Gjermania - Historia ime: Greqia
13 Tetor 2012
Prindërit e Kostas Dimitriout bëjnë pjesë në kontigjentin e atyre punëtorëve, asokohe të përkohshëm, që erdhën në Gjermani vetëm për një afat të caktuar: „Prindërit e mi dhe shumë grekë të tjerë erdhën për të fituar para në Gjermani. Planet e tyre ishin, të qëndronin dy vjet, ndoshta tre, të kursenin nga rroga sa të mundnin e pastaj të ktheheshin tek familjet e tyre.“ Por shumë syresh qëndruan – si prindërit e Kostas Dimitriout, sot kryetar i Shoqatës së komunitetit grek në Gjermani (OEK).
Që nga mesi i viteve 50-të, Gjermania kishte nënshkruar me disa shtete marrëveshje për thitjen e punëtorëve të huaj për firmat gjermane që kërkonin me urgjencë krahë pune. Marrëveshja e parë u nënshkrua në vitin 1955 me Italinë, me Greqinë marrëveshja u nënshkrua më 30.03.1960.
Pakicë e pandier
Pas hyrjes në fuqi të marrëveshjeve bilaterale, erdhën në Gjermani forca pune të rekrutuara në zyrat e vendit të origjinës. Pas disa vitesh pune ata pritej të ktheheshin pranë familjeve. Por llogaria nuk doli ashtu si pritej: Pavarësisht parimit të rotacionit – sipas së cilit punëtorët e huaj duhej të zëvendësoheshin pas disa vitesh me kontigjente të reja punëtorësh nga të njejtat vendet – firmat i inkurajuan punëtorët e ambientuar tashmë, që të qëndronin. Arsyeja ishte e thjeshtë: Përshtatja dhe kualifikimi i fuqisë së re punëtore do t’u shkonte firmave gjermane më shtrenjtë.
Historia e emigrimit të shumë grekëve ndryshoi kur ata krijuan vetë familje dhe lindën fëmijë: Kostas Dimitriou rrëfen: „Fëmijët shkuan në shkollë në Gjermani, kontakti me Greqinë ruhej përmes pushimeve, por epiqendra e jetës ndërkohë ishte zhvendosur.“
Gjatë viteve të qëndrimit në Gjermani, emigrantët grekë gati nuk kishin rënë në sy - prandaj kishin fituar epitetin „pakica e pandier“. Gatishmërinë e grekëve për t’u integruar, Kostas Dimitriou e lidh me dy faktorë: „E para është tradita e gjatë e migrimit tek grekët, dhe suksesi në shkollë i fëmijëve grekë“. Pritshmëria e lartë e familjeve greke ndaj rezultateve të fëmijëve të tyre në mësime, ka luajtur një rol të rëndësishëm në procesin e integrimit.”
Migrantët luftojnë për demokracinë
Një fazë e paharrueshme e historisë së migracionit grek është koha e diktaturës ushtarake (1967 – 1974). Organizatat dhe shoqatat greke jashtë u angazhuan fuqishëm për demokracinë në Greqi. Shumë politikanë demokratë grekë gjetën strehë në Gjermani dhe vazhduan nga ky vend rezistencën kundër diktaturës, si për shembull presidenti i mëvonshëm, Kostas Simitis. Tek luftëtarët e rezistencës kundër diktaturës ushtarake bën pjesë edhe presidenti i sotëm i Greqisë, Karolos Papoulias, i cili ka punuar për disa vite edhe në redaksinë greke të Deutsche Welle-s.
Numri më i lartë i qytetarëve grekë në Gjermani shënohet në vitin 1973. Pikërisht këtë vit, kriza në Gjermani solli ndalimin e marrëveshjes për fuqinë punëtore në Gjermaninë Perëndimore dhe mbylljen e tregut gjerman për punëtorët e huaj. Radhazi u miratuan ligje të ndryshme që do të mundësonin kthimin e punëtorëve të huaj. Për shembull, për pjesëtarët e familjes që vinin më pas u vendos rregulli i pritjes për tregun e punës. Nga viti 1973-1975 rritet numri i grekëve që lenë Gjermaninë dhe rikthehen në vendlindje.
Në vitin 1980, Greqia bëhet pjesë e Bashkimit Evropian dhe nga viti 1987 për grekët hyri në fuqi ligji „i lirisë së punësimit“ në Bashkimin Evropian. „Më shumë se 100.000 migrantë grekë erdhën nga vitet 1987-1997 për një kohë të shkurtër në Gjermani“ kujton Kostas Dimitrou. „Jo të gjithë ishin punëtorë të thjeshtë, apo fuqi punëtore e pakualifikuar, por mes tyre kishte akademikë dhe studiues.“
Mes kthimit dhe qëndrimit
Për shkak të rritjes së papunësisë në vitet 80-të, politika gjermane tentoi ta reduktonte numrin e të huajve. Në vitin 1983 u miratua Ligji për nxitjen e gatishmërisë për kthim të punëtorëvë të huaj. Rreth 300.000 punëtorë të huaj (7% e të huajve që jetonin në vitin 1984 në Gjermani) e pranuan këtë ofertë dhe u kthyen në vendlindje.
Për qeverinë gjermane kjo ishte një mundësi për të reduktuar numrin e popullsisë së huaj dhe për të konsoliduar sistemet e sigurimit social, sepse sasia e pagesës së punëdhënësit në kontributin e pensioneve të migrantëve të kthyer i mbetej në këtë rast sigurimit.
Pas vitit 1997 si pasojë e procesit të natyrshëm të plakjes dhe stabilizimit të procesit të imigrimit numri i grekëve që jetojnë në Gjermani është ulur. Shumë nga punëtorët e parë, pasi dolën në pension, u kthyen në Greqi.
Në kohën e krizës grekët rizbulojnë Gjermaninë
Nga viti 2009 kur kriza ekonomike goditi Greqinë, gjithnjë e më shumë grekë po e braktisin vendlindjen për të kërkuar fatin e tyre në Gjermani. Tek emigrantët e rinj bëjnë pjesë akademikë, ish-punëtorë të përkohshëm që rikthehen në Gjermani si edhe fuqi e pakualifikuar punëtore. Organizatat greke marrin çdo ditë mijëra telefonata dhe kërkesa nga të interesuar – sot kjo është pjesë e përditshme e punës së Kostas Dimitriout: “Shumë prej tyre kërkojnë me dëshpërim një vend pune. Përvoja tregon që shumica e të ardhurve janë të shkolluar dhe kjo e lehtëson integrimin e tyre në tregun gjerman të punës.”
Grekë të suksesshëm në Gjermani
Despina Kazantzidou
Christos Yiannopoulos
Jannis Androutsopoulos