1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mijëra vetë demonstrojnë për mbrojtjen e klimës

25 Shtator 2020

Në shumë qytete gjermane, mijëra vetë, kryesisht të rinj, kanë dalë në rrugë për të kërkuar mbrojtje më të mirë të klimës.

https://p.dw.com/p/3j0Wp
Klimaproteste Fridays for Future | Berlin Deutschland
Fotografi: Kay Nietfeld/dpa/picture alliance

Manifestimet janë pjesë e një dite ndërkombëtare veprimi, pas së cilës qëndron lëvizja "Fridays for Future" ("Të Premteve për të Ardhmen"). Demonstratat po zhvillohen ndër të tjera në Berlin, Hamburg dhe Këln. Policia njoftoi nga disa qytete se njerëzit po i respektojnë rregullat e Coronas dhe janë veshur me maska. Në Këln, organizatorët folën së fundi për 7.000 pjesëmarrës në manifestim.

Paradite, në kryeqytetin e Gjermanisë Berlin u zhvilluan disa demonstrata me biçikleta, pjesëmarrësit e të cilave më pas mbërritën në Portën e Brandenburgut. Sipas policisë, numri i pjesëmarrësve në manifestimin pranë Portës së Brandenburgut në Berlin deri në mesdite ishte në nivel katërshifror.

Greta Thunberg
Greta ThunbergFotografi: Jonathan Nackstrand/AFP

Sipas Fridays for Future, në të gjithë botën janë regjistruar më shumë se 3000 "demonstrata për klimën". Përveç Australisë dhe Japonisë, demonstrata raportohen edhe nga Bangladeshi. Aktivistja Greta Thunberg protestoi para parlamentit suedez në Stokholm - por vetëm me rreth 20 vetë për shkak të kufizimeve për Coronan. Sipas organizatorëve, më shumë se 400 demonstrata janë planifikuar vetëm në Gjermani. Disa veprime u njoftuan gjithashtu në Brandenburg.

aud (dpa, dlf)