Monumente përkujtimore
Më 8 Maj 1945 mori fund Lufta e Dytë Botërore në Europë. Me këtë nisi dhe zbardhja e diktaturës naziste dhe e krimeve të saj. Monumentet përkujtimore në mbarë Gjermaninë kujtojnë miliona viktimat dhe luftën.
Kampi i përqendrimit Dachau
Gjatë nacionalsocializmit njëri ndër kampet e para për punë të detyruar u hap në Dachau pranë Mynihut. Vetëm pak javë pas marrjes së pushtetit nga Hitleri në të u borgosën kryesisht kundërshtarët politikë, të cilët u torturuan dhe u vranë prej SS. Dachau shërbeu si model për kampet e përqendrimit që pasuan në territorin e sundimit të nazistëve.
Qendra e dokumentacionit në kuartierin e sallës së kongreseve të partisë NSDAP
Kuartieri i selisë së kongreseve të partisë së rajhut në Nyrnberg nga viti 1933 deri në fillimin e Luftës së Dytë Botërore ishte skena e veprimtarive të mëdha propagandistike të nazistëve. Në kuartierin 11 kilometra katror zhvilloheshin çdo vit paradat me deri në 200.000 njerëz me rastin e kongresit të partisë. Njëri krah i godinës së papërfunduar është kthyer sot në një qendër dokumentacioni.
Shtëpia e konferencës së Wannsee-së
Vila Marlier buzë liqenit të Berlinit Wannsee konsiderohet si një ndër qendrat e planifikimit të Holokaustit. Më 20.1.1942 atje u takuan 15 anëtarët e qeverisë së rajhut dhe SS-ët për të miratuar veprimet e mëtejshme lidhur me gjenocidin ndaj hebrejve. Që nga viti 1992 në mjediset e vilës Marlier ndodhet muzeu përkujtimor dhe qendra arkivore "Shtëpia e konferencës së Wannsee-së".
Kampi i përqendrimit Bergen-Belsen
Kampi i përqendrimit Bergen-Belsen në Saksoninë e Ulët fillimisht shërbente si kamp për robërit e luftës. Në vitet e fundit të luftës në të u vendosën kryesisht të burgosur të sëmurë nga kampet e tjera. Shumica e tyre u vranë me paramendim ose vdiqën nga sëmundjet. Ndër 50.000 viktimat e kampit ishte edhe vajza hebreje Anne Frank, që me botimin posthum të ditarit të saj u bë e njohur në botë.
Memoriali i rezistencës gjermane
Në Bendlerblock të Berlinit ishte qendra e rezistencës ushtarake kundër Adolf Hitler. Një grup oficerësh të Wehrmacht-it përreth kolonelit konti von Stauffenberg dështoi më 20 korrik 1944 në përpjekje për të vrarë Hitlerin. Disa nga pjesëmarrësit u ekzekutuan brenda së njëjtës natë në Bendlerblock. Memoriali atje përkujton sot rezistencën gjermane.
Qendra e vrasjeve Hadamar
Në Hadamar të Hesenit që nga viti 1941 vriteshin njerëzit me sëmundje psiqike dhe me aftësi të kufizuara fizike. Të shpallurit prej nazistëve si "të pavlefshëm për jetë" - gati 15.000 vetë gjetën vdekjen prej injeksioneve me helm dhe prej gazit. Rreth 70.000 vetë ranë viktimë e të ashtuquajturit programi i "Eutanazisë“. Mjediset e qendrës së dikurshme të vrasjeve janë sot muze përkujtimor.
Memoriali i Holokaustit
Si qendra kryesore përkujtimore në Gjermani shërben memoriali në Berlin për hebrejtë e vrarë në Europë. Fare pranë portës së Brandenburgut memoriali u përurua më 10 maj 2005. Arkitekti Peter Eisenman krijoi një fushë me 2711 pllaka betoni në madhësi të ndryshme. Vizitorët mund të kalojnë përmes pllakave të betonit. Kompleki i memorialit plotësohet nga një muze përkujtimor nëntokësor.
Memoriali për homoseksualët e përndjekur
Në formë të ngjashme me memorialin e Holokaustit është ndërtuar edhe një memorial për homoseksualët e përndjekur gjatë kohës së nacionalsocializmit. Memoriali u përurua më 27 maj 2008 në Berlin - Tiergarten. Një hapësirë prej xhami të lejon të shohësh në brendësi, ku shfaqet pandërprerje një film me çifte burrash e grashë duke u puthur.
Memoriali për sintit dhe romët e vrarë
Që nga 2012 përballë godinës së rajshtagut – sot Bundestag – në një kompleks lulishteje ndodhet memoriali në përkujtim të 500.000 sintive dhe romëve të vrarë gjatënacionalsocializmit. Në anë të shatërvanit lexohet në anglisht, në gjermanisht dhe në gjuhën rome poezia "Auzhvic" e Santino Spinellit: "Fytyrë e vrarë/sy të shuar/buzë të akullta/heshtje/zemër e copëtuar/pa frymë/pa fjalë/pa lotë ".
Stolpersteine – gurët përkujtimorë
Artisti gjerman Gunter Demnig nisi në vitet 1990 projektin për zbardhjen e Holokaustit: para ish-shtëpive të viktimave ai ka vendosur gurë të veshur me pllaka tunxhi, në të cilat janë gdhendur emrat dhe rrethanat e vdekjes. Në Gjermani dhe në 17 vende të tjera europiane janë vendosur mbi 45.000 gurë pëkujtimorë, që përbëjnë memorialin më të madh të decentralizuar të Holokaustit në botë.
Qendra e dokumentacionit të nazistëve në Mynih
Më 30 prill 2015, ditën e 70 vjetorit të çlirimit të Mynihut nga nacionalsocialistët, në një vend historik hapet qendra e re e dokumentacionit. Aty ku dikur ishte „shtëpia e murme“ – selia e NSDAP – tani ndodhet një kub i bardhë. Pranë tij në "Führerbau" (godina e fyhrerit) Hitleri kishte zyrën. Pas Berlinit e Nyrnbergut tani edhe Mynihu zbardh një nga kapitujt më të errët të historisë së tij.