Milicia e IS braktis bastionet e fundit në Damask
22 Maj 2018Pas tërheqjes së milicisë xhihadiste Shteti Islamik (IS) nga bastionet e fundit të saj në jug të Damaskut, qeveria e deklaroi kryeqytetin si "krejtësisht të sigurtë". "Ushtria siriane shpall sot se Damasku, rajonet periferike të tij dhe qytetet në rrethina janë krejtësisht të sigurta", u tha një zëdhënës ushtarak medieve shtetërore të hënën. Në këtë mënyrë, për herë të parë që prej vitit 2012 i gjithë rajoni është sërish nën kontrollin e qeverisë.
Nën presionin e trupave qeveritare siriane, milicia xhihadiste "Shteti Islamik" sipas aktivistëve ka nisur tërheqjen nga bastionet e fundit në jug të Damaskut. Siç bën të ditur Qendra Siriane e Vëzhgimit për të Drejtat e Njeriut, natën grupi i dytë i luftëtarëve të IS u tërhoq nga kampet palestineze të refugjatëve Jarmuk dhe lagja Tadamun në jug të kryeqytetit sirian.
Armëpushim për të lehtësuar popullatën civile
Sipas kësaj, të dielën grupi i parë qe larguar nga dy lagjet në drejtim të një enklave të IS në shkretëtirë, në Lindje të Sirisë. Në bazë të Qendrës së Vëzhgimit me qendër në Britani, e cila i merr informacionet nga aktivistë në terren, milicia e Shtetit Islamik, pas negociatave me qeverinë ra dakord për një armëpushim dhe një tërheqje të luftëtarëve të saj. Nga ana e qeverisë deri tani kjo nuk është konfirmuar.
Një përfaqësues ushtarak i tha agjencisë së lajmeve Sana, se është rënë dakord për një armëpushim deri të hënën pasdite, për të siguruar gratë, fëmijët dhe njerëz të moshuar në lagjet e përfshira nga luftimet. Trupat qeveritare patën nisur në 19 prill një ofensivë kundër bastioneve të fundit të IS në Damask. Që atëherë, sipas të dhënave të Qendrës Siriane të Vëzhgimit për të Drejtat e Njeriut janë vrarë 250 luftëtarë të qeverisë, 233 xhihadistë dhe 60 civilë.
Në mars qeveria pati marrë pas një ofensive të përgjakshme dymujore Ghutan - Lindore nga duart e kryengritësve. Që atëherë, kryengritësit qenë të detyruar nën presionin e trupave qeveritare që të braktisin qytete të tjera përreth kryeqytetit.