1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel: Ta bëjmë shtëpinë tonë Evropën, të dashur, të patundur dhe mikpritëse

Lindita Arapi1 Maj 2008

Kancelarja gjermane Angela Merkel u nderua të enjten në Ahen me çmimin ndërkombëtar të Karlit për meritat e saj në forcimin e unitetit evropian. Çmimi ndërkombëtar i Karlit është një nga çmimet më të njohura në Evropë

https://p.dw.com/p/Dro1
Merkel e shoqëruar nga mbreti spanjoll, Huan KarlosFotografi: picture-alliance/ dpa

Para 900 të ftuarve kancelares gjermane Angela Merkel iu dha çmimi i njohur i Karlit në sallën e njohur të kurorëzimit të bashkisë në Ahen. Në ceremoni morën pjesë edhe një sërë personalitetesh të njohura. laureatë të çmimit Karl, si mbreti spanjoll, Huan Karlos I. Edhe kryetari i bundestagut gjerman, Norbert Lammert ishte ndër personalitetet e ftuara. Fjalën e rastit e mbajti presidenti francez, Nikola Sarkozi i cili u shpreh se ai ka mësuar mjaft nga laureatja, kancelarja Merkel. Sarkozi nderoi angazhimin dhe forcën e vullnetit të kancelares duke pohuar edhe njëherë miqësinë frankogjermane. Të dyja palët janë bërë "përgjithmonë miq." tha Sarkozi.

Merkel e ka çuar përpara Evropën

Me dhënien e çmimit të Karlit, juria e çmimit në Ahen e nderon Merkelin si një evropiane besnike, e cila ka dhënë një kontribut të madh për kapërcimin e krizës së Bashkimit Evropian. Me këtë çmim vlerësohen "vendimet e saj largpamëse në përparimin e procesit të bashkimit në Evropë." Figura e Merkelit u ngrit lart për aftësinë e saj të negociimit në skenën evropiane.

Kryetari i bashkisë së Ahenit, Jyrgen Linden i dorëzoi medaljen kancelares Merkel, vlerësoi angazhimin e saj evropian.

Angela Merkel erhält Karlspreis
Policia mbajti larg aktivitetit spekatorë me pankartaFotografi: AP

Linden: "Shumëllojshmëri, liri dhe tolerancë-këto janë thesaret e modelit evropian të jetës. Ju zonja kancelare keni dhënë një kontribut të paçmuar për bashkëjetesën harmonike të njerëzve në Evropë, me këtë një kontribut edhe për lumturinë tonë. Për këtë juria ju nderon me çmimin e Karlit, me medaljen e 50-të të tij. Ne gëzohemi që ky çmim i shkon sot një evropianeje të njohur, e cila me guximin, energjinë, këmbënguljen dhe aftësinë vepruese e ka çuar Evropën përpara. Zonja kancelare ju urojmë përzemërsisht." Me optimizimin e përmbajtur, por edhe rrëmbyes ajo i dha shtytje përpara marëveshjes së re për kushtetutën evropiane. Kur kushtetuta të ratifikohet nga të gjitha vendet anëtare, atëherë politika dhe struktruat e BE-së do të bëhen më të qarta, tha Linden.

Merkel: Ta bëjmë shtëpinë tonë Evropën, të dashur, të patundur dhe mikpritëse

Kancelarja Merkel në fjalën e saj theksoi rëndësinë e Bashkimit Evropian për të gjithë evropianët: "Evropa ështe unike, i tillë është edhe Bashkimi Evropian. Be nuk mund të krahasohet me asgjë, me asnjë shtet, me asnjë organizatë. Kështu duhet të jetë dhe kështu do jetë. Evropa për të cilën ramë dakord në Lisbonë, është Evropa jonë, brenda saj dhe me të ne duam të jetojmë" tha Merkel.

Për mua ky çmim nuk do të thotë të fle mbi dafina, por ai është sinjal që të mos e ulim tempon. Së bashku me shumë miq duhet ta bëjmë shtëpinë tonë Evropën, të dashur. të patundur dhe mikpritëse, vuri në dukje kancelarja gjermane në fjalën e saj.

Kancelarja Merkel është gruaja e katërt që nderohet me çmimin e Karlit që nga viti 1950 kur ky çmim u dha për herë të parë. Çmimi i Karlit i jepet personaliteteve apo institucioneve evropiane, të cilët në pozitat drejtuese kanë arritur rezultate të rëndëishme për bashkimin e Evropës. Edhe ish-kancelari gjerman, Konrad Adenauer ka qenë laureat i çmimit, në vitin 1954, po ashtu ish-kancelari Helmut Kohl së bashku me ish-presidenti francez, Francois Miterrand e morën këtë çmim në vitin 1997.