Mësuesi Raxhi Rakipi shembull frymëzimi për komunitetin rom
28 Janar 2024"Sot në ditën e parë, do të njihemi me abetaren e gjuhës rome” - u thotë nxënësve të shkollës "Hamit Mullisi" Raxhi Rakipi.
Ai është mësuesi i parë i gjuhës rome i licencuar në Shqipëri. Raxhi Rakipi ishte dikur vetë nxënës i kësaj shkolle. Tani pas studimeve ai ka ardhur për të punuar si mësues në shkollën e tij shkollën të dikurshme në Elbasan dhe nuk e fsheh krenarinë për këtë.
"Për mua është një ndjesi shumë e mirë të jem mësuesi i parë i gjuhës rome dhe e ndjej veten të arrirë në këtë aspekt”.
Kur kthehet pas në fëmijërinë e tij, kujton se ka pasur një lidhje të fortë me arsimin. Këtë ia kanë "injektuar” prindërit dhe të njëjtën frymë ai uron t'ua përcjellë edhe brezave të rinj.
"Lidhur me arsimimin tim, prindërit e mi kanë qenë ata që më regjistruan në klasën e parë në shkollën "Hamit Mullisi” dhe ata kanë më kanë mbështetur edhe për vazhdimin e shkollës 9-vjeçare, dhe edhe më tej” - tregon Raxhi, duke shtuar se është i vetmi në fisin e tij që ka ndjekur gjimnazin.
Tejkalimi i paragjykimeve
Ky vendim fillimisht nuk u prit shumë mirë nga fisi, por sot Raxhin e marrin si shembull.
"Disa nga komentet negative kanë qenë që unë kisha arritur një moshë në të cilën duhet të punësohesha, ose të isha pjesë e martesave të hershme, nga ana tjetër disa komente pozitive kanë qenë që disa anëtarë nga komuniteti rom më shikonin mua si shembull”
Përzgjedhja e degës së mësuesisë ishte e lidhur me pasiguri, sepse kur u regjistrua në vitin 2015 në degën "Gjuhë shqipe dhe rome” nuk ishte e qartë, nëse kjo degë do të funksiononte ose jo.
Në këtë degë u regjistruan dhjetë studentë, prej të cilëve Raxhi Rakipi ishte i vetmi që i përkiste pakicës kombëtare rome.
Shembuj frymëzimi nga komuniteti
Raxhi është mirënjohës dhe kur numëron arritjet e tij në jetë, nuk harron njerëzit që e kanë frymëzuar dhe ndihmuar.
"Brisilda Taço është vajza e parë rome që unë kam njohur që kishte mbaruar arsimin e lartë. Akoma dhe kësaj dite unë i jam shumë mirënjohës Brisildës”.
Në fillim të rrugëtimit të tij si mësues ai thotë se "mesazhi im për të gjithë prindërit romë është që ata t'i shkollojnë fëmijët e tyre”.
Gjuha rome është këtë vit shkollor pjesë e programit mësimor për fëmijët e këtij komuniteti në dy shkolla 9-vjeçare të Elbasanit "Hamit Mullisi” dhe "Abdyl Paralloi”.