Scholz dhe 'zjarret' në Ballkanin Perëndimor
10 Qershor 2022Më 4 qershor 2022 një burrë i maskuar shkoi me biçikletë tek klubi kulturor bullgar, Vanço Mihailov në qytetin e Manastirit në Maqedoninë e Veriut dhe i vuri zjarrin derës. Edhe pse përveç derës në ndërtesë nuk pati shumë dëmtime, zjarri rindezi konfliktin e ashpër politik të marrëdhënieve maqedono-bullgare në vitet e fundit.
Edhe pse zjarrvënësi u arrestua shpejt, politikanët në të dy anët e kufirit e shfrytëzuan shpejt incidentin. Presidenti bullgar, Rumen Radev, tha se sulmi me zjarrvënie "ishte një tjetër provokim, pjesë e një fushate të gjatë antibullgare në Maqedoninë e Veriut". Qeveria e Maqedonisë së Veriut e dënoi incidentin. Megjithatë pati thirrje nga të paktën një parti opozitare dhe shumë individë në rrjetet sociale për protesta në mbështetje të zjarrvënësit.
Klubi bullgar mban emrin e Vanço Mihailovit, një revolucionar bullgar, i cili bashkëpunoi me nazistët në Luftën e Dytë Botërore. Hapja e këtij klubi rreth dy muaj më parë u promovua nga politikanët bullgarë si një veprim pajtues, por ndezi një stuhi zemërimi në Maqedoninë e Veriut. Presidenti Stevo Pendarovski e dënoi emrin e zgjedhur nga Sofja si një provokim që "nuk kontribuon në afrimin midis dy popujve".
Këto janë aspekte që kancelari gjerman Olaf Scholz duhet t'i ketë parasysh gjatë vizitës në Shkup dhe Sofje më 11 qershor 2022, në një përpjekje për të gjetur një kompromis që synon fillimin e negociatave të pranimit në Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut. Në sfondin e luftës agresore të Rusisë ndaj Ukrainës zgjerimi i BE-së është më i rëndësishëm se kurrë.
Probleme me fqinjët
Ish-ministri i Jashtëm maqedonas, Nikola Dimitrov e sheh vizitën e Scholz-it si një "kulmim të përpjekjeve diplomatike gjermane për të bërë një hap të rëndësishëm përpara jo vetëm për Ballkanin, por edhe për Ukrainën". "Ky problem”, tha Dimitrov për DW, "e bën BE-në të paaftë gjeo-politikisht në rajonin e saj”.
BE-ja është e prirur të demonstrojë aftësinë e saj për të ndërmjetësuar për problemet brenda fqinjësive evropianë dhe në të njëjtën kohë të parandalojë Rusinë, Kinën dhe lojtarët e tjerë rajonalë që të hyjnë në Ballkanin Perëndimor. Dy nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor - Serbia dhe Mali i Zi - janë tashmë në negociata për anëtarësimin e plotë në BE dhe Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina shpresojnë të bëhen kandidate. Ndërkohë, një veto bullgare ka bllokuar proceset e pranimit të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë për dy vitet e fundit.
Ukraina ndërlikon anëtarësimin e Ballkanit në BE
Berlini e sheh zgjerimin e BE-së si një nga shtyllat kryesore të politikës së tij evropiane, gjë që është edhe pjesë e marrëveshjes së koalicionit të qeverisë. Por Scholz nuk është i vetëm në përpjekjet e tij diplomatike.
Më 6 qershor 2022, presidenti francez Emmanuel Macron telefonoi me homologët e tij në Maqedoninë e Veriut dhe Bullgari për të ofruar Parisin si vend për nënshkrimin e marrëveshjes dypalëshe "kur të vijë koha". Por koha është një luks që askush nuk e ka aktualisht. Parisi po bën presion për një zgjidhje deri në fund të qershorit 2022, kur përfundon presidenca franceze e BE-së.
Kërkesa e Ukrainës për anëtarësim në BE i ndërlikon më tej gjërat. Hapja e negociatave me Kievin në qershor 2022 përbën një problem për Brukselin, pasi disa vende të Ballkanit Perëndimor po presin me vite që anëtarësimi i tyre të konkretizohet.
Më 9 maj, i pyetur për kërkesën e Ukrainës për anëtarësim në BE, Scholz iu referua drejtpërdrejt kësaj situate gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Macronin në Berlin. Shumë prej tyre vendeve të Ballkanit kanë bërë tashmë përgatitje të gjera dhe kanë marrë vendime të guximshme. Prandaj një guxim i tillë duhet të shpërblehet, si p.sh. në rastin e Maqedonisë së Veriut, tha Scholz-i.
Jo kompromise jetëshkurtra dhe sipërfaqësore
Komisioni Evropian dhe shumica e vendeve anëtare të BE-së, përfshirë Gjermaninë, nuk duan të lejojnë që mosmarrëveshjet dypalëshe mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut të bëhen pjesë e kornizës negociuese, por janë të gatshëm të bëjnë kompromis, nëse Shkupi dhe Sofja gjejnë një lloj dakordimi për to.
Ish-ministri i Jashtëm maqedonas, Dimitrov paralajmëron se zgjidhje të tilla diplomatike vetëm do ta shtynin problemin duke e "lëvizur veton bullgare në kornizën e negociatave", duke i mundësuar Sofjes të bllokojë më tej Maqedoninë e Veriut gjatë negociatave të anëtarësimit. "Të gjithë duhet të jenë të kujdesshëm, sepse një hap i tillë mund të rezultojë lehtësisht si jetëshkurtër dhe sipërfaqësor."