Papunësia e të rinjve - rrezik i shoqërive të Ballkanit
17 Prill 2016Me zë të qetë e të butë ipeshkvi françeskan nga Sarajeva, Pero Sudar skicoi një pamje të zymtë shoqërore të shumicës së vendeve të Ballkanit. Në hapjen e aksionit të Renovabis me rastin e festës fetare të Rrëshajës së Madhe në ipeshkvinë e Speyerit, Pero Sudar përmendi shembuj konkretë nga vendi i tij. Mungesa e perspektivës ka një efekt kaq të fortë zhgënjyes e rëndues tek të rinjtë në Bosnje-Hercegovinë, saqë 70% e tyre duan të largohen nga vendi.
Shifra të tilla janë bërë të njohura nga të gjitha vendet e Ballkanit. Për shkak të papunësisë së lartë shumë të rinj nga Juglindja e Europs nuk shohin ndonjë perspektivë në vendin e tyre. Papunësia mes të rinjve në Kosovë, Serbi, Maqedoni, Bosnje-Hercegovinë, kap shifrat e 45-60%, varësisht nga ofrohen të dhënat. Varëfria, mungesa e stabilitetit politik, korrupsioni dhe nepotizmi përmenden si shkaqe të tjera për pesimizmin e kudogjendur.
Gjeneratë e humbur
Pas një përshkrimi pa zbukurime e prekës të gjendjes shoqërore, ipeshkvi nga Sarajeva, Pero Sudar kaloi në politikë, duke vënë theksin tek humbja prej kohësh e besimit të të rinjve nga Juglindja e Europës në institucionet demokratike e madje tek vetë demokracia. Sudar përmendi situatën gjeopolitike dhe karakterin multifetar e multietnik të shoqërive në Ballkan. Sidomos në Bosnje-Hercegovinë marrëdhënia paqësore mes të krishterëve e myslimanëve, dhe katolikëve e të krishterëve ortodoksë po vihet në sprovë për shkak të problemeve sociale. Si klerik, Sudar theksoi rëndësinë dialogut politik, por edhe ekumenizmin e vërtetë. Në fund të fundit aftësia e bashkëjetesës së popujve, feve e kulturave të ndryshëm është kusht themelor për paqen.
Eksodi masiv i të rinjve nga vendet e Ballkanit po kthehet në një kërcënim serioz. Megjithatë në Ballkan nuk gjen strategji serioze për luftimin e papunësisë tek të rinjtë. Shumica e tyre banon për një kohë të gjatë bashkë me prindërit, ata janë të varur nga rroga e tyre, madje edhe pensioni i gjyshërve. Kjo mungesë perspektive përbën rrezik akut. Sipas punonjësve socialë ajo është edhe terreni ushqyes për rënien e të rinjve viktimë e drogës, kriminalitetit dhe alkoolit. Bashkë me të vihet re rreziku i radikalizimit fetar, i cili në vitet e fundit ka shënuar rritje.
Tregu i punës pa lidhje me sistemin arsimor
Megjithëse qeveritë e vendeve të Europës Juglindore e kanë kuptuar rrezikun shpërthyes të këtij zhvillimi, ende mungojnë zgjidhjet konnkrete. Qeverive nuk u mungojnë vetëm fondet, por edhe vullneti e aftësia për të bërë reformat e duhura në politikën e arsimit. Ipeshkvi Pero Sudar kritikoi me stilin e një përfaqësuesi të ekonomisë, „mungesën e lidhjes së sistemeve të arsimit me tregun e punës“. Gati 80% e të rinjve nga Bosnje-Hercegovina, sipas një sondazhi mendojnë se as arsimi i lartë nuk i përmirëson kushtet e jetesës. Sondazhe të njëtja vijnë edhe nga vende të tjera të Ballkanit.
Gerhard Albert, drejtori i organizatës humanitare të Renovabis i shikon këto zhvillime si “një sfidë të madhe”. Nuk duhet t'i lirojmë nga përgjegjësia qeveritë dhe politikën e këtyre vendeve, sepse eksodi i vazhdueshëm i të rinjve është rrezik për zhvillimin e vendeve të Europës Juglindore, theksoi Albert. Pak optimizëm në fund të takimit të Renovabis ofroi në fund ipeshkvi nga Sarajeva me një shembull shpresëdhënës. Gjatë një vizite pastorale në San Francisco ai kishte takuar një biznesmen të suksesshëm, i cili i kishte rrëfyer për planet e tij të kthehej me gruan dhe pesë fëmijët në Bosnje-Hercegovinë. Jo shumë kohë më parë këtë biznesmen Pero Sudar e kishte ritakuar në një festë në Bosnjen Qendrore. Kur ipeshkvi e pyeti për motivet e kthimit, ai ishte përgjigjur: “Këtu jetohet më normalisht!”