Miniatur Wunderland – Një magnet turistik
Hekurudha më e madhe në botë në miniaturë ndodhet në Hamburg. Sivjet, sipas një sondazhi nga Qendra Gjermane e Turizmit, Miniatur Wunderland u klasifikua si atraksioni më i preferuar nga turistët e huaj në Gjermani.
Çaste italiane
Krejt e re: "Bella Italia".Një ndër destinacionet më të preferuara për pushuesit nga e gjithë bota, u tkurr tek bota në miniaturë plot detaje të paraqitura në një sipërfaqe prej 190 metrash katrorë. Trenat ndalojnë në Romë, turistët vërshojnë drejt shkallëve spanjolle, udhëtimi vazhdon drejt brigjeve të Ligurias. Pika kulmore është shpërthimi i vullkanit Vezuv i paraqitur në shkallën 1:87.
Gjithçka në fillim
Temat e para, me të cilat u përurua para 15 vjetësh Miniatur Wunderland ishin Austria dhe Gjermania e Mesme me qytetin fantastik Knuffingen. Në ditën e përurimit në gusht 2001 erdhën vetëm 200 vizitorë. Sot bota në miniaturë e Hamburgut tërheq mbi një milionë vizitorë në vit nga mbarë bota.
Filharmonia e Elbës e përfunduar
Projekti voluminoz i ndërtimit të Filharmonisë së Elbës në Hamburg, që ende është në ndërtim, të paktën në parkun Miniatur Wunderland është i përfunduar. Vonesat në projektin e ndërtimit dhe rritja e vazhdueshme e kostove janë të ngjashme si edhe në ndërtimin e Hafencity. Në Wunderland Hamburgu është i imituar në një sipërfaqe prej rreth 200 m.katrorë me të gjitha atraksionet e tij.
American Dream
Trenat e makinat në Miniatur Wunderland udhëtojnë gjithsej përmes tetë vendeve. Njëri prej tyre është SHBA-ja me Grand Canyon dhe Las Vegas. Natën – që në Miniatur Wunderland fillon çdo çerek ore – ky është vendi më i ndriçar. I gjithë Miniaturland ndriçohet nga 385.000 ndriçues LED.
Malet e Zvicrës
Një pikë kulmore janë edhe malet në miniaturë: seksioni Zvicra ngrihet në lartësi në dy katet e godinës së vjetër të magazinave të portit. Vizitorët këtu mund të sodisin edhe panoramën e Matterhornit, njërit prej maleve më të larta të alpeve.
Bora në Skandinavi
Nën vezullim të kaltër shfaqen në horizont ajsbergët e Europës Veriore. Wunderland e vendosi Skandinavinë në vitin 2005 në hartën e vet. Deri më sot një ndër temat më të mëdha të parkut. Me humor konstruktuesit tregojnë p.sh. se si tre pinguinë me valixhe dhe duke tërhequr qenin Husky në platformën C në Kiruna sërish presin më kot trenin.
Mjeshtëri teknike
Ashtu si në Skandinavi ndërkohë këtu qarkullojnë mbi 1000 trena përmes qyteteve e pejzazheve. Përveç tyre ka edhe anije, që lundrojnë në ujë dhe makina, që një nga një pilotohen përmes një sistemi të rafinuar për automjetet. E gjithë kjo koreografi dirigjohet nga 50 kompjutera.
Ready for take off
Objekti deri më sot më i kushtueshëm në Wunderland është aeroporti i Knuffingenit, ku është imituar aeroporti i Hamburgut. Në pista ulen e ngjiten natë e ditë avionë të komanduar nga një sistem satelitor i zhvilluar enkas. Dritat e sinjalistikës pulsojnë në fushë, turbinat e 40 mini avionëve gjëmojnë para nisjes.
Trendsetter në Speicherstadt
Me vendosjen në njërën prej godinave historike të Speicherstadt (magazinat e portit) Wunderland në vitin 2001 ishte një ndër atraksionet e para. Deri sot e kësaj dite vazhdon zgjerimi i botës në miniaturë. Pas Italisë është na plan Monako për të pasuar me Anglinë e Afrikën, që janë në agjendën e Wunderlandit. Një vizitë në të ia vlen gjithmonë.