1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Arratisja e Gruevskit: Miqësia e ish-kryeministrit me Orban

15 Nëntor 2018

Kryeministri hungarez, Viktor Orbán është i lidhur me miqësi me ish-homologun maqedonas, Nikola Gruevski. Arratisja e Gruevskit në Budapest e vendos Orbánin tani para problemeve të mëdha.

https://p.dw.com/p/38H0C
Mazedoenien Nicola Gruevski und Viktor Orban
Fotografi: picture-alliance/dpa/epa/L. Soos Hungary

Historia mund të përdoret për një melodramë politike. Në fakt ajo është reale. Ajo ka të bëjë me rënien e madhe të një ish-kryeministri kriminel dhe se si një vend i BE, bëhet bashkëpunëtor i tij. Ish-kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski, që ka qeverisur vendin e tij nga 2006 në 2016 me metoda autoritare dhe mafioze dhe është dënuar me dy vjet për korrupsion, ka fluturuar për në Hungari megjithëse i është konfiskuar pasaporta dhe ka kërkuar aty azil politik.

Mbetet e paqartë se si ka arritur ai të largohet. Që Gruevski ndodhet në Hungari, e ka treguar vetë ditën e martë me një postim në facebook. Ai shkruante: "Do i mbetem besnik Maqedonisë. Nuk dorëzohem kurrë."

Shkupi konfirmon largimin

Konfirmim zyrtar nga autoritetet hungareze për kërkimin e azilit nga Grueski nuk është bërë. I pyetur nga Deutsche Welle, një zëdhënës i qeverisë hungareze bëri të ditur se as nuk e hedh poshtë as nuk e konfirmon njoftimin për Gruevskin. Për procesin e azilit qeveria nuk mund të japë të dhëna deri në fund të procesit.

Mazedonien Screenshot der Facebook Seite des mazedonischen Ex-Premierminister Nikola Gruevski
Fotografi: Facebook/Nikola Gruevski

Konfirmimin për arratisjen e Gruevskit në Hungari e bëri dje në mbrëmje Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, e cila bëri të ditur se është informuar nga pala hungareze se Gruevski ndodhet në Hungari. Autoritetet maqedonase nxorrën njëkohësisht një urdhërarresti ndërkombëtar. Po ashtu Ministria e Jashtme e Maqedonisë thirri ambasadorin hungarez në Shkup. Megjithatë deri tani qeveria hungareze vazhdon me këmbëngulje të heshtë.

Për të kuptuar dimensionet e rastit, duhet kujtuar historia e Gruevskit dhe miqësia e tij shumëvjeçare me kryeministrin hungarez, Viktor Orbán. Ish-kryeministri maqedonas ka qeverisur deri në largimin e detyruar prej një revolucioni të shoqërisë civile më 2016, me metoda që vëzhguesit politikë i krahasojnë me kriminalitetin e organizuar. Kjo dëshmohet nga mijëra dokumenta, inçizime audiosh, të vlerësuara dy vitet e fundit nga Prokuroria maqedonase. Gruevski dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë kanë përgjuar në masë kundërshtarët politikë dhe i kanë kërcënuar ata sistematikisht. Ata kanë fallsifikuar rregullisht zgjedhjet dhe kanë futur një sistem të përgjithshëm të korrupsionit politik.

Çështja me limuzinën - një nga shumë rastet

Në maj të këtij viti Gruevski u dënua për marrjen e padrejtë si trashëgimi të një limuzine luksoze. Dënimi është dy vjet burgim. Megjithatë disa procese të tjera gjyqësore janë duke u përgatitur për raste më të rënda. Meqenëse dëshmitë janë të shumta, Grevski duhet të presë dënime të tjera shumëvjeçare.

