1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Milicia Huthi kërcënon me vazhdimin e sulmeve ndaj Izraelit

21 Korrik 2024

Pas sulmit ajror të Izraeli në Jemen milicia pro-iraniane Huthi kërcënoi me vazhdimin e sulmeve. Shtohet numri i të vrarëve të plagosurve. A mund të përhapet konflikti në rajon?

https://p.dw.com/p/4iZ4D
Ushtria izraelite sulmoi objektiva ushtarake të milicisë Huthi dhe impiante nafte dhe elektriciteti në portin e qytetit perëndimor të Jemenit, Hudaida
Ushtria izraelite sulmoi objektiva ushtarake të milicisë Huthi dhe impiante nafte dhe elektriciteti në portin e qytetit perëndimor të Jemenit, HudaidaFotografi: AFP/Getty Images

Irani dhe Izraeli paralajmëruan për njëri-tjetrin. "Aventurizmi i rrezikshëm" i Izraelit mund të shkaktojë një luftë rajonale, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Naser Kanani, për agjencinë shtetërore të lajmeve Irna. Izraeli dhe mbështetësit e tij si SHBA-ja janë "drejtpërdrejt përgjegjës” për "pasojat e paparashikueshme dhe të rrezikshme” të luftës Izrael-Hamas dhe sulmet në Jemen.

Qeveria izraelite tha se bëhej fjalë për një luftë mbrojtëse kundër "boshtit terrorit" të Iranit. Tani është koha që "komuniteti ndërkombëtar të maksimizojë sanksionet kundër Iranit", kërkoi Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz në një mesazh në platformën X. Irani mbështet, trajnon dhe financon milicët Huthi si "pjesë e rrjetit të tij rajonal të organizatave terroriste "që duan të sulmojnë Izraelin".

Zjarre të mëdha pas sulmeve ajrore të Izraelit në qytetin port Hodeida në Jemen
Zjarre të mëdha pas sulmeve ajrore të Izraelit në qytetin port Hodeida në JemenFotografi: ANSARULLAH MEDIA CENTRE/AFP

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres tha se është "thellësisht i shqetësuar për rrezikun e përshkallëzimit të mëtejshëm në rajon”. Nga Nju-Jorku ai bëri thirrje për "përmbajtje maksimale".

Të vrarë e të plagosur në të dyja vendet

Ushtria izraelite tha se operacioni ushtarak në Jemen ishte përgjigja "për qindra sulme ndaj Izraelit në muajt e fundit”. Prej goditjes të një droni ushtarak që vinte nga Jemeni, në Tel Aviv u vra një burrë dhe u plagosën të paktën tetë vetë. Droni me rreze të gjatë veprimi, i cili qe i ngarkuar me eksploziv, goditi një ndërtesë banimi në qendër të metropolit bregdetar izraelit.

Ushtria izraelite tha se për sulmet ndaj qytetit port të Jemenit Hudaida, që ndodhet rreth 1,700 kilometra nga Izraeli, përdori aeroplanë luftarakë F-15 dhe F-35 të prodhuar nga SHBA.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Mbrojtjes izraelite Herzi Halevi duke ndjekur sulmin e avionëve luftarakë izraelitë në portin Hudaida në Jemen
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Mbrojtjes izraelite Herzi Halevi duke ndjekur sulmin e avionëve luftarakë izraelitë në portin Hudaida në JemenFotografi: Israeli Prime Minister's Office/Anadolu/picture alliance

Ushtria izraelite konfirmoi gjithashtu se kishte sulmuar edhe disa objektiva ushtarake të milicisë Huthi në portin e qytetit perëndimor të Jemenit, Hudaida. Predhat izraelite në Jemen goditën po ashtu impiante nafte dhe elektriciteti. Në pamjet e transmetuara në televizion shihen zjarre të mëdha.

Ministria e Shëndetësisë në Sanaa tha se prej sulmit izraelit janë vrarë të paktën gjashtë vetë dhe janë plagosur shumë se 80 të tjerë, shumica prej tyre me djegie të rënda.

Milicia Huthi kërcënon me vazhdimin e sulmeve

Zëdhënësi i milicëve Huthi, Mohamed Abdulsalam, e akuzoi Izraelin se po përpiqet "të rrisë vuajtjet e njerëzve dhe të bëjë presion ndaj Jemenit që të ndalojë mbështetjen e Gazës".

Milicia Huthi kërcënon me vazhdimin e sulmeve
Milicia Huthi kërcënon me vazhdimin e sulmeveFotografi: Khaled Abdullah/REUTERS

Ai tha për televizionin Al Jazeera se milicët Huthi nuk do t'i përmbahen asnjë premtimi apo rregulli dhe do të vazhdojnë të sulmojnë Izraelin.

Mbështetje nga SHBA-ja

Një zëdhënës i Pentagonit tha se ministri amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin bisedoi gjatë natës me kolegun e tij izraelit, Joav Galant, lidhur reagimin e Izraelit ndaj sulmit me dron të milicisë Huthi në Tel Aviv. Austin përsëriti "angazhimin e hekurt të Shteteve të Bashkuara për sigurinë e Izraelit dhe të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje".