"Më pëlqen ngjyra e zërit tënd!"
22 Janar 2011Jemi në Gasteig, kompleksin kulturor të Mynihut, e po kërkojmë një vend të qetë për të bërë intervistën. Dikur në shkallët e ndërtesës shfaqet një burrë e nga mimika e Fjoralbës duket si një mik i vjetër i saj. Vetëm pas dy minutash ajo kthehet me një çelës në dorë: Ne ngjitemi në katin e tretë ku na pret një dhomë me dy piano.
Fjoralba nuk e fsheh gëzimin që intervistën po e jep pikërisht aty, ku deri një vit më parë merrte mësime pianoje. "Kjo është shkolla e lartë e arteve dhe muzikës në Mynih. Ai ishte profesori im i pianos" pa e fshehur gëzimin që megjithëse ka tashmë mbi një gjysmë viti që është e ka përfunduar shkollën e është larguar prej saj, profesorët vazhdojnë t'ia hapin dyert.
Me 9 vjeçe në Gjermani
Duket se kësaj vajze ka disa vjet që rastësia po i hap portat e suksesit. Me intuitë ajo u shkon nga pas këtyre shanseve. Një intuitë, të cilën ajo e ka zhvilluar ndoshta qysh atëherë kur erdhi për herë të parë në Gjermani dhe i duhej shpesh herë t'i binte kryq e tërthor Mynihut - prindër ishin të zhytur në luftën e mbijetesës që të impononte emigracioni i viteve 90-të. Në ato udhëtime ajo hipte shpesh në destinacionin e gabuar.
Atëherë nuk e kuptonte, por tani që është vetë nënë e di se kjo ngatërresë e shpeshtë vinte nga presioni i madh psikologjik që asokohe nëntëvjeçares së lindur në Tiranë i sillte ambientimi në qytetin mondan gjermanojugor. "Prindërit nuk donin që të humbisja vitet duke studiuar gjermanishten, kështu që m'u desh ta kapërceja një klasë. Kjo ishte shumë e vështirë, sepse jo vetëm që më duhej të mësoja një materie të re, por paralelisht me të edhe gjuhën".
Nga një pasion në profesion
Fjoralba Turku sot duket se nuk ngatërrohet më, jo vetëm në Mynih, por as edhe në vendet e ndryshme të Evropës, ku i duhet të japë koncerte: Gjermani, Austri, Belgjike, Zvicër, vitin e kaluar edhe në Prishtinë. Tani po përgatit albumin e dytë solo, një herë në javë jep mësim për kanto në një shkollë në Mynih dhe rrit një fëmijë katër vjeç e gjysmë. Tek tregon me gjallëri për veten e saj, hapet dera. Dikush shtron një pyetje në anglisht. Asaj i kujtohet fytyra: Një ish-bashkë-student francez dhe ia kthen në frëngjishte të rrjedhshme.
Ishte Parisi ai që e lidhi me xhazin, pasionin e saj të ri. Aty shkoi mbas maturës "pak për të studiuar letërsinë franceze, pak për t'u njohur me kulturën parisianë", rrëfen më tej gruaja e re me flokët e zeza e të prera shkurt. Me muzikën kishte lidhje të hershme: I ati, Fagu Turku, është violinist dhe mësues muzike në Mynih, i vëllai Rudens Turku, asokohe i kishte hyrë karrierës ndërkombëtare si violinist solo. Ajo vetë kishte studiuar violinë në fëmijëri, por nuk shihte ndonjë të ardhme si muzikante. Prandaj edhe do të kalonin disa vite, derisa pasioni i ri për xhazin do të shndërrohej në profesion.
Edhe këtë radhë çelësi i kësaj porte u hap si rastësisht, kur ajo studionte shkencat e teatrit në Universitetin Ludwig-Maximilian të Mynihut, sapo kishte lindur të birin Joshuan, dhe hyri sa për qejf në një kurs kënge: "Unë e dija që ishte vonë për të filluar karrierën profesioniste si violiniste. Kisha parë tim vëlla dhe tim atë se sa orë që kishin kaluar ata me ushtrime. Por ndjeja se më mungonte diçka në jetën time dhe mendova të hyj në atë kurs". Fati i saj: mësues ishte kitaristi dhe kompozitori nga Nju Jorku Geoff Godman: "E ai më tha "Unë e di që ti je ende në fillim, por më pëlqen ngjyra e zërit tënd dhe dua ta përdor për muzikën time."
Rrënjët tek muzika shqiptare
Që atëherë jeta e saj ndryshoi radikalisht. Ajo filloi shkollën e xhazit të cilën e përfundoi në qershor 2010. Paralelisht nxori edhe albumin e parë në shtëpinë diskografike berlineze Traumton. Albumin e pagëzoi Joshua, sipas emrit të të birit. Ai është një përzierje këngësh të kompozuara prej saj në anglisht, frëngjisht si dhe disa remikse xhazi këngësh popullore shqiptare: “Aty janë rrënjët e mia, prej të cilave nuk mund të largohem", thotë ajo.
Në shtypin gjerman, si atë profesional, ashtu edhe atë të përditshëm ajo u festua si "zbulimi i vitit". "Mahnitëse është fuqia dhe diapazoni i kësaj gruaje të re e të imët, që tingëllon herë nordike e çelët, herë e errët, si një Zarah Leander nga Evropa Juglindore", do të shkruante "Jazzzeitung", ndërsa në shtesën kulturore të së përjavshmes gjermane "DerSpiegel" shkruhet: "Qoftë folklor melankolik ballkanik, qofshin standarde ose kompozime të veta, këngëtarja me prejardhje shqiptare i jep çdo kënge një ngjyrë të vetën.
“Do të mbetem në muzikë”
Projekti aktual i saj si soliste me Geoff Godman titullohet Haiku, sipas vjershave tradicionale 17-rrokëshe japoneze, të cilat ajo i këndon të përkthyera në anglisht, një aktore japoneze i flet në gjuhën origjinale. Një pjesë e këtij albumi u prezantua fundjavën e kaluar (15 /16 janar 2011) në Festivalin Japonez në Berlin. “Ishte një përvojë shumë e bukur t'u këndoje japonezëve mençuritë e vjershave të tyre tradicionale”. Projekti i saj i ardhshëm është albumi i dytë solo, i cili pritet të dalë në fund të vitit.
Në janarin e 2012 ajo do të fillojë prezantimin e tij përtej oqeanit me një turne në Kanada. Xhazi dhe kënga - hë për hë destinacioni i saj përfundimtar. Një portë çelësat e së cilës ajo nuk ka ndër mend t'i lëshojë lehtë: "Do mbetem në muzikë, nuk kam shumë vite që jam brenda, por në ato pak vjet që kam filluar të bëj muzikë profesioniste kam pasur shumë shanse, kam shumë njerëz që më ndihmojnë e që kam besim, kështu që në qoftë se nuk e vazhdoj atëherë e kam vetë fajin", thotë Fjoralba Turku. Pastaj hapet porta dhe hyn ish-profesori i pianos. Erdhi koha për Fjoralbën që ta dorëzojë një çelës: atë të dhomës së ushtrimit.
Autor: Anila Shuka
Redaktoi: Aida Cama