Ministrat e Jashtëm të BE-së në takim informal në Qipro
8 Shtator 2012Tema e euros nuk kishte si të mbetej jashtë takimit informal të ministrave të Jashtëm të BE-së në Paphos të Qipros. Vendimi i Bankës Qendrore Evropiane, për të blerë në rast nevoje në masë të pakufizuar obligacionet e shteteve të futura në borxhe ka bërë bujë të madhe. Me padurim është pritur sidomos reagimi i shefit të diplomacisë gjermane, Guido Westerwelle. Gjermania është në fund të fundit ajo që merr përgjegjësinë për pjesën më të madhe të masave ndihmëse për euron, po ashtu edhe për ndihmat indirekte përmes Bankës Qendrore Evropiane.
Por Gjermania është e ndarë për sa i përket vendimit të Bankës Qendrore Evropiane. Shefi i Bankës Federale Jens Weidmann ka luftuar i dëshpëruar kundër asaj që ai e sheh si financim shtetëror përmes shtypjes së monedhave. Dhe po ashtu disa politikanë drejtues të koalicionit qeveritar nga radhët e CDU/CSU dhe FDP-së kanë shprehur dyshime në lidhje me veprimet e shefit të Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi. Megjithatë ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle (FDP) u tregua shumë i qetë në Paphos. Gjermania ka dëshiruar një bankë qendrore të pavarur prandaj ajo duhet të pranojë edhe një vendim të pavarur të bankës, u shpreh Westerwelle.
Westerwelle sheh dritë në euro-horizont
Ndryshe nga lideri i liberalëve (FDP), Philipp Rösler, i cili nuk e sheh më si diçka të tmerrshme një largim të mundshëm të Greqisë nga bashkimi monetar, Westerwelle u tregua edhe në Phapos mjaft evropian: "Askush në Bashkimin Evropian nuk duhet të heqë dorë as nga një vend i vetëm i eurozonës." Për herë të parë pas shumë muajsh ai sheh "pak dritë në horizont." Në Portugali dhe Irlandë ka pasur progres në konsolidimin e buxhetit, dhe Italia dhe Spanja janë shprehur në mënyrë të qartë për reformat.
Homologu i tij spanjoll José Manuel García Margallo e ndjen veten të konfirmuar nga vendimi i Bankës Qendrore Evropiane. Në Phapos ai tha: "Fakti që vetëm disa fjalë i qetësuan tregjet tregon se ai ishte i drejtë dhe i duhur." Pas konferencës për shtyp të presidentit të BQE-së, Mario Draghi të enjten (06.09.2012), Spanja arriti qartë të rifinancojë dukshëm më lirë në tregun e kapitaleve.
Sanksione të reja kundër Sirisë
Një prej temave qendrore në takimin e ministrave të Jashtëm ishte të shtunën konflikti në Siri. Si përgjigje ndaj dhunës së vazhdueshme në Siri, Bashkimi Evropian vendosi sanksione të reja ndaj qeverisë në Damask. "Është rënë dakord për të forcuar sanksionet kundër Sirisë," tha ministrja e Jashtme qipriote Erato Kozakou-Markoullis, e cila aktualisht është kryesuese e takimeve të BE-së. Përveç kësaj, BE-ja dëshiron të shtojë ndihmën e saj humanitare për viktimat e konfliktit.
"Ka një marrëveshje për të rritur presionin mbi Sirinë, për t'i dhënë fund dhunës dhe për të lehtësuar shpërndarjen e ndihmave humanitare në të gjithë vendin," tha ministri i Jashtëm spanjoll José Manuel García Margallo. Detajet e raundit të ri të sanksioneve tani do të hartohen nga shefja e diplomacisë evropiane Catherine Ashton dhe ekspertët e saj, njoftoi ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius. "Nëse ne duam të lëvizim nga situata e krijuar atëherë duhet të ashpërsohen sanksionet ndaj klanit Assad", tha Fabius.
Mungesë globale e ujit, mungesë e ujit në Qipro
Një nga temat e takimit dy-ditor të ministrave të Jashtëm në Qipro ishte uji, thënë më saktë, mungesa e ujit. Mungesa e ujit është ndjerë edhe në Qipro. Në mungesën e ujit këtu kanë ndikuar edhe numri i madh i parqeve të golfit. Pikërisht vendi ku po zhvillohej konferenca (Aphrodite Hills Resort), është një parajsë e tillë për ata që duan të luajnë golf. Megjithatë e ngakruara e BE-së me politikën e jashtme Catherine Ashton ka më shumë në mendje zona jashtë Evropës, për shembull në Lindjen e Mesme, Luginën e Nilit apo në Jemen.
"Uji është një aset strategjik, dhe ndoshta problemi më i madh i politikës së jashtme në të ardhmen në shumë pjesë të botës", ka shkruar Ashton në ftesën e saj drejtuar ministrave. Edhe Westerwelle me të arritur në Phapos përshendeti vendimin e Ashton, për të futur në rend të ditës temën e ujit: "Uji është shpesh arsye e mjaftueshme për konflikte. Prandaj ne duhet të mbështesim politikën parandaluese të krizave dhe zhvillimin e një qasje proaktive për përdorimin e ujit."