1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkeli dhe Sarkozia dakord për formimin e Qeverisë Ekonomike të Evropës

16 Gusht 2011

Kancelarja Merkel dhe Presidenti Sarkozi biseduan në Paris për situatën në Eurozonë. Merkel u shpreh kundër eurobondeve dhe foli edhe për një "Fond Monetar Evropian"

https://p.dw.com/p/12HzS
Merkel dhe Sarkozy në konferencën për shtyp në Paris (16.08.2011)
Merkel dhe Sarkozy në konferencën për shtyp në Paris (16.08.2011)Fotografi: picture alliance/dpa

Gjermania dhe Franca duan të fiksojnë një tavan maksimal për borxhet në kushtetutat e të gjitha shteteve të Eurozonës. Kancelarja gjermane, Angela Merkel (CDU) foli të martën në mbrëmje në Paris për një "vetëdetyrim" të vendeve. Veç kësaj të dyja vendet duan të ngrenë një qeveri ekonomike për Eurozonën. Präsident i saj do të bëhet për dy vjet e gjysmë presidenti i radhës i BE, Herman van Rompuy, bëri të ditur presidenti i Francës, Nikola Sarkozi. Këtë ata do t'ia propozojnë van Rompuyit me anë të një letre.

Qeveria e re ekonomike do të mblidhet dy herë në vit, deklaroi më tej Sarkozia. Të dyja vendet synojnë gjithashtu arritjen edhe të një takse për transaksionet financiare.

Merkeli plotësoi se kabinetet qeveritare gjermane dhe franceze në të ardhmen do të mblidhen bashkë kur të hartojnë buxhetet. "Euro-ja është e ardhmja jonë", tha Merkeli. Për herë të parë ajo foli për një "Fond Monetar Evropian". Ky fond duhet të marrë edhe kapacitete analitike.

Nicolas Sarkozy dhe Angela Merkel gjatë bisedimeve në Paris
Nicolas Sarkozy dhe Angela Merkel gjatë bisedimeve në ParisFotografi: dapd

Merkeli edhe më tej kundër eurobondeve

Kancelarja gjermane i refuzoi edhe më tej eurobondet. Bëhet fjalë që kriza të zgjidhet hap pas hapi. "Unë nuk besoj që eurobondet do të na ndihmonin për këtë", tha Merkeli

Sarkozia deklaroi se eurobondet mund të vinin ndoshta në fund të një procesi të integrimit evropian. Përndryshe, Gjermanisë dhe Francës do t'u duhej të përgjigjeshin për borxhe të vendeve të tjera, pa qenë në gjendje ta ndikonin këtë.

Autor: dpa/Auron Dodi

Redaktoi: Mimoza Kelmendi