1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Moska dhe Kievi diskutojnë përfundimin eventual të luftimeve

28 Shkurt 2022

Negociatat midis Ukrainës dhe Rusisë për të zbutur konfliktin kanë nisur pranë kufirit ukrainas-bjellorus. Këtë e ka konfirmuar një pjesëmarrës për agjencinë e lajmeve Reuters.

https://p.dw.com/p/47ikk
Delegacioni ukrainas dhe rus
Fotografi: BelTA/REUTERS

Dy delegacione nga Rusia dhe Ukraina kanë nisur bisedimet e paqes në kufirin ukrainas-bjellorus.

Ministri i Jashtëm i Bjellorusisë, Vladimir Makey hapi bisedimet, raportoi media shtetërore bjelloruse dhe publikoi një video.

Delegacioni rus udhëhiqet nga i dërguari special i Kremlinit, Vladimir Medinski. Pala ukrainase udhëhiqet nga kreu i grupit parlamentar të partisë presidenciale, David Arachamija.

Në delegacionin nga Moska janë edhe zëvendësministri i Jashtëm Andrei Rudenko, zëvendësministri i Mbrojtjes Aleksandër Fomin, i dërguari rus në negociatat e të ashtuquajturit Grupi i Kontaktit, Boris Gryzlov dhe eksperti i njohur i politikës së jashtme Leonid Sluzki. Medinski ka qenë ministër i Kulturës.

Delegacioni ukrainas
Delegacioni ukrainasFotografi: Alexandr Kryazhev/Sputnik/SNA/imago images

Përveç Arachamijas, delegacioni ukrainas përfshin ministrin e Mbrojtjes Olexiy Resnikov, këshilltarin presidencial Mychaylo Podolyak, zëvendëskryetarin e delegacionit të Ukrainës në Grupin e Kontaktit trepalësh, Andriy Kostin, deputetin Rustem Umyerov dhe zëvendësministrin e Jashtëm, Mykola Tochytski.

Zyra e Presidentit Zelenski tha se qëllimet kryesore ishin një armëpushim i menjëhershëm dhe tërheqja e trupave ruse. Kryenegociatori rus Medinsk tha se ata donin të gjenin një marrëveshje në interes të përbashkët sa më shpejt të ishte e mundur.

Delegacioni rus
Delegacioni rusFotografi: Alexandr Kryazhev/Sputnik/SNA/imago images

Biden vë kontakt me aleatët

Presidenti i SHBA Joe Biden do të mbajë një konferencë me aleatët sot (28.02.) për të diskutuar zhvillimet në sulmin rus ndaj Ukrainës. Një "do të koordinohet edhe një përgjigje e përbashkët", tha Shtëpia e Bardhë të dielën në mbrëmje. SHBA nuk dhanë detaje se kush do të merrte pjesë në telefonatën në orën 17:15-

Ndërkohë, luftimet në Ukrainë kanë vazhduar. Sipas Moskës, trupat ruse pushtuan dy qytete në Ukrainën juglindore. Ka pasur beteja rreth kryeqytetit Kiev. Sipas Zelenskit, deri tani janë vrarë 4500 ushtarë rusë. OKB-ja konfirmoi më shumë se njëqind civilë të vrarë në Ukrainë. Por numri i viktimave mund të jetë shumë më i lartë, tha Komisarja për të drejtat e Njeriut të OKB-së, Michele Bachelet. Sipas agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët, më shumë se 400.000 vetë kanë ikur nga Ukraina në vendet fqinje.

aud (dlf,ntv)