1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania ngre nivelin e alarmit për furnizimin me gaz

30 Mars 2022

Ministri i Ekonomisë Robert Habeck u ka bërë thirrje bizneseve dhe individëve që të përpiqen të reduktojnë konsumin e energjisë sa më shumë, ndërsa Gjermania përpiqet të heqë dorë nga varësia e saj nga gazi rus.

https://p.dw.com/p/49ESe
Robert Habeck PK Wirtschaft Gas Russland
Fotografi: Bernd von Jutrczenka/dpa/picture alliance

Ministri gjerman i Ekonomisë dhe Zëvendëskancelari Robert Habeck aktivizoi nivelin e paralajmërimit të hershëm për furnizimet me gaz të mërkurën pasi Moska vazhdoi të kërkojë pagesën për gaz në rubla.

Kjo masë është e para nga një seri e tre niveleve të alarmit dhe çon në krijimin e një celule krize brenda kabinetit të tij për t'u marrë me stabilitetin e furnizimit me gaz të vendit. Magazinat i gazit në Gjermani aktualisht janë të mbushura me rreth 25% të kapacitetit të tyre, tha Habeck.

"Aktualisht nuk ka mungesë furnizimi,” shpjegoi ai. "Megjithatë, ne duhet të forcojmë masat paraprake në mënyrë që të jemi gati në rast të një përshkallëzimi nga Rusia."

Habecku u bëri thirrje bizneseve dhe individëve që të përpiqen të kufizojnë konsumin e tyre të energjisë sa më shumë që të jetë e mundur, ndërsa Gjermania përpiqet të heqë dorë nga varësia e saj nga gazi rus.

Plani i emergjencës me tre hapa përcakton mënyrat për të kursyer gazin, për të siguruar furnizime dhe për të siguruar që familjet të kenë sasi të mjaftueshme karburanti.

Putini u kërkon shteteve "jomiqësore" të paguajnë në rubla

Javën e kaluar, presidenti Vladimir Putin njoftoi se Rusia Gjermaninë dhe "shtetet e tjera jomiqësore" do t'i furnizonte me gaz vetëm përkundrejt pagesës në rubla, një lëvizje që ka të ngjarë të mbështesë rënien e monedhës, për shkak të sanksioneve perëndimore që lidhen me pushtimin e Ukrainës nga Moska.

Vendet perëndimore kanë thënë se nuk do të përmbushin kërkesën e Rusisë.

Të martën, Moska ripohoi se do të pranonte vetëm pagesa në rubla për dërgesat e gazit në Bashkimin Evropian.

Si ka reaguar industria gjermane?

Përfaqësues të industrisë gjermane reaguan pozitivisht ndaj shpalljes së alarmit.

Shoqata ombrellë e industrisë së energjisë dhe ujit BDEW tha se ky ishte një hap i rëndësishëm përballë rrezikut të kërcënimit të ndërprerjejes së furnizimit me gaz.

 Symbolbild Gasembargo
Fotografi: Christian Ohde/Chromorange/picture alliance

"Megjithëse aktualisht nuk ka mungesë gazi, të gjitha palët e përfshira duhet të kenë një udhërrëfyes të qartë të të drejtave dhe detyrimeve të tyre në rast të një ndërprerjeje të furnizimit," tha Kerstin Andreae, Drejtoreshë e BDEW.

Drejtori i Agjencisë Federale të Rrjetit, Klaus Müller, u bëri thirrje gjithashtu konsumatorëve dhe bizneseve që të luajnë rolin e tyre në përballimin e situatës. Ai theksoi nevojën për të reduktuar konsumin e energjisë dhe për t'u përgatitur "për të gjithë skenarët".

Varësia e madhe e Gjermanisë nga gazi rus

Gjermania është shumë e varur nga gazi rus për nevojat energjetike, me më shumë se gjysmën e furnizimeve të saj me lëndë djegëse fosile që vijnë nga Rusia, duke e bërë ekonominë më të madhe të Evropës veçanërisht të prekshme ndaj ndikimit ekonomik të luftës në Ukrainë.

Javët e fundit, Gjermania ka përshpejtuar planet e saj për të reduktuar varësinë e saj dhe për të diversifikuar furnizimet e saj.

Aktualisht është aktivizuar faza e parë e alarmit. Në fazën e dytë tregu duhet ta menaxhojë vetë çrregullimin. Ky nivel i alarmit vendoset kur situata e furnizimit me gaz përkeqësohet ndjeshëm - për shembull për shkak të një çrregullimi në furnizimin me gaz ose një kërkesë jashtëzakonisht të lartë për gaz. Sidoqoftë, në këtë fazë tregu është ende në gjendje të menaxhojë vetë çrregullimin, thonë rregulloret.

Shkalla e fundit, e tretë është shkalla e situatës së emergjencës. Kjo shkallë aktivizohet kur kërkesa për furnizim me gaz është jashtëzakonisht e lartë, ose kur ka çrregullim në furnizimin me gaz ose kur gjendja e furnizimit çrregullohet nga faktorë të tjerë. Në këtë fazë, të gjithë instrumentat e rëndësishwm të tregut nuk janë më në gjendje ta menaxhojnë kërkesën për gaz.

Nëse situata përkeqësohet dhe Gjermania detyrohet të zbatojë nivelin e saj më të lartë të alarmit, në këtë rast shpërndarjen e merr përsipër shteti, Agjencia e Rrjetit Federal (Bundesnetzagentur) për të siguruar një furnizim adekuat me gaz për "klientët e mbrojtur", d.m.th., familjet dhe spitalet, ndër shërbimet e tjera thelbësore.

aud (dw, dlf)