1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Shqipëria partnere e Panairit të Turizmit - Shtutgart 2017"

Ani Ruci15 Mars 2016

Shqipëria ka pasur një përformacë të mirë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Berlin ITB 2016, thotë për DW ministrja e Ekonomisë Milva Ekonomi. Turizmi kontribon me 21% në PPB dhe 19,2 % në punësimin total.

https://p.dw.com/p/1IDVV
Berlin Tourismusmesse ITB Milva Ekonomi
Fotografi: DW/A. Ruci

DW: Znj. Ekonomi, në fundjavë në Berlin, u mbyll Panairi Ndërkombëtar i Turizmit, ku mori pjesë edhe Shqipëria, e përfaqësuar nga ju dhe operatorët e turizmit. Çfarë ofroi sivjet Shqipëria dhe si u pritën produktet e saj turistike në një bursë botërore të turizmit, siç është Panairi i Berlinit?

Milva Ekonomi: Këtë vit ishte 50 vjetori i Panairit Ndërkombëtar të Berlinit,(IBT) një përvjetor që po e përmend për të kuptuar rëndësinë dhe qëndrueshmerinë e këtij aktiviteti global. Shqipëria u prezantia këtë vit me 20 operatorë të turizmit, që ofruan secili produktin e vet. Oferta turistike shqiptare ishte shumë e larmishme. Shqipëria turistike solli në IBT ofertë kulturore, bregdetare, malore, natyrore në përgjithësi, si dhe ofertën e aventurës në të panjohurëm. Shqipëria u prezantua edhe në nivel institucional, Agjencia Kombëtare e Turizmit, ishte atje, për të sjellë një imazh të konsoliduar të modelit të turizmit të qendrueshëm dhe të politikave shtetërore në mbështetje të sektorit.

Çfarë ju bëri përshtypje në rolin që ky panair luan që vendet pjesëmarrëse të promovojnë produktet e tyre turistike, të ndërtojnë dhe forcojnë bashkëpunim mes tyre dhe përtej tyre?

Në fokusin e këtij Panari në 50 vjetorin e vet, ishte turizmi si aktivitet ekonomik në ndihmë të zhvillimit të qendrueshem dhe si sfidë për të përballuar migrimin. Si në çdo aktivitet të këtyre përmasave motoja e aktivitetit vjen ose nga vendi organizator ose nga organizata ombrellë, në këtë rast UNWTO (United Nations World Tourism Organization). Motoja e sivjetme ishte “Udhëtim i sigurtë dhe pa ndërprerje, shfrytëzim i mundësive në rritje që sjell teknologjia për shndërrimin e turizmit në një sektor ekonomik të qendrueshëm”. Padyshim që IBT është një bursë, me një konkurim të fortë dhe shumë të pranishëm në një territor të përqendruar (aq mundësi sa ofron hapësira ku është vendosur vetë panairi), ndaj çdo vend synon të sjellë më të mirën e vet, si pjesë përfaqësuese e kësaj industrie.

Falë pozicionit gjeografik të Shqipërisë dhe larmisë së natyrës së saj, sektori i turizmit ka potenciale të mëdha për një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. A është matur kontributi që turizmi jep në ekonomi, në Produktin e Përgjithshëm Bruto, PPB ?

Nga sistemet e informacionit që disponon Shqipëria kjo matje nuk është bërë, por është llogaritur numri i turistëve, falë sistemit TIMS dhe janë përllogaritur netët mesatare të konsumuara nga një turist në territorin e vendit. Por sipas vlerësimeve të bëra për Shqipërinë nga WTTC (World Travel and Tourism Council), vlerësohet se kontributi i drejtpërdrejtë i turizmit në PPB për vitin 2014 ishte 82.3 miliardë lekë ose 5.9%, e PPB ndërkohë që kontributi i përgjithshëm (direkt dhe indirekt) në ekonomi ishte 291.6 miliardë lekë, ose 21% e PPB-së. Ndërsa duke iu referuar vendeve të punës të krijuara, sektori i turizmit ka gjeneruar drejtpërdrejt 50.500 vende pune ose 5.3%, dhe në mënyrë indirekte ka gjeneruar 182,000 vende pune ose 19.2% të punësimit total. Turistët e huaj, që vizitojnë Shqipërinë kanë shënuar një rritje të ndjeshme në vitet e fundit, me rreth 51% në vitin 2014 krahasuar me vitin 2010. Përtej vendeve fqinjë janë shndërruar në tregje të rëndësishme edhe Italia, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, SHBA, Franca dhe Polonia. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2015, është regjistruar një rritje prej 15% e turistëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2014.

