Monument përkujtimor në Gjermani për romët e sintit e vrarë e të përndjekur
10 Maj 2006Deri tani nuk ka pasur asnjë monument qendror përkujtimor në Gjermani në nderim të viktimave romë e sinti, të vrarë gjatë periudhës së nacionalsocializmit. Për një kohë të gjatë është debatuar se si duhet të jetë një monument i tillë. Këtë fillim jave, më në fund pas grindjes disa vjeçare u vendos të ndërtohet monumenti për sintit dhe romët e vrarë gjatë nacionalsocializmit.
Gjithnjë kur Romani Roze, kryetari i këshillit qendror të sintive dhe romëve gjermanë, ka qenë për bisedime në kancelari, ai ka dalë me indinjatë prej andej. Kësaj radhe ai bisedoi dy orë rresht me ministrin e shtetit për kulturën, Bernd Nojman dhe më pas në një konferencë shtypi deklaroi kompromisin e arritur. Vlen të theksohet se ky kompromis është një sensacion nisur nga grindjet e vazhdueshme të viteve të shkuara.
Projekti për monumentin nga Dani Karavan do të jetë një sipërfaqe me ujë dhe me një obelisk në qendër, që do të ketë mbishkrimin: "Ne përkujtojmë të gjithë romët, që kanë rënë viktimë e genocidit të planifikuar të nacionalsocialistëve që mbanin të pushtuar Evropën". Përveç kësaj në disa pllakata shtesë do të paraqitet kronologjia e këtij genocidi.
Në këtë kuadër do të rijepet edhe një citat i ish-presidentit Roman Hercog, i cili krimet e nazistëve ndaj "ciganëve" i ka krahasuar me holokaustin ndaj hebrejve. Përdorimit të këtij citati i ka kushtuar peshë të veçantë këshilli qendror i sintive dhe romëve në Gjermani. Nga pala e qeverisë gjermane, grupe të ndryshme parlamentare dhe historianë të ndryshëm gjatë viteve që zhvillohej ky diskutim e kanë kritikuar këtë krahasim.
Kuadri i përcaktuar financiar për projektin prej dy milionë eurosh nuk do të tejkalohet. Ministri i shtetit Neuman tha se është i kënaqur nga bisedimet e zhvilluara: "Mendoj, se ne jemi përpjekur me kujdes që të gjejmë një kompromis. E rëndësishme është që tani do të kemi një monument përkujtimor. Kjo do të thotë se këtej e tutje s´do të kemi më nevojë për diskutime dhe ekspertiza të tjera shkencore lidhur me ndonjë term. E rëndësishme të dihet, është gjithashtu se kemi të bëjmë me genocid të ushtruar në një mënyrë brutale dhe të planifikuar. Ne i përmbahemi detyrimit që ta përkujtojmë këtë me një monument."
Edhe Romani Roze, kryetar i këshillit qendror të sintive dhe romëve në Gjermani ishte mjaft i çliruar: "Mendoj, se me këtë monument shteti merr përsipër një përgjegjësi jo në aspektin financiar, por në kuptimin e përgjegjësisë për të mos lejuar më asnjë formë të përjashtimit, diskriminimit dhe përndjekjes. Për këtë është i angazhuar shteti demokratik në Republikën Federale të Gjermanisë.
Edhe për brezat e ardhshëm është e rëndësishme që demokracia gjermane tërheq vëmendjen edhe për këtë kapitull të historisë.