1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Muzeu hebre në Mynih

Walter Kittel29 Mars 2007

Nevoja për për të folur mbi hebraizmin, të shkuarën dhe të ardhmen e tij, është e madhe

https://p.dw.com/p/AsC7
Ndërtesa e muzeut hebre në Mynih
Ndërtesa e muzeut hebre në MynihFotografi: picture-alliance/ dpa

Me një akt festiv u inagurua pak ditë më parë muzeu i ri hebre në zemër të Mynihut. Kryeqyteti bavarez ka shpenzuar rreth 13,5 milionë euro për muzeun e ri i cili ofron një sipërfaqe ekspozuese prej 900 metrash katrorë.

“Kemi një program shumë të pasur ekspozitash në vitin e inagurimit dhe me tema nga më të ndryshmet duam të tërhqim grupe të ndryshme vizitorësh...”

Kështu shprehet drejtori themelues i Muzeut Hebre në Mynih Bernhard Purin shtëpia e të cilit gjendet mes sinagogës së re të Mynihut dhe qendrës së komunitetit hebre. Në zemër të Mynihut në sheshin Shën Jakobi:

“Tani kemi një ekspozitë mbi Alfred Pringsheim, i cili u drejtohet edhe të interesuarve për letërsinë. Në vjeshtë do të kemi një ekspozitë mbi galerinë moderne Thannhauser, në të cilën do të kemi ndër të tjera edhe punime nga Picasso dhe van Gogh. Me të shpresojmë të tërheqim një publik të interesuar për artin.”

Drejtori Purin thotë se objektiv kryesor është tërheqja e një publiku sa më të gjerë. Forma kubike e ndërtesës së re të muzeut ka të bëjë me vendimet për ekspozitat dhe mënyrën e paraqitjes së jetës çifute dhe jo me komunën ortodokse që ndodhet aty pranë, thekson Bernarhd Purin: “Ne sigurisht do të trajtojmë tema të cilat nuk do t’i pëlqejnë edhe aq komunës hebreje e cila është një institucion fetar. Por ne si muze kemi një përkufizim më të gjerë mbi temat që kanë të bëjnë me hebraizmin.”

Me mjete pjesërisht shumë moderne paraqiten historia dhe e tashmja e hebrenjve të Mynihut. Kështu karikaturisti amerikan Jorden B. Gorfinkel tregon me skicat e tij vizitën në Mynih të një të mbijetuari të Holokaustit. Karikaturat janë vizatuar në format të madh në mure.

Jo larg prej tyre një plan qyteti interaktiv hedh dritë mbi jetën hebreje me ndihmën e fotografive. Ekspozita duket mjaft moderne edhe pasi eksponatet e rëndësishëm historikë janë të paktë, shpjegon kuratorja Jutta Fleckenstein: “Ju patë në eskpozitë një veshje Tora e cila është dhuruar nga Berta Zollfrei me rastin e hapjes së sinagogës në vitin 1897. Ky është natyrisht një objekt shumë i çmuar i cili tregon për historinë e hebrenjve në Mynih. Me të mund të shpjegohen shumë aspekte të historisë.”

Muzeu Hebre zotëron një koleksion shumë të vogël. Ai është dorëzuar nga Richard Grimm nga Mynihu: “Koleksioni ynë është ai i Richard Grimm. Në vitet ’80 ai drejtonte një muze të vogël hebre dhe në këtë funksion ka marrë shumë shpesh dhurata për muzeun. Fjala është për objekte dhe shumë dokumentem, shpesh të lëna trashëgim," thotë Fleckenstein.

Muzeu zotëron rreth 150 objekte historike por ndërtesa e bukur dhe vendndodhja tërheqëse janë nxitje për dhurime. Kështu minimalizmi që vihet re sot në shumë prej stendave ka mundësi të marrë fund së shpejti.

“Harry Baier, një koleksionist i cili ka një dyqan antikitetesh në Mynih ka mbledhur të gjitha objektet hebreje që kanë ardhur në dyqanin e tij. Gjatë viteve është krijuar kështu një koleksion prej 101 objektesh të cilat ai do t’i japë muzeut për një kohë të pacaktuar.”

Në hollin e mbushur me dritë me pamje mbi sinagogën dhe qendrën e komunitetit hebre ka vend për lexime në publik dhe diskutime, thotë Rachel Salamander e cila do të angazhohet për një program tërheqës të muzeut në të ardhmen: “Nevoja për për të folur është e madhe, mbi hebraizmin, të shkuarën dhe të ardhmen e tij. Mendoj se sa më i madh të jetë numri i institucioneve që merren me këtë tematikë aq më mirë do të jetë për të ardhmen e përbashkët.