1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Bruksel përfundoi punimet samiti i BE-së

Henn, Susanne20 Qershor 2008

Në Bruksel përfundoi të premten pasdite takimi i nivelit të lartë të Bashkimit Evropian. Përkundër konsultimeve të vazhdueshme zgjidhja e krizës institucionale që ka kapluar BE-në pas 'jo'-s irlandeze është ende larg.

https://p.dw.com/p/ENhP
Kryeministri hungarez Ferenc Gyurcsany dhe kryeministri slloven Janez Jansha në Bruksel
Kryeministri hungarez Ferenc Gyurcsany dhe kryeministri slloven Janez Jansha në BrukselFotografi: picture-alliance/ dpa

Përgjegjet e qarta ndaj çështjeve urgjente munguan në fund të samitit të BE-së në Bruksel. Konkretisht për fatin e marrëveshjes së reformave e cila do të duhej të hynte në fuqi më 1 janar të vitit të ardhshëm, presidentët dhe kryeministrat e vendeve anëtare të BE-së do të diskutojnë fillimisht në muajin tetor. Kancelarja gjermane Angela Merkel është ende optimiste:

"Unë jam e kënaqur me rrjedhën e konsultimeve. Këshilli konkludoi njëzëri se na nevojitet një kohë më e gjatë dhe edhe Iranda ka nevojë për më shumë kohë për të bërë analizën: cilat ishin shkaqet e dështimit të referendumit në Irlandë".


Për këtë qeveria irlandeze nën drejtimin e kryeministrit Brajan Kauen (Brian Cowen) do të ketë katër muaj kohë. Deri në vjeshtë Kauen duhet të përpunoj kushtet nën të cilat do të ishte i mundshëm një votim i dytë në Irlandë.

"Se a do të ketë një referendum të dytë mund ta them atëherë kur ta dij se çfarë përparimesh do të arrij të bëj. Eshtë thjeshtë shumë herët për të ditur se si do të dalim nga kjo pikë. Për momentin nuk kam përgjegje".


Për shpëtimin e marrëveshjes së reformave për çdo rast është i nevojshëm miratimi i të gjitha vendeve anëtare të BE-së. Presidentët dhe kryeministrat e vendeve të BE-së pas diskutimeve të gjata bën thirrje për vazhdimin e procesit të ratifikimit. Probleme mund të shkaktoj vetëm Çekia. Atje është ndërprerë procesi i ratifikimit për shkak se është e paqartë nëse marrëveshja e reformave është në përputhje me kushtetutën kombëtare. Një parashikim se si do të rrjedhin gjërat në Çeki nuk duan ta bëjnë politikanët në Bruksel.


Poashtu në samit nuk u vendos as për kohën se deri kur duhet të zgjidhet kriza e shkaktuar pas dështimit të referendumit në Irlandë. E qartë mbetet se koha nuk pret shumë. Përshembull po të kihet parasysh zgjerimi i ardhshëm i BE-së. Presidenti i Francës Nikolas Sarkozi merr përsipër më 1 korrik nga Sllovenia drejtimin e radhës së presidencës së BE-së. Ai në samit doli me qëndrim të qartë:


"Në mënyrë që Bashkimi Evriopian të mund të zgjerohet ne kemi nevojë për marrëveshjen e Lisbonës. Marrëveshja e nisës do të thotë një Evropë me 27 vende e cila nuk mund të zgjerohet pa i reformuar më parë institucionet".


Shumë pjesëmarrës të tjerë të samitit, në mesin e tyre edhe kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministri i Luksemburgut Jean-Claude Junker mbështesin presidentin Sarkozy. Ata përjashtuan mundësinë e pranimit të Kroacisë në vitin 2010 nëse në fuqi deri atëherë nuk do të ketë hyrë marrëveshja e reformave.