Mikis Teodorakis ndërroi jetë në moshën 96 vjeçare
2 Shtator 2021Ministria e Kulturës e dha lajmin të enjten (02.09): Kompozitori Mikis Teodorakis ndërroi jetë në moshën 96 vjeçare në Athinë.
Shumë vetë e kanë lidhur emrin e Mikis Teodorakuis me filmin "Aleksis Zorbas" dhe sirtakin e famshëm. Por kompozitori i njohur ka kompozuar shumë vepra të tjera moderne. Teodorakis e dha koncertin e parë në moshën 17 vjeçare. Gjatë pushtimit nazist ai luftoi kundër trupave gjermane, kurse në luftën qytetare greke të vitit 1946-1949 iu bashkua kampit të majtë. Ai u arrestua disa herë si kundërshtar komunist i regjimit, u torturua madje edhe u varros për së gjalli.
Në vitin 1970 Teodorakis u dëbua në ekzil, por rebeli grek vazhdoi të kompozojë e udhëtojë nëpër botë. Në vitin 1974, pas fundit të diktaturës ushtarake, ai u kthye në Greqi, ku u prit si hero. Me këngët e tij ai prekte zemrat e grekëve. Kështu shumë grekë e këndojnë ende sot me entuziazëm këngën e tij "Imaste dio".
Lufta e Teodorakis drejtohej gjithmonë kundër barbarisë dhe shtypjes. Në vitin 1986 ai themeloi së bashku me kompozitorin turk, Zülfü Livaneli Komitetin e Miqësisë Turko-Greke për t'i dhënë fund armiqësisë shekullore mes dy vendeve fqinje. Të dy artistëve iu desh të dëgjonin shumë akuza si tradhtarë të kombit.
Angazhimi muzikor nuk e pengoi kompozitorin të shprehej me fjalë të qarta edhe për politikën aktuale. Kështu ai ngriti zërin fuqishëm kundër politikës së kursimeve të qeverisë greke nën presionin e BE. "Po përjetojmë një tragjedi kombëtare", iu drejtua ai bashkëkombasve të tij në vitin 2012. Pa arsye grekët po "manovrohen në buzë të greminës". Edhe në moshën 95 vjeçare Teodorakis reagoi si për shembull në krizën e Coronës vitin e kaluar, kur ai kritikoi masat e qeverisë, që në fillim, nuk u ofroi ndihma muzikantëve që dolën pa papunë. Nëse ndodhte diçka në Greqi, shumë vetë donin të dëgjonin opinionin e tij. Teodorakis ishte kthyerr në heroin popullor të grekëve.