Minoritetet gjermane në Europë
11 Nëntor 2016Para një çerek shekulli me iniciativcën e Ministrisë Federale të Punëve të Brendëshme u krijua Bashkësia e Punës së Minoriteteve Gjermane (AGDM). Ky forum jozyrtar u mundëson shoqatave nga Europa dhe shtetet pasuese të Bashkimit Sovjetik - nën ombrellën e FUEN (Federal Union of European Nationalities) – një shkëmbim intensiv si dhe bashkëpunim konkret në shumë fusha.
Në ditën e jubileut të 25 në Berlin morën pjesë mbi 50 përfaqësues nga 29 organizata të minoriteteve nga 19 vende të Europës dhe Azisë Qendrore. Për Republikën Federale të Gjermanisë (RFGJ) këto shoqata kanë rëndësi të madhe, sepse ato në vendet e tyre angazhohen jo vetëm për ruajtjen e kulturës gjermane e të gjuhës, por edhe për mirëkuptimin mes popujve. Angazhimi i tyre sivjet u vlerësua edhe nga kancelarja Angela Merkel me një pritje personalisht në kancelari në Berlin.
Gjuha si tipar i ruajtjes së identitetit
Situata e minoriteteve gjermane në Europë është e ndryshme dhe varet prej kontekstit hisotirk në vendin përkatës,ku ata jetojnë. Lufta e II Botërore, e kaluara naziste dhe diktatura komuniste kryesisht në Europën Qendrore dhe Lindore si dhe në Azinë Qendrore kanë shkaktuar ndryshime të konsiderueshme. Në shumë rajone dëbimet, por edhe emigracioni në RFGJ e asimilimi në vendet përkatëse i kanë vendosur organizatat e minoriteteve përpara detyrave të reja. Në bashkëpunim me qeverinë në Gjermani dhe në vendet, ku jeton ky minoritet janë hartuar programe, për të mbështetur ruajtjen e kulturës dhe gjuhës së minoritetit gjerman.
Hartmut Koschyk, deputet i Bundestagut, i ngarkuari i qeverisë gjermane për çështjet e të riatdhesuarve, është një ndër përkrahësit më të rëndësishëm të bashkëpunimit me qeverinë në Gjermani. "Vendimtare është, që vërtetë të arrihet të ruhet gjuha gjermane si një tipar i ruajtjes së identitetit, pavarësisht se në cilin vend të Europës ata jëtojnë", thotë Koschyk. Për DW ai shton mëtej, se janë të nevojshme përpjekje të veçanta, për ta ruajtur gjermanishten jo thjeshtë si një gjuhë të huaj të folur, por që ajo të jetë një gjuhë e gjallë amtare e një minoriteti.
Mosrespektimi i të drejtave të minoriteteve në Poloni
Por jo kudo këto përpjekje hasin në tokë pjellore. Rasti më i fundit i nënvlerësimit të hapur të minoritetit gjerman ndodh aktualisht në Poloni. Në Silezi me planifikimin e rritjes së qytetit Opeln kuota në përqindje e popullsisë gjermane si rrjedhojë e përfshirjes së disa komunave në administratën e qytetit do të zvogëlohet ndjeshëm. Si rrjedhojë minoriteti nuk do të ketë përfaqësues në këshillat komunal, tabelat e sinjalistikës në dy gjuhë do të hiqen, gjermanishtja do të humbasë statusin si gjuhë e dytë në administratë.
Rafal Bartek, kryetar i shoqatës social-kulturore të gjermanëve në Opeln të Silezisë, i tha DW-së se nuk ka shenja për një zgjidhje. Protetstat e njerëzve të prekur kundër këtij vendimi janë injoruar prej qeverisë qendrore në Varshavë. "kemi të bëjmë këtu me një shkelje të qartë të të drejtave të minoritetit. Madje nuk respektohet as e drejta polake për minoritetet dhe as marrëveshja europiane për të drejtat e minoriteteve", thekson Bartek. Bartek nuk e përjashton një padi të komunave pranë Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Përfaqësuesi i minoriteteve president i Rumanisë
Krejt ndryshe është përvoja e minoritetit gjerman në Rumani. Ndonëse vetëm gati 40.000 gjermanë jetojnë kryesisht në Transilvani dhe në Banat, ky minoritet është një shembull për integrimin dhe pjesëmarrjen aktive në jetën politike dhe shoqërore. Përfaqësuesi kryesor i këtij minoriteti Klaus Johannis në vitin 2014 u zgjodh president i Rumanisë. Por edhe në këtë vend minoriteti gjerman ka nevojë për mbështetjen nga Gjermania, në radh ëtë parë sa i përket arsimit. Shkollat gjermane në Rumani kanë një traditë shekullore dhe ato nuk u mbyllën as gjatë kohës së diktaturës komuniste.