1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministri gjerman i Financave viziton Kievin

14 Gusht 2023

Për herë të parë që nga fillimi i sulmit rus, Ministri i Financave Lindner po viziton Ukrainën. Sipas tij, është një moment i veçantë dhe emocionues për të që të jetë në Kiev.

https://p.dw.com/p/4V9Al
Ukraine, Christian Lindner
Fotografi: Thomas Imo/photothek/picture alliance

Ministri gjerman i Financave, Christian Lindner, gjatë bisedimeve të tij me kryetarin e bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko e siguroi Ukrainën për mbështetje shtesë financiare.

Në takim u diskutua edhe për shpërndarjen e sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe armëve me rreze të gjatë. Klitschko këmbënguli se nuk duhet të ketë vonesa në këtë fushë. E ardhmja e rendit evropian të paqes dhe lirisë po luhet në Ukrainë.

Kjo është hera e parë që ministri gjerman i Financave e viziton Ukrainën që nga fillimi i luftës. Ai dëshiron të studiojë mundësi konkrete për të ndihmuar Ukrainën të tërheqë investime të huaja si dhe në fushën e administratës dhe doganave.

Për të, është një kohë e veçantë dhe emocionale të jesh në Kiev, tha Lindner. Ai ishte për herë të fundit atje në fillim të vitit 2020 dhe zbuloi një vend që ka zgjedhur demokracinë dhe ekonominë e tregut. Lindner tha se tani është më shumë se kurrë i bindur se pikërisht për këtë arsye Ukraina u sulmua nga Rusia.

"Ukraina nuk duhet ta humbasë këtë luftë".

Lindner tha se në Ukrainë ruhen vlerat perëndimore. "Kjo ka të bëjë me të ardhmen e rendit evropian të paqes dhe lirisë". Gjermania do të vazhdojë të qëndrojë krah për krah krah Ukrainës, shtoi ai. "Ukraina nuk duhet ta humbasë këtë luftë".

Christian Lindner dhe Vitali Kliçko
Christian Lindner dhe Vitali KliçkoFotografi: Andreas Hoenig/dpa/picture alliance

Lindner do të takohet, ndër të tjera, me homologun e tij ukrainas Serhiy Marchenko në Kiev. Ministria Gjermane e Financave dëshiron të ndihmojë Ministrinë e Financave të Ukrainës për të përcaktuar që Ukraina të bëhet më tërheqëse për investimet e huaja direkte dhe si të mbështesë konkretisht administratën, tha Lindner. Ne duam të flasim për çështje shumë konkrete të bashkëpunimit.

"Është gjithmonë një përshtypje e ndryshme që krijon kur je vetë në vend sesa kur takohesh në dhomat e mbledhjeve në Uashington, Bruksel apo Berlin”.

Ndihmë financiare shumë miliardëshe

Gjermania mbështet luftën mbrojtëse të Ukrainës, veçanërisht duke e furnizuar atë me armë. Aktualisht po zhvillohet një debat për një shitje të mundshme të raketave të tipit "Taurus”. Kancelari gjerman Olaf Scholz ishte i rezervuar për këtë temë dje në kanalin televiziv ZDF. Si në të kaluarën, qeveria federale do të shqyrtojë gjithmonë çdo vendim individual me shumë kujdes, tha Scholz

Gjermania e ndihmon Ukrainën edhe financiarisht. Lindner foli për një ndihmë totale dypalëshe nga qeveria federale për Ukrainën dhe njerëzit që ikën nga vendi prej 22 miliardë eurosh. Kjo shumë përfshin gjithashtu fonde për strehim, ushqim dhe mbështetje për njerëzit që kanë ikur nga Ukraina. Ndihma ushtarake arriti në më shumë se 12 miliardë euro.

Për më tepër, Gjermania dhe kreditorët e tjerë kanë njoftuar në korrik 2022 se do t'i jepnin Ukrainës një afat kohor për shlyerjen e borxheve të saj. Moratoriumi mbi borxhin e Ukrainës u zgjat marsin e kaluar deri në vitin 2027.

Shtyrja e pagesës duhet t'i japë Ukrainës fleksibilitet shtesë për likuiditet dhe të ruajë funksionet e saj shtetërore, bëri të ditur Ministria e Financave. Ukraina kishte përfituar gjithashtu nga injeksione financiare nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Gjysma e buxhetit varet nga financimi i huaj

Në përvjetorin e luftës së sulmit të Rusisë kundër Ukrainës më 24 shkurt, Lindneri tha: "Politikisht, ushtarakisht, financiarisht, ne do të qëndrojmë me Ukrainën derisa të vendosë vetë për këtë luftë". Gjermania gjithashtu ka premtuar tashmë mbështetje për Ukrainën për rindërtim.

Sipas Ukrainës, aleatët perëndimorë i kanë ofruar më shumë se 170 miliardë euro në ndihmë financiare, ushtarake dhe humanitare që nga fillimi i luftës. Më shumë se gjysma e buxhetit të Ukrainës varet nga financimi nga jashtë.

aud (dlf, tgsch)