Krijimi i një tregu të përbashkët rajonal turizmi në Ballkanin Perëndimor mbetet një instrument, që rrit shanset për tërheqjen e një numri sa më të madh turistësh dhe zhvillimin e industrisë së turizmit. Çfarë ofroi në këtë drejtim Panairi i sivjetëm Ndërkombëtar i Turizmit, në Berlin?

Për qartësim turizmi organizohet nga operatorë privatë, shteti mbështet dhe lehtëson me politika dhe investime sektorin, ndërsa operatorët realizojnë kontratat me tour operatorët ndërkombëtarë për vizitorët e huaj që vijnë në vend. Këtë vit në IBT falë mbështetjes së GIZ ( Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit) realizuam një panel diskutimi dedikuar Shqipërisë, ku morri pjesë forumi i biznesit gjerman dhe u dha një konferencë shtypi për median gjermane. Dhe në të dyja këto aktivitete pjesmarrja ishte e lartë. U ndërtua një axhendë për të ftuar në Shqipëri më shumë vizitorë gjermanë dhe për të dhënë mesazh, aty në ITB , që në axhendën turistike 2016, Shqipëria duhet të përfshihet si ofertë. Në ITB patëm rastin të komunikojmë edhe me organizata të tjera, të interesuara për të zhvilluar turizmin Ballkanik. Oferta turistike shihet me më shumë se me një vend të rajonit, shihet rajoni si një i tërë dhe Shqipëria është e vendosur të bëhet pjesë e kësaj zgjedhjeje.

Albanien bei der ITB Berlin 2016
Stenda shqiptare në ITB 2016Fotografi: DW/L.Pitu

Industria e turizmit në Shqipëri është me moshën më të re në rajon dhe Europë. Cilat janë avantazhet dhe sfidat që paraqet ky fakt?

Mosha e re e këtij aktiviteti ekonomik në Shqipëri do të thotë që Shqipëria ofrohet si pjesë e panjohur dhe njohja e saj mbetet një sfidë. Gjithashtu, duhet vlerësuar fakti që ne jemi shumë miqësorë dhe mikpritës ndaj vizitorëve, karakteristikë kjo që, tashmë është bërë e njohur. Ndërsa tour operatorët tanë janë të rinj në biznes dhe gjithashtu edhe në moshë, ndaj kanë energji për të qenë organizatorë të mirë të paketave turistike.

Znj. Ministre, si ju theksuat në krye të kësaj interviste, ky panair ka një traditë gjysëmshekullore. Gjermania ku ai zhvillohet, që është vendi i parë donator ndër vendet e BE që ka kontribuar në zhvillimin e qendrueshëm ekonomik të Shqipërisë, në sektorë të rëndësishëm, përfshirë edhe turizmin. Si u reflektua kjo marrdhënie Gjermani - Shqipëri gjatë ditëve të IBT?

Bashkëpunimi afatgjatë me Gjeramaninë është një vlerë e shtuar. Pa dyshim që në të gjithë këto vite ndihma Gjermane në këtë sektor ka qenë shumë e rendësishme, sepse ka krijuar modele të qendrueshme, ka ndihmuar në zhvilimin e konceptit të turizmit rural. Aktualisht GIZ po ndihmon në vendosjen e kriteteve të standartizimit të ofertës turistike dhe po nxit shumë promovimin dhe marketimin e Shqiperise turistike. Shqipëria po përgatitet të organizojë dhe një “fans tour” për gazetarët gjermanë këtë vit. Por lajmi tjetër i mirë lidhet me Panairin e ardhshëm të turizmit në Shtutgart, në fillim të vitit 2017, ku Shqipëria do të jetë vend partner. Kjo do të thotë më shumë përfaqësim, më shumë mundësi për të treguar ofertën tonë turistike.

Në kushtet kur marrdhëniet mes Rusisë dhe Turqisë nuk janë në kohën e tyre më të mirë , duket se Shqipëria po bëhet tërheqese edhe për rusët dhe agjencitë shqiptare turistike kanë nisur të orientohen nga ai treg. A u shfaq ky interes edhe ne Panair?

Realisht kjo është një detyrë e operatorëve, por në panair pati shumë takime me operatorë rusë dhe shqiptarë. Dhe jo vetëm me ta, por edhe me të tjera vende që përdornin ofetën turistike të Turqisë. Ky është një shans, që besoj se do të përdoret me zgjuarsi nga operatorët tanë.