Megjithëse vitet e fundit të tij në qeverisje ai ishte i izoluar ndërkombëtarisht, kryeministri hungarez Orbán ishte një nga të paktët që vazhdoi t' i qëndronte në krah, edhe pas largimit nga posti. Një vit më parë, Orbán doli në fushatë zgjedhore në Maqedoni së bashku me Gruevskin dhe me ish-kryeministrin slloven Janez Jansa, po ashtu të dënuar për korrupsion, në një kohë që Gruevskit i ishte konfiskuar pasaporta. Në atë kohë mediat hungareze bënë spekulime nëse Orbán i kishte premtuar Gruevskit azil në Hungari.

Shërbimi i fundit publik i Orbánit për Gruevskin ndodhi me rastin e referendumit për çështjen e emrit në Maqedoni, në fund të shtatorit, ku në një mesazh të dhënë me video për partinë e Gruevskit VMRO-DPMNE, një mesazh me shumë kuptime që mund të interpretohej edhe si refuzim për kompromisin e arritur për çështjen e emrit me Greqinë. Por, marrëdhëniet midis Orbán dhe Gruevskit janë shumë më tepër se kaq. Kështu për shembull biznesmenët e partisë së Orbánit, partia Fidesz kanë investuar në Maqedoni në mediat e afërta me VMRO.

Miqësi burrash me kuptim më të thellë

Në përgjithësi është pjesë e strategjisë politike të Orbánit dhe qeverisë së tij, të mbështesë udhëheqësit autoritarë të Ballkanit dhe të mbrojë integrimin e shpejtë të rajonit në BE. Orbán shpreson forcimin e planeve të tij për reformimin e BE-së, që ka so synim sovranitet më të madh për shtetet dhe heqjen e proceseve të shtetit të së drejtës. Orbán ka raporte miqësore të mira me presidentin serb, Aleksandar Vucic dhe atë malazez, Milo Gjukanovic.

Bildergalerie Mazedonien Nikola Guevski Ex-Premierminister Wahlplakat
Fotografi: Getty Images/AFP/D. Dilkoff

Por rasti i Gruevskit e vendos tani Orbánin si dhe qeverinë e reformuar të kryeminstrit maqedonas Zoran Zaev, para problemeve serioze në politikën e brendshme dhe të jashtme. Sepse ai shtron pyetje të shumta. Pse nuk u ruajt Gruevski më mirë nga autoritetet maqedonase? Ose a është policia dhe shërbimi sekret i Zaevit në gjendje të kontrollojë si duhet? Sidoqoftë prej javësh ka qenë ditur se në fillim të nëntorit ish-kryeministri duhet të fillojë të shlyejë dënimin. Edhe për largimin e Gruevskit ka pasur pika dëshmuese.

Problem për Orbanin

Në rastin e Hungarisë pyetjet janë: Si mund të futej Gruevski në Budapest pa pasaportë? Hungaria është vend i BE, kufijtë e të cilit ruhen me metodat më të mira. Sipas ligjeve hungareze në fuqi, Gruevski duhet të jetë duke qëndruar në një zonë tranziti për azilkërkuesit. Nëse ai është futur nga Serbia, atëherë sipas ligjeve hungareze, ai duhet të dëbohet dhe kthehet mbrapsht në Serbi, sepse Serbia shihet nga Hungaria si vend i sigurt dhe futja e azilkërkuesve nga Serbia, shihet si arsye për refuzim automatikisht të kërkesës së azilit.

Deri tani kryeministri hungarez ka vlerësuar në praktikën e tij politike respektimin e rregullave demokratike dhe legalitetin. Organ ndodhet para dilemës më të madhe të jetës së tij. Ai duhet të vendosë nëse do të ndihmojë hapur një njeri të dënuar në mënyrë korrekte apo do të respektojë ligjet në fuqi dhe të drejtën ndërkombëtare.

 

Keno Verseck, flokë të shkurtra, të kuqërreme, me kaçurela, pas syzeve me skelet të hollë një shikim i buzëqeshur drejt objektivit të kamerës.
Keno Verseck Redaktor, autor dhe reporter