, si Spanja, nuk janë rritur.

Tregjet financiare janë të nevojshme

Ministrat shpresojnë që tregjet anonime do ta vlerësojnë ndërmarrjen e veprimeve. Ndërkohë që edhe njëherë u bë e qartë që varësia e politikës nga "humori", rrymat apo strategjitë e tregjeve financiare, e investorëve dhe spekulantëve nuk është aspak më e vogël se në fillim të krizës. Në prapaskenë ministrat dhe presidentët e bankënotave i paralajmëruan ata që mendonin se mund të kishte ndonjë mundësi shkëputjeje nga tregjet financiare. Tregjet financiare janë të nevojshme për të shuar etjen e ekonomisë botërore dhe shteteve për kapital. Edhe spekulimi, pra lojërat në financa duhen. Vetëm se nuk duhet që ata që vënë bastin të kenë mundësi të influencojnë përfundimin e tyre.

Treffen Finanzminister in Budapest Ungarn
Ministri gjerman i Financave, Wolfgang SchäubleFotografi: AP

Këtyre pazareve me rrezikshëmri tepër të lartë nuk po përpiqen t'ua mbyllin derën vetëm ministrat e Financave të BE-së. Por që në këtë përpjekje nuk është arritur ndonjë sukses, këtë e pranoi vetë presidenti në largim i Bankës Qendrore Evropiane, Jean Claude Trichet. Në shkallë botërore, ky ishte konkludimi në Gëdëllë, është bërë shumë pak për të arritur transparencën e duhur të të gjitha produkteve financiare, siç u premtua në kulmin e krizës.

Evropianët e kanë lënë mënjanë idenë e shfuqizimit të tre agjencive më të mëdha Rating. Ata thjesht nuk krijuan dot një konstrukt të ri që do t'i bënte vërtet konkurrencë serioze këtyre agjencive. Edhe këtu ekziston vetëm shpresa që këto agjenci të veprojnë në mënyrë racionale dhe me mirësi.

Skenarë veprimi për shtetet me borxhe të mëdha

Greqia, Irlanda dhe tanimë Portugalia marrin kredi emergjente, që do të thotë më shumë kohë për të rimëkëmbur financat e shtetit. Asgjë më pak dhe asgjë më shumë. Tashmë po bëhet gjithnjë e më e qartë që Greqia nuk do të jetë në gjendje që nga viti i ardhshëm të marrë kapital në tregjet financiare pa garanci të jashtme. Për këtë arsye në Gëdëllë u diskutua me dyer të mbyllura për skenarë të ndryshëm për ristrukturimin e borxheve greke dhe të kandidatëve të tjerë. Por pavarësisht nëse do të vijë momenti i ristrukturimit të borxheve greke, nëse do të merren në konsideratë kreditorët privatë, apo do të shtyhen pagesat e normave të interesit dhe shlyerjeve - për të gjithë këta hapa nuk duhet folur para kohe. Ata duhet të vijnë papritur, ndryshe efekti i tyre në tregje avullon menjëherë.

Treffen Finanzminister in Budapest Ungarn
Ministrja spanjolle Elena Salgado. Spanja shihet si kandidati i ardhshëm që ka nevojë për kreditë e shpëtimitFotografi: dapd

Shumë probleme kanë mbetur të pazgjidhura brenda BE dhe eurozonës, probleme që pengojnë miratimin e paketës së përgjithshme për stabilizimin e euros. Irlanda do norma më të ulëta interesi për kreditë e emergjencës. Italia dëshiron rregulla të veçanta për llogaritjen e deficiteve. Britania e Madhe nuk pranon shkallën e përfshirjes së kreditorëve privatë. Gjermania nuk do të diskutojë për tepritë në eksporte. Finlanda nuk do të rrisë garancitë për fondin e shpëtimit. Deri në samitin e qershorit duhet të zgjidhen këto probleme, premtuan ministrat e Financave në Hungari. Edhe këtu mbetet parimi i shpresës. Por a mbetet diçka tjetër?

Autor: Bernd Riegert

Redaktoi: Lindita Arapi