Ministri i Mbrojtjes Pistorius viziton komandën në Lituani
22 Maj 2024Në një vizitë në kryeqytetin Vilnius, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius i falënderoi ushtarët për angazhimin e tyre dhe tha se dislokimi në krahun lindor të NATO-s ishte i paprecedentë në historinë e Republikës dhe Forcave të Armatosura gjermane.
"Është vërtet një hap i veçantë hapi” që po bën Gjermania këtu. Krijimi i brigadës është në rrugë të mbarë.
Në përgjigje të situatës në zhvillim të sigurisë në Evropë, qeveria federale njoftoi vendosjen e përhershme të një njësie luftarake gjermani në Lituani për të ndihmuar në sigurimin e krahut lindor të NATO-s. Brigada duhet të përbëhet nga pothuajse 5000 ushtarë dhe do të jetë operacionale deri në vitin 2027. Një komandë pararojë e trupave, e përbërë nga rreth 20 ushtarë mbërriti në Lituani më 8 prill.
12000 ushtarë gjermanë në stërvitjen "Grand Quadriga”
Pas takimit me njësinë e pararojës së trupave, Pistorius vazhdoi rrugën për në bazën ushtarake të Pabradës. Aty ai ndoqi në fushën më të madhe të stërvitjes së Lituanisë një stërvitje ushtarake me municion të vërtetë. Ushtrimi simuloi një sulm nga një fuqi ushtarake kundër territorit të Aleancës. Vetë Pistorius u fut në një nga tanket Leopard 2, që u dërgua në fushën e gjerë dhe me bimësi të rrallë të terreni stërvitor.
Stërvitja ushtarake me emrin "Grand Quadriga” ishte pjesë e stërvitjes mbrojtëse të NATO-s "Mbrojtësi i palëkundur” – manovra më e madhe e NATO-s që nga fundi i Luftës së Ftohtë 35 vite më parë. Gjermania merr pjesë në stërvitje me 12.000 ushtarë të Bundeswehr-it dhe disa ushtrime të veta.
Lituania kufizohet me Bjellorusinë, një aleate e Rusisë, si dhe me enklavën ruse të Kaliningradit, në Detin Baltik. Mes dy vendeve kalon një korridor i ngushtë tokësor që shkon në perëndim nga Lituania në Poloni - i ashtuquajturi Hendeku Suwalki, rreth të cilit mund të shpërthejnë luftimet në rast të një sulmi. Për lituanezët, vendosja e trupave gjermane është një garanci e dëshiruar e detyrimit për mbështetje të NATO-s.
dpa