1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkeli paralajmëron ndryshim në barazpeshën e forcave

1 Dhjetor 2020

Kancelarja Merkel ka paralajmëruar një ndryshim në barazpeshën e fuqisë ekonomike në botë, për shkak të pandemisë. Ajo kërkoi hapa të reja në teknologji.

https://p.dw.com/p/3m5F8
Merkel bei CDA Veranstaltung in Dortmund
Fotografi: picture-alliance/dpa/I. Fassbender

Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha se duhet të pyesim veten se ku do të përfundojë Evropa pas krizës. Në samitin digjital të qeverisë gjermane, kancelarja tha se Kina dhe Koreja e Jugut aktualisht po përjetojnë përsëri një rritje ekonomike. Njerëzit atje të gjithë mbajnë maska ​​dhe nuk ka demonstrata të jo konformistëve, theksoi Merkel.

Gjermania nuk mund dhe nuk dëshiron të përdorë të njëjtat mjete për të luftuar virusin si Kina me sistemin e saj të kontrollit. Sidoqoftë, duhet bërë një përpjekje për të qenë në gjendje të vazhdojmë teknologjikisht.

Ritmi i ngadaltë në ndryshimin digjital është një problem i madh, tha ajo. Kancelarja shpjegoi se urgjenca ende nuk njihet sa duhet në shumë fusha. Kjo çon në atë, që në një moment Gjermania thjesht të jetë e fundit që ecën në radhë.

Sovraniteti i të dhënave të ndjeshme

Kancelarja Angela Merkel kërkoi më tej që të gjitha vlerat tona të zbatohen edhe në botën digjitale. Mbi të gjitha, në botën e punës, shëndetit dhe etikës, theksoi ajo. "Humanizmi i shoqërisë sonë vetëkuptohet që duhet të mbetet edhe në botën digjitale," tha kancelarja në Dortmund.

Në të ardhmen, të dhënat do të jenë sa produkt ekonomik, aq edhe vlerë e shoqërisë. Merkeli paralajmëroi që në ruajtjen dhe shkëmbimin e të dhënave kaq të ndjeshme të mos bëhemi të varur nga korporatat e mëdha. Përkundrazi, ajo tha se qasja duhet të jetë që "Evropa mund të bëjë gjithçka, duke përfshirë zhvillimin me sukses dhe funksionimin e strukturës së saj të të dhënave".

Republika Federale e Gjermanisë duhet të ketë sukses në garantimin e sovranitetit të saj të të dhënave, dhe kjo përfshin infrastrukturën e saj të të dhënave, u tha në samit.

Me këtë rast aty u paraqit projekti Gaia-X. Gaia-X është një infrastrukturë e të dhënave në rrjet, d.m.th. një e ashtuquajtur re e të dhënave, në një nivel evropian. Përfaqësuesi i Ministrisë Federale të Ekonomisë për Ekonominë Digjitale, Thomas Jarzombek, tha se përparësia e këtij projekti është ndërveprimi i tij. Gaia-X është konceptuar si alternativë ndaj ofruesve amerikanë dhe kinezë.